“Nuk janë surprizë, janë ndërtuar për elitë e kampionë”. Ngjiti Elbasanin para 10 viteve, File: Ja ndryshimi
Në sezonin 2013-2014 Elbasani u ngjit nga Kategoria e Parë në Superiore, duke u shpallur më në fund edhe kampion. Fiks 10 vite më pas, duket se po përsëritet e njëjta histori, por kësaj here me një tjetër synim, të mos qëndrojnë në elitë vetëm një sezon.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i fundit që ngjiti futbollin e Elbasanit para një dekade në elitë, Ilirjan File, bën një krahasim mes dy epokave. Ai sheh ngjashmëri në eksperiencë, por duket i bindur se ky Elbasan nuk mund të jetë shëtitës në elitë. File tregon diferencën që ka ekipi rivalët, si dhe përgëzon klubin që i ka dhënë besimin Nevil Dedes. Në fund, ka edhe këshilla sa i përket merkatos.
Tri javë nga fundi, Elbasani është i pari. E prisnit?
Patjetër që e prisja. Nëse vjen rastësisht deri në këtë pikë quhet surprizë, por për Elbasanin ka qenë më se e pritshme. Madje, edhe vetë klubi që në fillim e ka pohuar se kanë ndërtuar një ekip për t’u ngjitur në Superiore dhe për titull kampion.
Çfarë ka pasur më shumë sesa rivalët skuadra e Elbasanit?
Janë shumë faktorë në fakt që në njëfarë mënyre kanë bërë edhe diferencën. Kryesorja janë financat, se pa to është e vështirë të bësh ekip konkurrues. Kushtet që duhen për një klub futbolli, në Elbasan kanë qenë të një niveli të Superiores. Nuk duhet harruar as përbërja e skuadrës edhe stoli, por dhe vazhdimësinë në rezultate. Çdo skuadre i ndodh të bëjë ndonjë hap fals, por me Elbasanin nuk ka ndodhur dy herë radhazi, ndaj edhe sot janë në prag të shpalljes kampion.
Sa ngjason me ekipin e para 10 viteve kjo skuadër?
Tani, ngjasimin më shumë e ka te lojtarët me eksperiencë. Ne atëherë kishim Bylykbashin, Kotorrin, Pishën, Merxhën, Dalipin edhe të tjerë me radhë. E njëjta gjë është edhe sot, ku dihet që në gjirin e vet ka lojtarë me eksperiencë. Në këtë kategori, është shumë i rëndësishëm ky faktor, pasi në disa ndeshje delikate është eksperienca ajo që vendos ndonjëherë. Tani, në krahasim me atëherë, ka edhe një staf më të zgjeruar dhe të kompletuar, që janë një ndihmë e madhe për trajnerin dhe ekipin.
Ju u ngjitët si kampion, do ia dalë edhe ky Elbasan?
Besoj se ia del. Kanë mbetur vetëm tri ndeshje dhe kanë tri pikë më shumë se sa rivali i tyre. Me atë që ka treguar deri tani, ka marrë vendin e parë dhe nuk e ka lëshuar më. Mendoj se i kanë të gjitha mundësitë që ta sjellin këtë trofe sërish në Elbasan.
Ju, pasi u ngjitët u rrëzuat sërish, si e shihni të ardhmen e ekipit aktual. Do ketë të njëjtin fat?
Jo, jo. Tani bëhet fjalë për një skuadër me një projekt ambicioz, me një bazë financiare të shëndoshë. Është krijuar edhe mentaliteti i duhur për të ecur përpara. Pra, nuk ka ndonjë krahasim me atë vit në këtë aspekt, ku pasi u ngjitëm, ramë sërish dhe pritëm 10 vite që ta përjetojmë sërish Superioren.
Dede është konfirmuar si trajner edhe në Superiore, si e shihni këtë vendim?
Çfarë mund të kërkosh më shumë nga një trajner apo stafi i tij që t’i japësh konfirmimin. Në një kampionat të fortë si ky i këtij viti u arrit objektivi shumë javë më përpara dhe janë gati për t’u shpallur kampion. Janë rezultatet ato që flasin. Është vendimi dhe gjëja e duhur, bëhet shumë mirë që së pari konfirmohet trajneri dhe më pas të nisë puna për Superioren.
Çfarë duhet të bëjë skuadra për të qenë konkurruese në elitë?
Duhen ndërhyrje në skuadër, me afrimin e lojtarëve të tjerë. Vërtetë në këtë sezon kanë bërë paraqitje pozitive, por Superiorja ka tjetër “stof”. Nuk është nevoja ta them unë, sepse klubi e ka të qartë vet. Ne shohim ekipe të nivelit botëror që çdo sezon bëjnë merkato, jo më një ekip që ngjitet një nivel më të lartë nga ai i një sezoni më parë. Megjithatë, duhet të jenë të studiuara mirë dhe të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur për të pasur kohën e nevojshme në dispozicion për t’u integruar dhe harmonizuar me pjesën tjetër të ekipit.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"