Kush e mbron Izmir Smajlajn?
Nga ARTAN SHYTI
Izmiri është përfshirë në një proces gjykimi dhe shpresoj të mos dënohet nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Nëse shpallet fajtor për një faj që nuk e ka kryer ai, rrezikon të pezullohet për një periudhë 4-vjeçare nga të gjitha aktivitetet sportive.
Kjo do të ishte një humbje e jashtëzakonshme, jo vetëm për atletikën, por për gjithë sportin shqiptar. Por, mbi të gjitha do të ishte një njollë e pamerituar në një karrierë sportive brilante e të jashtëzakonshme të një atleti të talentuar, i cili për vite me radhë na ka gëzuar e bërë krenarë me arritjet e tij sportive ballkanike e europiane. Por, ajo që ka më shumë rëndësi, e që është më tragjike, është fakti që në këtë përpjekje të tij për të mbrojtur pafajësinë e plotë për faje që nuk janë e nuk mund të jenë të tijat, edhe nëse ka realisht një faj në këtë ndodhi, Izmir Smajlaj është lënë plotësisht vetëm.
Asnjë nga institucionet që duhet të ishin në krah të tij nuk janë aty. As shtetarët, që mburreshin dikur me medaljet e tij, as olimpikasit, që me kërcimet e tij “kërcenin” nga një aktivitet në tjetrin duke u kapardisur me djersën dhe sakrificat e tij. Ku janë ata sot? Përse nuk janë me ballafaqimet e tij me ata që e akuzojnë? Përse nuk kanë marrë iniciativën që të justifikojnë Izmirin. Qoftë edhe duke bërë një shqyrtim e analizë të asaj që ka ndodhur dhe duke marrë masat që Izmiri të mbetet jashtë këtij skandali të supozuar.
Izmiri është lënë vetëm në këtë luftë të pabarabartë. I vetëm kur është në hall, se kur vinte me medalje rendnin të gjithë ata që sot duhet t’i ishin në krah, që të bënin fotografi e mburreshin me të. Kjo që po i ndodh Izmirit është një tjetër tregues i trajtimit që u bëhet sportistëve elitarë në Shqipëri. I duam dhe i përdorim sa janë të mirë, pastaj i lëmë vetëm kur janë në hall, kur kërkojnë ndihmë, mbështetje e solidaritet. Dhe pastaj ankohemi pse ikin, pse e braktisin Shqipërinë, përse shajnë e mallkojnë që nuk respektohen, financohen e përkrahen.
Sportistë si Izmiri janë pasuri. Por kur pasuria bie në duar të papërgjegjshme përfundon e keqpërdorur. Izmiri është krenaria jonë! Ata që e kanë braktisur janë turpi ynë!
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"