Edhe sa do të vazhdojmë të presim…?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2023 | 20:19

Edhe sa do të vazhdojmë të presim…?!

Nga ARTAN POGONI

artan pogoni

U bë disa kohë që opinioni publik bombardohet me sekuenca filmike nëpër media e nëpër rrjetet sociale me gënjeshtra pa fund në lidhje me gjoja investimet apo interesin e shtuar për sportin nga Komiteti Olimpik apo Bashkia e Tiranës.

Duke qenë koshient që të gjitha problematikat e përmendura në këtë shkrim mund të përbëjnë artikuj më vete dhe të detajuar, nëse do të hyja në brendinë e tyre, këtë radhë po përpiqem t’i sjell në vëmendjen e opinionit publik si shqetësime.

Edhe sa kohë do të vazhdojmë të pranojmë shprehjet se këta që drejtojnë këto institucione në zhargonin e përditshëm të njerëzve të sportit nominohen si: “e mo se shyqyr që po dalin ca lekë për sportin po le të vjedhin edhe këta” ???!!! Edhe sa kohë do të vazhdojmë të pranojmë faktin se nominimi i Tiranës si “Qyteti Europian i Sportit” nuk bëhet fjalë vetëm për Tiranën, por është i ngjashëm me 15 qytete të tjera në Europë – jo kryeqytete, sepse këta janë mjeshtra të propagandës dhe mashtrimit qoftë edhe për mënyrën e marrjes së këtij nominimi???!!!

KOKSH

Edhe sa kohë do të vazhdojmë të pranojmë se nga taksapaguesit e Tiranës janë harxhuar para pa fund deri tani me ceremoni inauguruese – janë bërë 4 të tilla deri tani për të njëjtën gjë – për këtë nominim vetëm për të bërë fushatë elektorale për Erion Veliajn???!!! Edhe sa do të vazhdojmë të presim dhe të pranojmë faktin se po nga taksat e qytetarëve të Tiranës, paguhen, dhe jo pak, lloj-lloj lojtarësh të huaj/a që vijnë e marrin pjesë në kampionatet e volejboll-basketbollit për klubet që buxheton Bashkia e Tiranës dhe forma e pagesës së tyre është krejt e errët dhe informale???!!!

Për këtë le të pyeten prindërit e fëmijëve që shkojnë çdo muaj te bankomati dhe tërheqin shuma të ndryshme parash duke ua dhënë më pas trajnerëve apo drejtuesve të klubit për të paguar lojtarët e huaj/a dhe po këta prindër, pa kuptuar po u bëjnë dëm me duart e tyre stërvitshmërisë, aktivizimit dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre për të kënaqur disa rezultate fiktive dhe xhepat e sportistëve të huaj që shkojnë e vijnë në këtë vend.

U lutem trajnerëve, miqve të mi, të mos bien pre e rezultatit të përkohshëm dhe ta mirëkuptojnë sa kam shkruar më lart se gjithçka bëhet për t’i zgjatur jetën në drejtim dhe mbushur xhepat e disa aparatcikeve, të cilët ju marrin edhe mungesat!!!! Edhe sa do të vazhdojmë të pranojmë faktin se këta gjoja po “punojnë” për sportin kur çdo ditë Tiranës i ikin mijëra metra katrorë sipërfaqe sportive dhe mbi të cilat ndërtohen pallate???!!! Rasti më flagrant së fundmi është zhdukja e themeleve apo strukturës së palestrës së atletikës për salla të mbyllura.

E në kohën kur këta krenohen me mundin dhe sakrificën e Luiza Gegës dhe shokëve të saj kanë kurajën që në mes të Tiranës të zhdukin nga harta e terreneve sportive edhe të vetmin terren të parashikuar për një sallë të mbyllur të garave të atletikës. Mjafton të kaloni një herë të vetme prapa Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe do ta verifikoni vetë kantierin e një kulle të re në Tiranë. Edhe sa kohë do të vazhdojë me paligjshmërinë e saj Bashkia e Tiranës të japë buxhete të konsiderueshme për klubet sportive në qytet, ndërkohë që ligji i miratuar po nga kjo mazhorancë e ndalon këtë formë të subvencionit??!!!!

Edhe sa do të vazhdojmë të presim që MAS të bëhet e gjallë me strukturat e veta të sportit, të cilat edhe ato paguhen nga taksat tona, të ndërhyjnë në kërkesat për llogaridhënie të federatave sportive në vend apo edhe të OJF-së KOKSH se si, ku dhe për çfarë po përdorin fondet e buxhetit të shtetit, për të cilat nuk ka asnjë transparencë??!!!! Apo nuk kanë kohë se zv. ministri i caktuar për sportin është regjistruar për të bërë të paktën një Master në sport pranë UST me kohë të plotë!!!! E pra, ky është një rast i paprecedent në historinë e sportit shqiptar, ku, përveç të tjerave, dhe mbi të gjitha, një konflikt i pastër interesi ku një Zv.ministër bën Master në një institucion varësie – qesharake.

Edhe sa do të vazhdojmë të pranojmë këtë tutelë dhe varësi ekstreme nga një OJF – në këtë rast KOKSH-i – ndaj të gjitha institucioneve sportive në vend dhe në disa raste edhe arrogancën e personave që drejtojnë ndaj organeve drejtuese dhe kontrolluese të vendit, siç janë Kontrolli i Lartë i Shtetit apo edhe vetë MAS, të cilët kanë bërë relacione për shpenzimet dhe monitorimet e projekteve me konkluzione skandaloze dhe në disa raste mund të jenë edhe me destinacion për SPAK????!!!

