Nga trajneri tek rinovimet dhe afrimet, Laçi i sezonit të ardhshëm mbetet ende “i panjohur”
Për Laçin e sezonit të ardhshëm nuk dihet shumë.
Nuk ka një konfirmim zyrtar së pari për trajnerin Armando Cungu, i cili e drejtoi këtë skuadër sezonin e fundit, duke e shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë nëpërmjet ndeshjes shtesë me Flamurtarin. Pas mbylljes së sezonit që shkoi ka rinovuar braziliani Melo, një titullar shumë i rëndësishëm për kurbinasit. Në anën tjetër janë larguar mesfushorët Klinti Qato dhe Altin Kryeziu.
Pothuajse i larguar është edhe Serxho Ujka, një lojtar që kërkohet nga disa skuadra në vend. Nëse ikën edhe ai, te Laçi hapet një gropë e madhe në mesfushë, pasi largohet treshja titullare e këtij reparti. Për afrime të mundshme nuk ka asnjë informacion nga klubi, që së pari duhet të ruajë pjesën tjetër të titullarëve për të mos e komplikuar më shumë situatën.
Përgatitjet për sezonin e ri laçianët mund t’i fillojnë javën e ardhshme. Ndërkaq, pas rikthimit në fushë mund të zbulohet diçka më shumë për ekipin e sezonit të ri.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"