Noah Lajls, sekretet e mbretit të ri të sprintit
Njeriu më i shpejtë në botë tashmë është Noah Lajls, kampion olimpik në “Paris 2024” në garën e 100 metrave. Amerikani 27-vjeçar, me fytyrën e një reperi dhe me një zinxhir në qafë si Ljuis Hamilton, është sprintieri më i famshëm në botë, siç tregohet edhe në një dokumentar të “Netflix” për vrapuesit, teksa dallohet nga të gjithë të tjerët.
Lajls kishte mbërritur në Paris si favorit, por nëse gara do të kishte përfunduar pas 90 metrash, ai nuk do ta kishte rrëmbyer kurrë medaljen e artë. Por falë kërcimit mahnitës në fund, ai triumfoi me 5 të mijtat e sekondës, në një garë të vendosur me fotofinish. Adidas e kishte nuhatur mirë disa muaj më parë, duke nënshkruar një kontratë deri në vitin 2030 me amerikanin, e cila u cilësua si më e pasura që nga koha Usain Bolt, figura e fundit e madhe e shpejtësisë globale.
Lajls e solli medaljen e artë në 100 metra në shtëpi, teksa amerikani i fundit që e fitoi ishte Gatlin në “Athinë 2024”, saktësisht 20 vjet më parë, por ky është vetëm fillimi i misionit të tij olimpik, pasi ai në 200 metra është favoriti absolut për një tjetër medalje ari, ndërsa më pas presin stafeta 4×100 dhe ndoshta edhe 4×400. Kështu Lajls mund të hyjë në histori me katër medalje të arta si Xhesi Ouens dhe Karl Ljuis.
PALMARESI, MESAZHET DHE GARA
Medalist i bronztë në “Tokio 2020”, gjashtë tituj botërorë në shtëpi, Lajls nuk është gjithsesi tipi që ndalet në pistë. Ai shkroi dhe këndoi një këngë të quajtur “Një jetë e zezë”, njësoj si Ljuis Hamilton: “Titujt dhe medaljet janë një mënyrë për t’u dëgjuar dhe për t’u dhënë zë të tjerëve”, është mesazhi Lajls, ndërsa domethënës ishte edhe postimi i tij motivues në rrjetet sociale pas triumfit: “Kam astmë, alergji, disleksi, mungesë përqendrimi, ankth dhe depresion.
Por unë do t’ju them se ajo që keni nuk përcakton se çfarë mund të bëheni”. Lajls vrapoi me një mesatare prej 36.79 km/h në finalen më të shpejtë të 100 metrave në histori, aty ku të tetë atletët e mbyllën garën me kohë nën 10 sekonda. Laljs nuk kishte një start të mirë, me një kohë reagimi prej 0″178, më e ngadalta e grupit, por tregoi se të “djegësh” rivalët në start nuk është gjithçka. Deri në 40 metra ai ishte i fundit, pas 50 metrave vetëm i shtati.
Por më pas ai filloi të fluturonte edhe pse realisht ishte në epërsi vetëm në vijën e finishit. “Ishin momente absurde, ne ishim të gjithë aty duke pritur të kuptonim. Kalova nga zhgënjimi në eksitim në çastin kur pashë emrin tim, ishte një tronditje. Ari ishte i imi, kampion isha unë, në garën më të rëndësishme, në skenën më të rëndësishme”, rrëfeu Lajls pak minuta pas triumfit. Megjithatë, ai shkoi te xhamajkani Tompson për ta komplimentuar: “Kam shumë respekt për të. E dija se do të ishte e vështirë, por nuk isha nervoz, isha jashtëzakonisht kureshtar të shihja se çfarë do të ndodhte dhe çfarë mund të bëja. Kam punuar tre vjet për të arritur këtu.
Pjesa tjetër u bë nga atmosfera e jashtëzakonshme, nga publiku që më dha një vrull energjie”, deklaroi kampioni amerikan, i cili përsëriste prej vitesh: “Do ta fitoj arin olimpik”, ndërsa tani ai mund ta shijojë vërtet këtë arritje. Por më këtë arritje të arkivuar, Lajls sheh përpara. Vetëm Ljuis dhe Bolt kanë fituar dy edicione radhazi të 100 metrave, ndërsa kampioni më i ri olimpik sprintit do të provojë, edhe pse në moshë 31-vjeçare në Los Anxheles duket një mision thuajse i pamundur për të qenë ende më i shpejti në botë.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"