Partizani bëhet si kantier, hapen “gropa” në tri reparte
Partizani në merkaton e janarit duhet të ndërhyjë në të tria repartet për të forcuar skuadrën, nisur edhe nga largimet e pritshme të Rrapajt dhe Hadrojt në janar. Fakti që tashmë lejohen shtatë të huaj në fushë tregon për një liri më të madhe zgjedhjesh.
MBROJTJA – Me largimin e Hadrojt i vetmi mbrojtës i djathtë mbetet Osmanllari, i cili nuk është preferuar shumë nga Veselinoviç, por edhe nuk ka ofruar garanci sa i përket aspektit fizik. Në janar me siguri të kuqtë do të ndërhyjnë për të plotësuar ekipin në këtë krah, teksa edhe nga e majta duhen ndërhyrje. Buxhelaj është mbrojtësi i majtë i vetëm, pas dënimit të Zguros, që pritet të largohet gjatë këtij muaji.
MESFUSHA – Në këtë repart largimi i Rrapajt krijon një hendek të madh dhe do të duhet që klubi të ndërhyjë me patjetër. Në skuadër është një lojtar si Kote, që ka një stil të ngjashëm me Rrapajn, por duket e vështirë që klubi të mbështetet vetëm te korçari. Me shumë mundësi, nëse tregu do t’ia mundësojë, klubi i kuq do të afrojë një mesfushor cilësor, që njeh edhe portën.
SULMI – Në ofensivë, të paktën deri më tani nuk është përfolur për ndonjë largim të mundshëm, por nevoja për afrime është krijuar veçanërisht në krahë, aty ku vetëm Cara dhe Zeka nuk mjaftojnë. Jo më kot klubi i kuq po bën përpjekje për të afruar Redon Xhixhën nga Karabagu, një operacion, që duket i vështirë, por “Demat” nuk do të dorëzohen deri në fund dhe do të shfrytëzojnë çdo detaj në favor të tyre.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"