“Nuk më pëlqen të qëndroj në pankinë”, Rafael Leao: I zgjidha problemet me Fonsekën, po bëj sezon të shkëlqyer te Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2024 | 21:23

“Nuk më pëlqen të qëndroj në pankinë”, Rafael Leao: I zgjidha problemet me Fonsekën, po bëj sezon të shkëlqyer te Milani

Rafael Leao vazhdon të alternojë paraqitje të mira me ato ku zhduket në fushën e lojës, duke u bërë vazhdimisht objekt kritikash te Milani. Por në radhët e Portugalisë, situata duket ndryshe, pasi ai së fundmi po luan me rregullsi dhe po tregohet vendimtar.

leao

Në konferencën e sotme për shtyp, vetë Leao ka folur për këtë situatë, duke e cilësuar si normale dhe ka insistuar se nuk ka asnjë problem me trajnerin e Milanit, Fonseka, edhe pse kohët e fundit ai e kishte ulur në stol.

Kostakurta, një legjendë e Milanit, së fundmi ka kritikuar kontributin tuaj, duke folur për mungesë intensiteti. Si i shikoni këto kritika?
Është e qartë se nuk jam dakord. Unë jam duke kaluar sezone të shkëlqyera te Milani. Sezoni sapo ka filluar. Natyrisht që nuk jam lojtari perfekt, ka momente në të cilat mund të bëj shumë më mirë edhe sepse jam shumë autokritik. Këto kritika nuk më lëkundin gjithsesi. Kam njerëz në Milano dhe në ekipin kombëtar që më ndihmojnë të rritem. Nga njëra anë, këto kritika më ndihmojnë, më motivojnë të rritem edhe më shumë në fushë.

Si e vlerësoni sezonin e deritanishëm?
Unë mendoj gjithmonë përpara. Jam i kënaqur me atë që kam bërë në 2 ndeshjet e fundit. Nuk mendoj për ndeshjet e mëparshme, mendoj për atë të radhës dhe tani ato këtu në kombëtare. Në përgjithësi po shkon mirë, sigurisht që mund të shkojë shumë më mirë sepse dua të bëj gjëra të mëdha me Milanin dhe me kombëtaren.

Cili është mendimi juaj për trajnerin e Milanit, Paulo Fonseka dhe vështirësitë e hasura me të?
Këto janë gjëra që ndodhin. Unë nuk kam asgjë kundër trajnerit. Është një çështje e zgjidhur. Nuk më pëlqen të jem në pankinë, më pëlqen gjithmonë të ndihmoj ekipin. Trajneri duhet të marrë vendimet. Si në kombëtare ashtu edhe te Milani, unë gjithmonë përpiqem të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin tim.

A mund të jetë kombëtarja një rrugë shpëtimi?
Pavarësisht nëse luaj mirë apo keq, më pëlqen shumë të jem te Milani. Mundohem të jap maksimumin. Nuk mendoj se kombëtarja është një rrugë shpëtimi. Ndjej shumë besim nga të dyja palët. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, ndodh që njerëzit kritikojnë. Unë jam te Milani prej pesë vitesh dhe jam mësuar me atë lloj trysnie.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"