“Nuk e njoh Kategorinë e Parë”, Agostineli: Kjo humbje do na bëjë mirë, s’fitohet ndeshja vetëm me emra! Ja ku gabuam…
Andrea Agostineli e nisi me humbje aventurën e tij te Flamurtari. Vlonjatët u mposhtën me rezultatin 1-2 nga Burreli i Ditmar Bicajt. Në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “RTSH Sport”, pas ndeshjes, trajneri italian u shpreh:
“Nuk bëmë ndeshjen që duhet të bënim. Morëm 2 gola që nuk duhet ti merrnim. Kur bën gabime kaq të mëdhaja, do të thotë që nuk është ditë e mbarë.
Jam i zhgënjyer sepse nuk mendoja se do të humbisnim. Ky është një kampionat i veçantë. Duhet të kesh gjithmonë kujdesin për 95 minuta. Sot kam kuptuar gjëra më të rëndësishme. Do fillojmë të punojmë për t’i përmirësuar.
Kjo humbje duhet të na bëjë mirë, për ta kuptuar se vetëm me emra nuk fitohet. Më mirë që erdhi në javën e parë. Duhet të kuptojmë që do të bëjmë ndeshjen e jetës. Duhet të përshtatemi me këtë tip kampionati.
Unë nuk dua shumë kohë, mendoj që ne po punojmë mirë. Problemi i vetëm është se na kanë ardhur lojtarë të mirë, por kanë ardhur me vonesë dhe jo të gjithë njëherësh.
Unë kur fus në fushë një ekip, mendoj që kam futur ekipin që ka më shumë mundësi për ta fituar ndeshjen. Krijuam, por nuk më pëlqyen gabimet që bëmë në fazën mbrojtëse.
Nuk e njoh këtë kategori. Më bëri mirë kjo humbje për ta kuptuar këtë kategori. Duhet ta kuptojmë çfarë ndodhi sot për të ardhmen. Të gjitha ekipet do të mbyllen. Duhet të jemi të mirë, për ta kontrolluar ndeshjen.
Në momentin që e humbet një ndeshje, trajneri ka faj normale. Edhe kur fiton i merr meritat trajnerit. Sot mund të diskutojmë shumë gjera. E rëndësishme është të rimëkëmbemi menjëherë.
Nuk mund të ndryshoj mendim vetëm nga një ndeshje. Realiteti na la të kuptonim që meritojmë kritikat me të drejtë. Futbolli është i ndërtuar kështu. Do mundohemi të përmirësohemi, për të bërë rezultatet”, u shpreh Agostineli.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"