“Nuk kemi luksin të lëmë Brojën jashtë Europianit”, Josa analizon formën e kuqezinjve: Të sigurt në sulm e kanë vendin…
Mirel Josa mendon se Armando Broja duhet të jetë medoemos në Euro 2024, ndonëse më parë i duhet që të kthehet në formën më të mirë të tij.
I ftuar në “Sport News” në “News 24”, trajneri i njohur ka analizuar lojën e kuqezinjve në dy miqësoret e marsit, duke u ndalur te paraqitjet e elementëve të veçantë në dispozicion të Silvinjos. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai theksoi se mesfusha duhej të kthehej përsëri të bënte paraqitjet e kualifikueseve, pasi kishte qenë jo në nivelin e pritshëm.
Dy ndeshje, 2 humbje, 4 gola të pësuar, asnjë i shënuar. Duhet të na shqetësojnë këto shifra?
Unë kam mendimin që shqetësim do ketë, normalisht. Njerëzit që drejtojnë ekipin e shikojnë më mirë. Më mirë që ndodhën tani, ishin ndeshje që unë u them kontrolli, jo miqësore. Në këto ndeshje kontrollohen prurjet e reja dhe gjendjet e lojtarëve.
A ndikoi presioni i listës finale në këto dy teste? Besoni se Silvinjo mori atë që kërkonte nga këto dy miqësore?
Trajneri ka parë skuadrën, ka një skuadër bazë me të cilën është kualifikuar. Në këto ndeshje nuk mund të vendosësh “vulën”, nëse do jenë ata që do i marrësh në Europian apo jo.
Nëse ndaj Kilit, ishte e vështirë të gjeje diçka pozitive, çfarë shije të la ndeshja me Suedinë?
Duke parë të dyja ndeshjet unë mund të them diçka. Në ndeshjen ndaj Kilit nuk vrapuam si duhet, ndoshta ngaqë ishte ndeshja e parë, kishte disa ndryshime. Këto ishin shumë të karikuar, por problemi ishte se kanë kohë që nuk kanë luajtur me njëri-tjetrin.
“Silvinjo tregoi se mund të ndryshojë, fituam Brojën, dhe një modul të ri taktik”, u shpreh Sokol Kushta profesor. Ju si mendoni, kemi fituar realisht një modul të ri, si t’u duk rreshtimi ndaj Suedisë?
Rreshtimi ndaj Suedisë për mendimin tim ishte një 4-3-3.
Kurioziteti ishte i madh për të parë Brojën nga minuta e parë, si e vlerësoni paraqitjen e tij?
Unë nuk mund të bëj kompetentin. Broja i duhet Kombëtares. Duke patur parasysh edhe ecurinë që ka patur ai gjatë kësaj periudhe, ka pasur shumë luhatje. Ne nuk kemi luksin që të lejmë Brojën jashtë ekipit kombëtar. Mos harroni se kemi edhe 2 muaj përpara.
“Kemi një pikë referimi në sulm, një 9”, u shpreh Sylvinho, besoni se do të udhëheqë Broja sulmin në Evropian?
Broja duhet të bëjë punën e vet. Unë mendoj se do të jetë 100 përqind, nuk kemi luksin që ta lemë jashtë. Gjatë kësaj kohe, duhet të bëjë maksimumin.
Janë dy lojtarë që janë provuar pak në këto dy miqësore, Muçi dhe Muçolli. Çfarë mendimi keni për këto dy lojtarë profesor, a mund të kenë rol në Evropian?
Nuk mund të flas unë për diçka të tillë. Unë Arbër Hoxhën e njoh pasi e kam trajnuar te Prishtina. Gjatë kësaj kohe, ka patur periudhë dëmtimi, përderisa shkoi te Dinamo e Zagrebit, mendoj që do japë më tepër. Për Muçollin nuk mund të flas. Për Muçin mund të flas shumë, ai do të jetë në ekip kombëtar që do shkojë atje.
Kemi një mbipopullim total në fazën sulmuese, në këndvështrimin tënd, kush e ka vendin të sigurt?
Cikalleshi dhe Broja do luajnë një vend të dy bashkë. Asanit nuk i hidhet poshtë kontributi. Seferi është një nga ata lojtarë që na nevojiten.
Nëse zbresim pak më poshtë, e është e kopsitur mesfusha, me dyshen Asllan-Ramadani dhe Bajramin përpara tyre? Apo mund të shohim edhe Laçin në mesfushë, ashtu siç ndodhi ndaj Suedisë?
Këta të katër nuk mund të luajnë të gjithë bashkë. Ramadani nuk lëviz nga formacioni. Asllani me kontributin që ka dhënë, e ka vendin më të sigurt. Më pas, do të diskutohen Bajrami-Muçi.
Silvinjo u shfaq i mahnitur nga Mario Mitaj. Me çfarë note do e vlerësonit paraqitjen e tij? A është gati për të bërë një hap të madh në karrierë, së fundmi është interesuar edhe Juventus?
Mitaj ka treguar personalitet të jashtëzakonshëm. Silvinjo ka qenë shumë i bindur kur e ka aktivizuar këtë lojtar. Me moshën që ka, personaliteti i këtij lojtari i përket një niveli të lartë
Nëse krahu i majtë duket i sigurt, në të djathtë këtë herë Silvinjo provoi Balliun. A ka dualizëm në këtë krah, apo Hysaj e ka vendin të sigurt?
Nuk mund të themi gjë. Janë lojtarë që luajnë në të njëjtat nivele. Varet çfarë do kërkojë trajneri dhe si do jetë gjendja e tyre.
Po qendra e mbrojtjes, shfaqëm shumë probleme në këto dy miqësore. Ismajlin apo Kumbullën, kë sheh si partner ideal të Gjimshitit?
Në krah të Gjimshitit, duhet të jetë Ismajli. Sa i takon Mihajt, bëri disa gabime, por nuk duhet t’i vendosim faj. Dje ishte një ndeshje e vështirë për të, duke patur parasysh lojën e Suedisë.
Po në portë, ka dilema, mes Strakoshës dhe Berishës, kë sheh më të avantazhuar, të dy nuk luajnë për ekipet repektive…
Nuk luajnë fare. Me gjendjen që tregoi Strakosha dje, ishte një gjë tjetër. Trajneri do të shikojë se kush është në gjendjen më të mirë. Dje Strakosha ishte perfekt.
Në këto dy teste, kë do veçoje, për mirë, dhe një lojtar që nuk të bindi plotësisht, apo ka shumë këtu…
Prisja më shumë nga Asllani në këto ndeshje. Nuk mund të them zhgënjim, por që mund të bënte më shumë. Nuk mund të flas për zhgënjime. Prisja shumë më tepër nga disa lojtarë. Skuadra u fut me mendjen që duhet të fitojë me patjetër.
A të bind ky ekip për Evropian, a mund të bëjmë ndonjë surprizë, të marrim ndonjë rezultat pozitiv?
Skuadra të shprehë lojën e vet. Të jemi si në ndeshjet eliminatore.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"