Nga titullar në zgjedhje të dytë, skema e Bordin “djeg” Bedri Grecën
Pauzat mund të shërbejnë edhe për të bërë reflektime. Tek Elbasani është koha e duhur për ta bërë një gjë të tillë, duke qenë se shumë gjëra nuk po shkojnë ashtu siç duhet.
Mungesa e fitoreve është kthyer në një problem më vete dhe sado që Bordin po përpiqet të ndryshojë diçka në skuadër nuk po ia del dot, duke bërë që rrjedhimisht verdheblutë të zbresin në klasifikim dhe të humbasin jo pak me ekipet e kreut.
Pas pushimeve të Kombëtares, verdheblutë do të presin në shtëpi Tiranën, një test i vërtetë për të parë nëse verdheblutë do të ndërrojnë “marsh” apo do të qëndrojnë në vend.
“FIKJA” E “BOMBERIT” – Sezonin e kaluar Elbasani kishte gjithnjë një lojtar që i nxirrte nga situata dhe që mbante mbi supe peshën e sulmit dhe të shënimit të golave. Bëhet fjalë për Bedri Grecën. Edhe këtë vit, u mendua që 34-vjeçari do të kishte një rol kyç në skuadër në fazën ofensive, por herë dëmtimet dhe herë skema e përdorur, kanë bërë që ai të dalë “jashtë loje”.
Thuhet kështu, pasi dihet që Bordin luan me një skemë 3- 5-2, pa sulmues anësorë, siç është roli i Grecës, në njëfarë mënyre duke e “djegur”. Edhe kur ka qenë në pankinë dhe skuadra në ndeshjet e fundit ka pasur nevojë për të shënuar, sërish sulmuesi nuk është preferuar të futet në fushë.
Sigurisht, Greca ka vuajtur disi nga dëmtimet deri më tani, por edhe kur ka qenë i gatshëm për skuadër, nuk i janë dhënë minuta në fushë, pasi deri më tani ka luajtur në vetëm gjashtë takime me 318 minuta në total, duke mos shënuar asnjë gol. Mbetet për t’u parë nëse italiani do të reflektojë dhe të ndryshojë diçka, sepse golashënuesi i edicionit të kaluar nuk po përdoret, në një kohë që problemi më i madh i ekipit në këto javë është gjetja e rrjetës.
PANKINA JO EFIKASE – Elbasani ishte një nga skuadrat që bëri merkaton më të madhe këtë edicion, duke afruar shumë lojtarë dhe përpos titullarëve, në letër ka edhe një pankinë të pasur. Mirëpo, në 13-të javë kampionat, kontributi i atyre që kanë hyrë si zëvendësues ka qenë shumë i vogël.
Vetëm në dy ndeshje kanë shënuar lojtarë që janë futur nga stoli. Bëhet fjalë për Ze Gomesh në fitoren ndaj Laçit dhe Arsen Lleshi në atë ndaj Bylisit. Të dyja sfidat u mbyllën minimalisht 1 me 0 në favor të Elbasanit, pikërisht me rrjetat e atyre që hynë në fushë nga pankina.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"