“Një i Romës ishte tërësisht nudo në korridor”, Lotito tregon përplasjen me Murinjon: Nuk kam shtrënguar duart me të
Përplasjet pas derbit mes Lacios dhe Romës kanë përfshirë edhe presidentin e bardhekaltërve, Klaudio Lotito, si dhe trajnerin e verdhekuqve, Zhoze Murjnjon. Një situatë që është tensionuar mes të dyve, të cilën e ka shpjeguar vetë Lotito në “Radio 1”.
“Kam festuar derbin si të gjithë momentet e tjera, ndeshjet fitohen apo humben, por ka kënaqësi të madhe nga skuadra dhe mbështetje nga tifozët” tha fillimisht ai, para se të ndalej te përplasja me Murinjon.
“Unë jam person i cili preferoj që të kenë respekt. Nuk kam thënë fjalë, pashë një zënkë mes një lojtarit tim dhe një të Romës. Një gjë të tillë nuk e përtypa dot, pra që të kishte një lojtar të Romës tërësisht nudo në korridorin e stadiumit.
Unë u ndala dhe Murinjo më ulëriti “çfarë ke që sheh!”. Mendova se ndoshta nuk e kishte kuptuar që isha presidenti i Lacios dhe ia specifikova, ai e shtoi dozën. Nuk i kam thënë asnjëherë që nuk mund të rrinte aty, por vetëm kush isha unë. Nuk kam shtrënguar duart me të pasi nuk u zura me askënd, është një problem rolesh që duhen respektuar. Ndeshja ishte Lacio-Roma, Roma ishte mysafire. Është njëlloj sikur në shtëpinë tënde të vijë një i ftuar dhe të sillet në një mënyrë të caktuar”, shpjegoi Lotito këndvështrimin e tij mbi atë që kishte ndodhur në ambientet e brendshme të stadiumit “Olimpico” pas derbit të fituar 1-0 nga skuadra e tij.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"