Pak nga të gjithë, ka marrë mësime të rëndësishme nga legjenda të Realit/ Xhud është “galaktiku” total

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2023 | 11:30

Pak nga të gjithë, ka marrë mësime të rëndësishme nga legjenda të Realit/ Xhud është “galaktiku” total

“Jam një galaktik? As për shaka…”. Kjo ësh të përgjigja që Xhud Bellingam i ka dhënë “Amazon Prime Italia” gjatë një interviste për këtë platformë. Mesfushori anglez, që iu bashkua Realit të Madridit verën e këtij viti po angazhohet maksimalisht për të qëndruar me këmbë në tokë. Respekti që po tregon për profesionin e tij, për shokët e tij dhe për gjithçka rrethon Realin e Madridit, është një leksion që duhet mësuar në të gjithë shkollat e futbollit.

belingham

Shifrat e tij në muajt e parë në Madrid janë të vështira për t’u shpjeguar me pak fjalë. Mesfushori ka qenë në gjendje të “djegë” fjalorin e termave superlativë në adresën e tij sepse në mendjen e tij ka vetëm një ide të fiksuar, të vijojë të ndërtojë një rrugëtim drejt lavdisë me natyrshmëri dhe me një personalitet për t’u pasur zili. Në fushë ai është një bishë e vërtetë, i pamundur për t’u kontrolluar, nuk lë asnjë centimetër të fushës së lojës pa prekur.

Larg fushës ai ka sjellje të pazakontë për dikë të moshës së tij (20 vjeç), kur vjen puna për të parë tifozët, për sjelljen me mediat dhe përçimin e disa vlerave që e kanë bërë atë të bëhet idhulli i Realit të Madridit. Bellingam ka një stil të veçantë, por ai ka ditur të mbledhë dhe bashkojë të gjitha të mirat që i kanë bërë unike disa legjenda të skuadrës së bardhë, Zidan, Kristiano, Raul, Bekham, Ronaldo. Rezultati, i cili dukej si një mision i pamundur, ka përfunduar duke e transformuar numrin 5 aktual të Realit në versionin më të ngjashëm me atë të një “Galaktiku total”.

Ai flet anglisht, gjermanisht dhe ka nisur të mësojë spanjisht sepse siç e ka shpjeguar tashmë që në ditën e tij të parë i veshur me të bardha, në të gjitha udhëtimet, qofshin të gjata apo të shkurtra, njeriu fillon të ngarkojë valixhen e tij me përvoja kulturore për zhvillimin e tij.

“Unë mendoj se është e rëndësishme të njohësh një kulturë të re dhe ta thithësh atë. Do të doja të shijoja jetën dhe stërvitjen”. Gjesti i tij i fundit në “Santigo Bernabéu” pas golit të Hoselut (festoi me spanjollin aq shumë të kritikuar) është shembulli i përsosur i të qenit një lider, një lojtar i pjekur vetëm 20 vjeç. Ai zotëron në mënyrë të përsosur gjithçka emocionale dhe është i aftë të kontrollojë të gjitha detajet që rrethojnë ekipin.

CILËSIA E ZIDANIT – Ndoshta në futboll asgjë nuk është rastësi. Në mes të një “tornadoje” mesazhesh që nuk ndalojnë së krahasuari Xhud Bellingamin me Zinedin Zidanin, mesfushori anglez debutoi duke pasur veshur në këmbë një kopje të modelit “Adidas Predator” me të cilin idhulli i tij (Zidan) shënoi golin legjendar në finalen e Glasgout kundër Leverkusenit.

Xhud nuk e kishte problem numrin 5, ai kërkoi topin në ditën e prezantimit të tij dhe iu deshën disa muaj për të vërtetuar se është versioni më i ngjashëm me ish-futbollistin francez. Bellingam veshi këpucët e zeza me llapën e kuqe dhe linjat e bardha “Adidas” për të nxjerrë në pah një elegancë unike në çdo hap të tij. “Është e vështirë të krahasosh dy breza të ndryshëm.

Ajo që unë shoh të ndryshme është një ardhje nga brenda zonës që Zidani nuk e kishte dhe një cilësi individuale nga Zidani që Bellingam nuk e ka, por ky është futbolli modern, i cili kërkon më shumë lojtarë të fortë fizikisht, të cilët janë të aftë të mbulojnë fushën më shpejt”, thotë Karlo Ançeloti për krahasimin mes anglezit dhe francezit.

Me golin (15) kundër Napolit, Bellingam ka shënuar tashmë tre gola më shumë se Zizu në fushatat e tij më të mira në Madrid. Ai mbeti me 12 në sezonet 2001-02 dhe 2002-03. Zidani, i cili ishte në tribunë duke parë ndeshjen kundër Napolit, mundi të shijonte paraqitjen e fundit të futbollistit anglez.

