Shtëpia “e panevojshme” e Futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 18:25

Shtëpia “e panevojshme” e Futbollit

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Sigurisht nuk kam qenë i ftuar, qoftë dhe si gazetar i vjetër, në përurimin e të ashtuquajturës “Shtëpia e Futbollit”. Nuk më vjen keq, aq më tepër që as kam fort dëshirë të ftohem. Por nga shtypi mësova përfundimisht se kjo “shtëpi” ka kushtuar 10 milionë euro. Sigurisht, nuk kam as moshë as mundësi të vizitoj selitë e federatave të futbollit të 55 shteteve të Europës, por jam i bindur dhe e di se shumica e tyre i kanë selitë e federatave shumë më modeste se kjo e vendit modest, e ekonomisë modeste, e futbollit modest të shtetit po modest prej vetëm 3 milionësh të Shqipërisë – sot për fat, ndër më problematiket në Europë.

 Nga sa lexova, përurimin e kishin përshkuar batutat, humoret, replikat përkëdhelëse. Këto që nga presidenti i FIFA-s e deri te njeriu i caktuar me detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, e natyrisht edhe deri te kryetari i FSHF. Duke mbërritur deri edhe te ndonjë barsoletë si puna e kontrollit të shpatës “skenderbejane shqiptare” dhuruar presidentit të FIFA-s kur ai paska ardhur një herë tjetër në Shqipëri…

Dukej që gëzimi, pse jo, euforik, ka qenë i pamatë në këtë përurim, e natyrisht dihet që gëzimi përherë shoqëron përurimet. E, euforia kuptohej edhe nga pamjet televizive që ndoqëm. Deri aty madje, saqë u pa qartë se dështimi i Kombëtares në dy ndeshjet e fundit u përmbys prej kësaj euforie.

Duke lënë mënjanë këtë dekor hareje, ja ku mbërrijmë te më e rëndësishmja: a vërtet kishte nevojë apo arsye që Shqipëria të konsumonte 10 milion euro për zyra, apo qoftë edhe për çfardo “kunore” mjedisore futbolli përreth tyre?

 Le të diskutojmë po të doni gjithë natën e ditën. Padyshim që jo. Aq më tepër kur këto 10 milion mund të përdoreshin bukur e mirë për të ringritur më e pakta stadiumet e Korçës, Vlorës apo Durrësit – tri qytete ndër më sportivët e të futbollit në Shqipëri. Nuk po shkoj ndërkohë te stadiumi olimpik i Beratit, se jo pak olimpik ka qenë, sidomos me pistën olimpike të tij, sot thuajse i braktisur e me pamje që nuk duhen transmetuar assesi. (Për pistat atletike, dihet, Shqipëria e sotme qeveritare, olimpike apo sportive po shndërrohet në “armike” të tyre).

Ndërkaq, e kuptoj se kjo Shqipëri e kohëve të fundit ka dëshirë të ndërtojë e të rindërtojë edhe aty ku nuk është aspak e nevojshme. Ajo ka dëshirë të rindërtojë një herë në pesë vjet sheshin qendror të Tiranës. Ka nevojë të shkatërrojë stadiumin “Qemal Stafa” me gjithë historinë 70-vjeçare të tij, në vend që të riun ta ndërtonte diku tjetër e Shqipëria të përfitonte një stadium më tepër – siç kemi trajtuar e argumentuar me shkrime të pafund, deri para shkatërrimit të tij, madje. Kjo Shqipëri e tashme ka dëshirë të shkatërrojë Teatrin Kombëtar të 70 e sa vjetëve e të lejë për gati tri vjet mbeturinat e rrënojës së tij mû në qendër të Tiranës. Shqipëria paska kësisoj, nevojë të menjëhershme për të harxhuar 10 milion euro pra, për zyra tejet komode të një Federate Sportive, edhe pse federatat e tjera të sporteve të tjerë, nuk dihet mirë se ku i kanë zyrat a “shtëpitë” e tyre po aq të veçuara e moderne. Kështu, as Federata e atletikës apo e peshëngritjes a mundjes, të cilat i japin Shqipërisë sportistë Kampionë të Europës e të Botës.

Vetëm për një gjë më vjen keq, që nuk kam qenë në përurimin e “shtëpisë së futbollit”. Që nuk kam përjetuar drejtpërdrejt lajkat euforike të liderëve botërorë, europianë a ballkanikë e të futbollit, të cilët u ndodhën aty.

