Nga Turbina, Veleçiku, Tërbuni te Gramshi, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 21:14

Nga Turbina, Veleçiku, Tërbuni te Gramshi, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Turbina është gati për startin e sezonit 2024-2025, ku të dielën pret Devollin në stadiumin “Nexhip Trungu”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i cërrikëve, Xhynejt Çutra, u shpreh: “Kemi bërë një fazë të mirë përgatitore dhe gjithashtu dhe një merkato po të mirë.

kategoria-e-dyte

Kjo gjë më kënaq shumë dhe më bënë optimist për këtë sezon, që pritet të jetë i vështirë dhe i fortë. Të dielën luajmë në fushën tonë dhe përballë do të kemi Devollin, që do ta mundim me çdo kusht. Turbina kërkon që ta nisë mbarë kampionatin, pasi për ne do të thotë shumë fitorja në start. Objektivi ynë është ngjitja në Kategorinë e Parë dhe do të bëjmë çmos që të rikthemi aty”. MARIGLEN MIRAKA

Veleçiku, drejtori Rexha tregon synimin

Skuadra koplikase mbylli minifazën përgatitore dy javore. Në prag të javës stërvitore për sezonin e ri Veleçiku zhvilloi  edhe ndeshjen e tretë miqësore, ku u përballën me Veleçiku U-17. Takimi u fitua nga ekipi i parë me rezultat 7-0. Drejtori Sportiv i Veleçikut, Nuri Rexha, për “Panorama Sport” u shpreh: “Në fazën e parë synojmë të renditemi në mesin e tabelës. Ndërkohë që në janar do të kemi një tjetër objektiv”. Ai pohon se, ngjitja në të Dytën e Basanias dhe krijimi i klubit “Shiroka” ka bërë që disa futbollistë të largohen në drejtim të tyre. “Gjithsesi, grupi që kemi do t’ia dalë mbanë. Unë kam shumë besim te futbollistët që kemi në dispozicion”, e mbylli Rexha. BASHKIM RAMEKAJ 

 

Tërbuni/Apeli i Gjonit për ngritjen e futbollit pukjan

Frrok Gjoni, ish-futbollisti i Tërbunit në vitet ’80-’90, për “Panorama Sport” u shprehet se i vjen keq që skuadra pukjane militon në Kategorinë e Dytë. “Kam besim te drejtuesit këtë sezon do ta ngjisin Tërbunin aty ku ne duam, në të Parën”, u shpreh Gjoni. Në të njëjtën linjë besimi janë edhe drejtuesit dhe ish-drejtuesit e futbollit pukjan ndër vite.

“Tërbuni duhet ta vlerësojë maksimalisht takimin startues dhe t’i marrë tri pikët, për ta nisur mbarë sezonin. I bëj thirrje bashkisë të krijojnë grupmoshat e Tërbunit nga 13 deri në 19 vjeç, që të furnizohet ekipi i parë. Kemi pukjanë që po luajnë në skuadra të tjera. I ftoj të afrohen dhe të kontribuojnë për ekipin e vendlindjes së tyre”, u shpreh Gjoni.  GANI PEMA

GRAMSHI

Gramshi do të udhëtojë në fundjavë më Kuçovë, ku do të përballet me Naftëtarin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi Klajdi Topalli tha: “Sezonin e ri e nisim në transfertë, një sfidë jo e lehtë kundër Naftëtarit. Jemi përgatitur shumë për këtë takim, ku synojmë fitoren. Do të jetë diçka e bukur nëse e nisim mbarë sezonin. Jemi përforcuar shumë në merkaton e verës dhe jemi gati për ta përballuar sezonin. Synimi ynë është ngjitja në Kategorinë e Parë”. MARIGLEN MIRAKA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"