“Bellingam befason çdo ditë, çdo ndeshje. Jo vetëm ne, por për të gjithë. Bellingam është një dhuratë për futbollin”, tha Ançeloti.

GOLAT E RONALDOS DHE KRISTIANOS – “Ka lojtarë që, që kur u veshën me fanellën e bardhë për herë të parë, ranë në dashuri me turmën e “Santiago Bernabeu”- t. Kishte ditë kur Ronaldo Nazario dhe Kristiano Ronaldo ishin në gjendje të bënin gjithçka të mundur. Goli kishte emër, flamur dhe në të u shfaqën fytyrat e dy legjendave të “los blancos”.

Njëri ishte një “Galactico” (braziliani) dhe tjetri “thjesht” është lojtari më i mirë në historinë e klubit të bardhë (portugezi). Tifozët u identifikuan me dy heronjtë e tyre dhe stadiumi ra në dashuri për të lavdëruar figurat e tyre.

Tani, kolona zanore që “Bernabeu” këndon çdo ndeshje, qoftë në Ligën e Kampionëve apo në La Liga, është “Hey you, Jude!” (Hej, ju Xhud!) nga grupi “The Beatles” dhe referuar anglezit. Sepse numrat e Bellingamit janë absolutisht të çmendur.

Çdo ndeshje është një shfaqje e re para botës dhe ndikimi i tij në klubin e bardhë po e bën tavanin e tij të pamundur për t’u llogaritur – për të nuk duken limite në horizont.

“Unë nuk mendoj se jam një sulmues nëntë, por ai (Ançeloti) e sheh që unë argëtohem atje dhe mund të kontribuoj shumë për ekipin. Do të luaj kudo që të më vendosin”, deklaroi pak kohë më parë Xhud.

Pasi ka tejkaluar sezonin më të mirë të karrierës së tij për sa i përket golave (15), Bellingam është bërë futbollisti i parë në histori që shënon katër gola në katër ndeshjet e tij të para për Realin e Madridit në Champions.

Për më tepër, ai ka mundur të shkatërrojë një rekord të mbajtur nga Kristiano Ronaldo dhe Alfredo Di Stefano. Pesa i Realit është lojtari total, ai që është i aftë të mos kursejë përpjekje për të ndihmuar në mbrojtje dhe që kur i afrohet zonës rivale, ka finesën dhe qetësinë e nevojshme për të tundur rrjetat me lehtësi.

MARKETINGU I BEKHAM-it – Por Bellingam nuk është vetëm lojtar fushe. Ai ka kohë që po përpiqet të zbulojë formulën sekrete të Devid Beckham, një markë globale, e njohur brenda dhe jashtë fushës së lojës. Imazhi i tij është kuruar dhe promovuar me kujdes derisa është bërë një figurë me të vërtetë me ndikim në modë, argëtim dhe në botën e futbollit. Dhe dokumentari i tij në “Netflix” hapi një derë për të kuptuar se si marketingu sportiv ndryshoi, për të ndërtuar dhe mbajtur një markë të suksesshme sportive.

Këtë po tenton dhe Xhud. Bellingam ishte një talent në Dortmund, por ardhja e tij në Madrid ka rritur ekspozimin e tij në media dhe statusin e tij si një figurë sportive globale. Dhe ndërtimi i një figure futbolli përfshin një proces të plotë që ndërthur talentin, suksesin në fushë dhe strategjitë efektive të marketingut. Një plan që e ka kthyer anglezin në sensacionin e markës sportive “Adidas”.

VETËBESIMI I RAUL GONZÁLEZ – Të kesh dhuratën e kudogjendjes së Raul González-it, është si të fitosh lotarinë dy herë në të njëjtin vit. Të dish të jesh në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe pa bërë shumë zhurmë.

Ka ardhur radha e Belligamit dhe do të jetë më mirë të mos mendojmë më për të kuptuar se çfarë po arrin mesfushori anglez. Dhe mjafton që 5-shi të tregojë vetëbesimin e tij, dëshirën për t’u përballur me botën, një dozë të cilësisë unike dhe “ligësinë” e lindur përballë portës së ish-legjendës së “los blancos” për të fituar tifozët e Realit të Madridit.

Xhud edhe pse pak muaj që ka mbërritur tek Reali, po vepron si një udhëheqës. Sepse nuk duhet të veshësh shiritin në krah për të qenë një lider në dhomat e zhveshjes dhe Xhud ka vendosur ta provojë këtë.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"