“Nuk është dështim nëse humbas titullin”, Peko Banjaja largon presionin: Pak kanë dy tituj radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 12:30

“Nuk është dështim nëse humbas titullin”, Peko Banjaja largon presionin: Pak kanë dy tituj radhazi

Botërori i Moto GP-së është futur në fazën e tij më të nxehtë, ndërsa këtë fundjavë në Malajzi do të luhet një pjesë e mirë e titullit kampion. Françesko Banjaja kryeson me 13 pikë ndaj Horge Martin, por italiani edhe pse mbetet favorit, mbetet më në presion, duke qenë se e drejton ai Dukatin zyrtar, ndërsa është gjithashtu i thirrur në apel për të mbrojtur kurorën e kampionit në klasin mbretëror. Megjithatë në prag të Çmimit të Madh të Malajzisë, piloti nga Piemonte, kërkon të largojë presionin nga vetja e tij në sfidën me rivalin spanjoll.

banjaja

“Janë të paktë ata që kanë fituar dy tituj botëror radhazi dhe mund të them se sezonin e kaluar kishte më shumë presion, sepse Dukati nuk e fitonte titullin prej vitesh. Ndërsa këtë sezon ka përgjegjësi, por kjo situatë më jep energji. Nëse nuk ia dal, nuk mund të quhet kurrsesi dështim për mua”, deklaroi Françesko Banjaja në një prononcim të dhënë për faqen zyrtare të Moto GP-së, disa ditë para garës në Malajzi.

Momenti i së vërtetës tashmë ka ardhur për Pekon dhe rivalin e tij Horge Martin, sepse me tre gara të mbetura në fund të kampionatit, çdo gabim mund të paguhet shtrenjtë, ndërsa janë vetëm 13 pikë që i ndajnë në renditje dy pilotët.

Megjithatë, Peko është i bindur se këtë vit, pasi fitoi titullin edicionin e kaluar, presioni për të është më i vogël: “Vitin e kaluar presioni ishte më i lartë, pasi Dukati ndodhej në një periudhë prej 15 vitesh pa tituj dhe peshën e kësaj e ndjeva mbi supet e mia. Ndërkohë tani është ndryshe. Ndjej gjithmonë shumë përgjegjësi, por në një mënyrë që më jep shumë motivim. Të jesh pikë referimi është diçka të bën krenar”, përfundoi Banjaja.

Pikët e para në lojë në fundjavën e Malajzisë do të jepen në garën Sprint, e cila do të startojë të shtunën në orën 08:00, ndërsa gara e madhe do të mbahet mëngjesin e të dielës në orën 07:00.

Renditja e pilotëve

1 F.Banjaja 389

2 H.Martin 376

3 M.Bexeki 310

4 B.Binder 249

5 A.Espargaro 198

6 J.Zarko 194

7 M.Vinjales 170

8 L.Marini 164

9 F.Kuartararo 145

10 Xh.Miller 144

11 A.Markez 117

12 F.Di Xhanantonio 93

13 F.Morbideli 84

14 M.Markez 81

15 M.Oliveira 76

16 A.Fernandez 67

17 A.Rins 54

18 T.Nakagami 52

19 E.Bastianini 45

20 R.Fernandez 40

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"