Edhe sa kohë duhet që personat përgjegjës të japin llogari se në çfarë ligji bazohet transferimi i parave nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, direkt në numrin e llogarisë së një OJF-je siç është KOKSH-i pa kaluar nga thesari i shtetit dhe jo pak, por plot 7.5 milionë dollarë???!!! Edhe sa kohë do të vazhdojmë të besojmë apo të mbyllim sytë kur shikojmë dhe dëgjojmë se me çfarë çmimesh dhe në çfarë mënyre janë blerë materialet sportive për ekipet e fëmijëve???!!!

Le të na thonë sa lekë kanë kushtuar një palë atlete?? Le të na thonë sa lekë kanë kushtuar tutat dhe veshjet sportive?? Le të bëjnë transparente shumën që ky “Besniku” i partisë harxhoi për një ceremoni të shëmtuar në “Air Albania”?? “Besniku” i partisë së tij ka kurajën dhe guximin, nën efektin e delirit të madhështisë, të thotë se “çfarë kanë Olimpiadat më shumë se ajo që bëmë ne…”, dhe ky është kulmi i megalomanisë dhe injorancës deri në nivel dhimbjeje për shumat e parave të harxhuara nga taksat e shqiptareve të varfër. Edhe sa do të vazhdojnë presidentë e përfaqësues të federatave sportive në vend të përtypen e ripërtypen për të ngritur zërin në lidhje me buxhetet qesharake që u jep si lëmoshë dhe në shumë raste edhe në formë klienteliste shteti shqiptar??

Merrni dhe shikoni buxhetin e këtij viti, i cili jo vetëm që shpallet në fund të shkurtit, por në mënyrë mjerane u thonë që kemi përdorur sistem pikëzimi???!!!! E çfarë pikëzimi i duhet federatës së atletikes kur ka një kampione Europe si Luiza Gega. Çfarë pikëzimi i duhet federatës së mundjes kur ka një kampion bote dhe një vend të tretë në botë???

Apo këta i japin më shumë lekë shtangës meqë çdo vit dalin raste të dopingut dhe taekuondosë së zv.ministrit. Buxhetet skandaloze të federatave sportive shqiptare, që janë larg dhe të pakrahasueshme edhe me vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, do të vazhdojnë ta lënë sportin dhe cilësinë sportive shqiptare të varfër. Edhe sa do të vazhdojmë të pranojmë faktin se pothuajse të gjithë sportistët elitarë në Shqipëri bëjnë edhe nga një apo dy punë të tjera përveç sportit për të mbajtur veten dhe familjet e tyre me para sepse të ardhurat që përfitojnë nga sporti janë të pamjaftueshme për jetën e tyre???

E pra, ky është indeksi më i qartë dhe më i dhimbshëm i gjendjes së sportit dhe sportistëve shqiptarë sot. Sportistët nuk ushqehen dhe as vishen me betonin e hedhur për të ndërtuar kulla me stadiume dhe as me organizime ceremonish gala kineze. Edhe sa kohe do t’u duhet specialistëve të sportit, trajnerëve në terren, që të kuptojnë që ky “projekti i famshëm” “Ekipet Sportive” do të falimentojë shumë shpejt çdo strukturë apo shoqatë private duke e kthyer sportin si në regjimin diktatorial të para viteve ‘90 dhe kështu do të çojë dëm tërë mundin, sakrificat dhe përkushtimin e këtyre specialistëve që prej shumë vitesh janë përpjekur të kopjojnë strukturat dhe idetë perëndimore në vetorganizimin e shoqatave sportive??!!!

E pra, ju garantoj se shumë shpejt do të bëhen vasalë të shumës qesharake 15000 lekë në muaj për çdo ekip duke ngelur më pas në nivelet e lypsarëve në dyert e zyrave të “Besnikut”. Edhe sa kohë do të vazhdojmë të presim një lëvizje shkundëse nga intelektualët, akademikët, trajnerët e shquar, sportistët elitarë që kanë krijuar pothuajse nga hiçi, pa asnjë ndihmë apo kontribut shtetëror, karrierën dhe sukseset e tyre, të rrinë në heshtje dhe të nëpërkëmben nga disa militantë partie, të cilët për ca para nën dorë shesin çdo gjë???!!!!

Të dalin një herë në mbrojtje të identitetit dhe karrierës së tyre, të cilën nuk ua ka dhuruar as “Besniku” dhe as “Fiku”. Edhe sa kohë do të vazhdojmë të presim për një ligj sponsorizimi në dobi të sportit dhe sportistëve???!! Për 10 vite, këta që kanë drejtuar e drejtojnë sportin kanë paraqitur deri tani nja 4 variante, ku asnjëri prej tyre nuk ka dhenë efektet e duhura. Nuk ka si ndodh ndryshe kur për përgatitjen e tyre nuk merren specialistët e mirëfilltë dhe nuk pyeten grupet e interesit, por për to punojnë disa të paditur që edhe shkollën e kanë mbaruar natën apo me korrespondencë.

Pra, ja ku jemi sot, ku drejtimi i sportit po zhvendoset drejt një kursi të panjohur dhe të padëshiruar nga njerëzit, të cilët merren me këtë zanat, të drejtuar me ideologji dhe praktikë diktatoriale, që po përpiqet sistematikisht të zgjojë dhe të riformatojë çdo fenomen të dëmshëm për sportin, të cilin instaloi diktatura komuniste në Shqipëri.

Së fundmi, a ka vend të besojmë se gjoja rihapja e “fundit të marrëzisë” nuk lidhet me “fillimin e madhështisë”, pra kompanitë e basteve, kur përzierja e individëve të përfolur pikërisht në aktivitete me burime ekonomike të dyshimta nuk të lë shumë vend për dyshim???!!! Dhe ju lutem të kursehet argumenti se lobohet për investime strategjike në dobi të sportit se bëheni prapë – qesharakë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"