Sigurisht po të kisha qenë nuk do të guxoja pra, të thosha nja dy fjalë – çka për një gazetar që shkruan e boton pa ia da tash 60 vjet, kjo nuk është aspak e nevojshme e as praktike. Mirëpo, ato pak prej atyre të shumtave që mund t’i bëzaja, sidomos për të mirë të presidentit të FIFA-s, i cili “natyrshëm” dashka edhe votën e Shqipërisë së vogël në zgjedhjet e ardhme si president, po i vendos këtu:

– Që Shqipëria e sotme e futbollit ka rreth 70 për qind të skuadrave të saj jashtë Kampionatit të saj Kombëtar.

– Që Shqipëria e sotme ka numrin më të vogël në Europë të spektatorëve në ndeshjet e Kampionatit të saj Kombëtar, ndoshta as 900 për ndeshje.

– Që kjo Shqipëri e “shtëpisë ultramoderne të futbollit” ka Kampionatin që ka mbërrittë të zbresë në gati i 50-ti në Europën e 55 shteteve.

– Që çdo skuadër e Kampionatit të Shqipërisë ka rreth gati 40 për qind të lojtarëve të huaj krejt mesatarë, duke cenuar rëndë afirmimin e djemve të rinj të futbollit të tokës shqiptare.

– Që kjo Shqipëri është e vetmja në Europë që ka të dënuar gati për jetë për “trukime” klubin më shumë herë kampion të saj të dekadës së fundit.

E plot të tjera që po i lëmë për një herë tjetër… Kësisoj, vijnë e bëhen gjithnjë e më të papranueshme 10 milionët për atë që po quaka “shtëpia e futbollit”.

E, edhe më e papranueshme është euforia e përurimit të saj. Prej ku na del se vetë Federata e Futbollit të Shqipërisë paska dhënë për këto zyra të kësaj “shtëpie”, bukur nja 6 milionë euro. E ndoshta është e vërtetë – siç pat qarkulluar një herë një fjalë e çuditshme – se kjo e Shqipërisë është federata më e pasur në Ballkan.

Ndoshta!… Mirëpo, po kaq e pasur ajo është edhe në “varfërinë” e Kampionatit të saj Kombëtar, prej të cilit ka flakë tej themeluesit e tij që janë skuadrat e qyteteve të mëdha dhe ka marrë karakterin e një kampionati të qendrave të vogla, të cilat po arrijnë suksese duke mos pas thuajse asnjë lojtar të dalë prej farishteve të klubit të tyre shqiptar – rekord europian i llojit edhe ky.

Kësisoj, mundet që edhe FSHF është infektuar nga sëmundja qeveritare a bashkiake, që ndërton kulla të pafund në mes të kryeqytetit, madje ndërton kulla edhe në hapësirën e ajrit të stadiumit kombëtar. Ndoshta, përveç të tjerave, edhe për t’iu thënë në vitet që vijnë, bijve të tyre, pak a shumë kështu: “A e sheh këtë mrekulli lartësore? Unë e kam ndërtuar, të pastë baba!”.

Duket që pompoziteti, vetëkënaqësia, mendja e madhe, grandomania vetjake po e pushtojnë gjithnjë e më fort këtë vend të vogël me vetëm 28.000 kilometra katrorë tokë e me vetëm nja 3 milionë banorë, prej ku gati një e treta e të cilëve janë pensionistë me maksimalen nja 150 euro pension në muaj. Dhe tash duke guxuar t’i bëjnë që t’iu rrijë mendja natë e ditë veç te kujdesi për të fikur dritat e t’i shohin në televizion ndeshjet e futbollit me batanije krahëve.

Sidoqoftë, edhe ne do të kalojmë pranë shtëpisë së futbollit e do të admirojmë hijeshinë pompoze të saj, por me një ndryshim: duke mos harruar situatën katastrofike të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë sonë të dashur, pa Vlorë e Korçë, pa Elbasan e Berat, pa Gjirokastër e Fier, pa Kavajë e Lushnje. Bukur vërtet…

Tash po kujtoj se përveç të tjerave, për këtë shkrim u nxita edhe nga një thënie emblematike e gazetarit legjendë, italianit Eugenio Scalfari (1924-2022) kur thotë: “Gli uomoni cercheranno sempre la verita, perche ë solo questo cha dá un senso alla nostra vita”, “Njerëzit do të kërkojnë përherë të vërtetën, sepse është vetëm kjo që i jep kuptim jetës sonë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"