“Nuk ka qenë Botërori që prisja”, Lautaro Martinez: Kam luajtur i dëmtuar, penalltinë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 16:21

“Nuk ka qenë Botërori që prisja”, Lautaro Martinez: Kam luajtur i dëmtuar, penalltinë…

Lautaro Martinez nuk ka pasur Botërorin prej protagonisti që të gjithë prisnin, por kjo nuk e ka penguar sulmuesin që të shijojë triumfin e kombëtares së tij në Katar.

f5679c8b97e509137d1e334efc9c8304

“Është një ndjesi e pabesueshme dhe unike, një moment të cilin e ke ëndërruar gjithë jetën. Të risjellësh Kupën e Botës në atdhe 36 vite më vonë dhe të bësh të lumtur çdo argjentinas që ka kaluar shumë gjëra të vështira, është diçka shumë e veçantë. Do ta festoj dhe gëzoj këtë moment përjetë”, është shprehur sulmuesi që ka treguar se nuk ka qenë në formën optimale fizike: “Ndoshta nuk ka qenë Botërori që prisja, fizikisht kam pasur probleme në kavilje dhe nuk isha i qetë kur luaja. Por kam bërë maksimumin tim për të ndihmuar shokët sa herë që më është dhënë mundësia.

Lumturia për mua dhe familjen time është e plotë gjithsesi. Që kur kemi marrë ftesën e trajnerit për të përfaqësuar Argjentinën ka pasur një mesazh për të gjithë: grupi vjen para individit”. Duke pasur parasysh performancën e tij, Skaloni ia besoi repartin Alvarezit, që ishte një ndër faktorët kyç të Argjentinës në Botëror. “Juliani hyri në vendin tim dhe bëri shumë mirë, bëri atë që të gjithë dëshironim. Ka pasur një edicion të shkëlqyer dhe jam shumë i lumtur për të, një partner i këtij niveli të përmirëson edhe ty. Siç thashë, ky ishte mesazhi i të qenit të bashkuar, grupi ishte primar”, u shpreh për shokun e tij të repartit 26-vjeçari.

PENALLTITË – Lautaro ekzekutoi penalltinë që dërgoi Argjentinën në gjysmëfinale në atë përballje tejet të tensionuar me Holandën.

“Ndihesha i qetë, shumë i qetë, dhe kisha edhe besim. Kisha vendosur të godisja në krahun tjetër, por kur arbitri vërshëlleu dhe unë u nisa, vendosa të ndaloja para se të godisja. Pashë portierin që lëvizi disa sekonda më para dhe vendosa të ndryshoja trajektoren. Për fat portieri dhe topi shkuan në krahë të kundërt dhe shënova. Lumturia ishte e dyfishtë, pasi me atë penallti siguruam kalimin për në gjysmëfinale. Ajo që ndodhi, me holandezët që po më ngacmonin për të më provokuar dhe hutuar, ngelet në fushë. Ndonjëherë sigurisht që të gjithëve na ndodh që ta përdorim edhe këtë metodë ndaj kundërshtarëve, prandaj në ato momente duhet të jesh i qetë dhe i kthjellët”, u shpreh sulmuesi, i cili tregoi një tjetër detaj: “Unë isha i caktuari për të ekzekutuar penalltinë e pestë në finale, por nuk pati nevojë falë Montielit, i cili na e dha trofeun që në penalltinë e katërt. Si do ta godisja? Fort dhe në mes të portës, ashtu siç godiste im atë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"