Opinion nga Agron Loci/ Përse dështoi Tirana?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 11:49

Opinion nga Agron Loci/ Përse dështoi Tirana?

Klubi më i titulluar në vend, ai që në verën e kaluar u përfol si ekipi që ishte ndërtuar për t’u mundur dhe që “në letër” trumbetohej se nuk do të kishte kundërshtar, përfundoi një ndër sezonet më të dobëta në historinë e tij.tiranaShumë specialistë këtë rezultat të tyre e konsiderojnë dështim, duke pasur parasysh përbërjen, por edhe buxhetin e rrogat e futbollistëve, që janë ndër më të paguarit e Superiores. Në fakt, po ta analizosh në detaje, dështimi i Tiranës është shumëplanësh, duke filluar nga menaxhimi, merkato, largimi i trajnerëve dhe deri tek përplasjet e brendshme. Dështimi filloi qysh vjet sapo mbaroi kampionati, pasi Tirana shkatërroi boshtin me largimet e Bekajt, Behiratçes dhe Aleksit, e më pas në janar Hasanin dhe Hilën, lojtarë që vitin e kaluar mbajtën peshën kryesore në skuadër. Ndërkohë që merkatoja u fokusua kryesisht tek lojtarët që kishin mbyllur sezonin me Vllazninë dhe rikthimet e atyre që dikur ishin shpallur kampionë me bardheblutë. Lojtarët që u morën nga Vllaznia ishin boshti i atij ekipi një vit më parë, por që mezi arritën të shkonin në Kupat e Europës, duke e siguruar vetëm në ndeshjen e fundit në Ballsh, në një kohë që Bylisi e kish prerë biletën për në të Parën. Aktivizimi i tyre gjatë këtij kampionati me Tiranën tregoi se ata nuk kishin qenë zëvendësuesit idealë më të mirë për të larguarit. Se përse presidenca nuk arriti të gjente gjuhën me lojtarë si Aleksi apo Behiratçe, kjo është çështje e brendshme e drejtuesve.

Shumë u reklamuan rikthimet e Dokës dhe Hoxhallarit, madje ky i fundit i afruar në limitin e merkato, u quajt edhe si “mrekullia e tetë” nga klubi. Dikur beniaminë të tifozërisë bardheblu, ata nuk arritën për asnjë moment të ngriheshin në nivelin e pritshmërive të drejtuesve dhe tifozërisë. Një tjetër problem që u vu re gjatë vitit te Tirana ishte gjendja e dy lojtarëve cilësorë, por që nuk arritën thuajse asnjëherë të bënin diferencën në fushë si Abazaj dhe Lushkja. Nëse Abazaj vjet tregoi se kishte cilësi, duke luajtur në pjesën më të madhe i dëmtuar, këtë vit ishte hija e vetvetes, ndërsa Lushkja në shumicën e ndeshjeve të aktivizuara nuk arriti të tregonte cilësitë e tij. Por saga e gabimeve të drejtuesve vazhdoi edhe më tej me largimin e trajnerit, ndër më të suksesshmit në historinë e dy dekadave të fundit të Tiranës. Zëvendësimi i Orges Shehit me një trajner që kishte qenë një herë në drejtim të ekipit, por nuk kish pasur rezultat, mund të konsiderohet si një tjetër hap i gabuar i drejtuesve të klubit. Dështimi lidhet edhe me presionin e vazhdueshëm dhe përplasjet e brendshme brenda klubit, që nuk arrijnë të menaxhohen siç duhet.

Dihet se Tirana, duke qenë një ekip që në çdo fillim gare ka objektiva shumë të larta, në rastet kur gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur, ka gjithnjë përplasje, që jo rrallë herë kanë ndikuar në rezultat dhe në performancën e lojtarëve. Përpos përplasjes me Ardit Hilën, një tjetër çështje në fillim të vitit ishte dhe ajo e shiritit të kapitenit. Kjo u pasqyrua edhe në fushë, kur Najdovski një ndër më të dalluarit gjatë dy fazave të para në shumë ndeshje, nuk u preferua të luante nga minuta e parë. E fundit, por jo për nga rëndësia, është problemi i përvitshëm që ka Tirana me borxhet e prapambetura, të cilat ka vite që e shoqërojnë me bllokim merkatoje në hyrje. Është e çuditshme sesi një aset si Tirana vazhdon prej vitesh të jetë klubi më i penalizuar dhe me më shumë probleme përmbushje detyrimesh financiare. Ky është një problem sa i trashëguar, aq edhe i lindur gjatë presidencës “Halili”.

Pyetja më e thjeshtë që mund të shtrohet në këtë rast është sesi është e mundur që në ditët tona të mos kesh strukturat përkatëse dhe të domosdoshme që ka çdo klub modern që të menaxhojnë çështje që lidhen me hartimin e kontratave në mënyrë që të mos penalizohesh? Gjithsesi, kampionati mbaroi dhe Tirana dështoi të realizonte qoftë edhe objektivat minimale, si pjesëmarrjen në “Final 4” apo finalen e Kupës. Është detyrë e drejtuesve të klubit që me mbylljen zyrtarisht të garës të fillojnë të mendojnë me qetësi sesi të ndërtojnë një ekip konkurrent dhe fitues për vitin e ardhshëm. Me shumë prej “yjeve” që treguan se janë të tillë vetëm në letër, por jo aty ku duhej në fushë, që janë njëkohësisht edhe ndër më të paguarit e Superligës, ndoshta duhen riparë kontratat. Tirana më shumë se kurrë ka nevojë për “revolucion” në menaxhim, merkato dhe drejtimin teknik të ekipit, nëse nuk kërkon të ripërsërisë këtë sezon të dështuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"