Nga statistikat tek notat e skuadrave, zbuloni formacionin më të mirë dhe më të dobët për javën e 14-të të Superiores
Vetëm tetë gola u shënuan në ndeshjet e javës së 14-të, ndërsa pati 16 ndëshkime me kartonë të verdhë. Tre prej kartonëve më të çuditshëm erdhën nga stoli, pasi për protesta ndaj vendimeve të arbitrave, u ndëshkuan trajneri i Erzenit, Alfred Deliallisi, trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, si dhe mesfushori i Laçit, Uilliam Melo.
* Sulmuesi i Vllaznisë, Ildi Gruda, shënoi golin e parë me fanellën kuqeblu dhe pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, Teutës. Skuadra shkodrane kishte 9 vite pa fituar në transfertën e Durrësit.
* Egnatia është rikthyer në krye të renditjes e vetme, me dy pikë më tepër se Partizani ndjekës. Skuadra rrogozhinase, e drejtuar nga Edlir Tetova, ka një ecuri fantastike në ndeshjet në transfertë, duke mos pësuar asnjë humbje, ndërsa ka pesë fitore dhe dy barazime.
* Kukësi-Skënderbeu prodhoi katër gola, ndërsa në fund u mbyll 2-2. Ky takim u zhvillua në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet me Kukësin pritës, për shkak të rreshjeve të dëborës në qytetin verilindor.
NOTAT E SKUADRAVE:
ERZENI 8 – Të mundësh Tiranën dy herë nuk është e lehtë as për skuadrat që synojnë titullin këtë sezon, ndërsa shijakasit dhanë sërish leksione, këtë herë në fushën asnjanëse të Rrogozhinës, duke mundur bardheblutë.
Shpirti i lartë i garës që kanë lojtarët e Erzenit dhe mbi të gjitha dëshira për të dalë me tri pikë, bëri diferencën në një ndeshje ku Tirana provoi me të gjitha mënyrat të barazonte, por shijakasit kishin edhe fatin me vete, pasi VAR anuloi dy gola.
EGNATIA 8 – Rrogozhinasit dinë të fitojnë në Laç më mirë se çdo skuadër tjetër dhe këtë e kanë konfirmuar tri sezonet e fundit. Të besuarit e Edlir Tetovës treguan një pjekuri për t’u admiruar ndaj kurbinasve, duke goditur këta të fundit dy herë në momentet më delikate të takimit. Tashmë kryesojnë të vetëm me meritë, duke përfituar edhe nga barazimi i Partizanit në derbin me Dinamon.
VLLAZNIA 7.5 – Më në fund fitore dhe e para për trajnerin Qatip Osmani në katër ndeshje që drejton shkodranët. Ndeshjen në Durrës e zgjidhi sulmuesi Ildi Gruda, i cili gjithashtu gjeti golin e parë sezonal si kuqeblu, duke thyer edhe një ters për ekipin, pasi prej nëntë vitesh, Vllaznia nuk merrte dot tri pikë në stadiumin “Niko Dovana”.
DINAMO 6 – Me Mehmetin ka gjetur ekuilibrat dhe atëherë kur nuk fiton, të paktën mbrohet mirë dhe nuk pëson gol, duke marrë një pikë të rëndësishme ndaj Partizanit. Blutë i patën mundësitë të shënonin me brazilianin Denison, por edhe këtë herë mungoi shënjestra para porte.
KUKËSI 6 – Tregon forcë karakteri ndaj Skënderbeut, pasi nga 0-2 në pjesën e parë, ia del të barazojë në të dytën me dy goditje standarde. Në fund mund të kishte bërë edhe përmbysjen e madhe, por mënyra se si shkoi ndeshja për kuksianët, një pikë mund të konsiderohet pozitive.
SKËNDERBEU 5.5 – Bën “vetëvrasje” ndaj Kukësit, në një ndeshje që e kishte në dorë, madje mund të shkonte edhe 0- 3, por nuk diti ta administrojë në pjesën e dytë, duke e cilësuar të mbyllur para kohe.
PARTIZANI 5.5 – E nisi vrullshëm në derbin ndaj Dinamos, ashtu si thuajse në çdo takim të këtij sezoni, por golin më tepër e kërkoi me goditje nga jashtë zone, por portieri i bluve, Sali, ishte në një ditë të shkëlqyer dhe reagoi mirë në çdo tentativë të të kuqve.
TIRANA 4 – Raste të shumta, 2 gola të anuluar, një shtyllë dhe në fund humbje ndaj Erzenit. Bardheblutë e pësuan nga një goditje nga këndi dhe më pas, volumi i madh i lojës që bënë, nuk iu solli as barazimin. Kjo, edhe për meritë të portierit të shijakasve, Hasanbelli.
TEUTA 4 – E pëson që në start nga një vendosje jo e mirë e mbrojtësve Kruja dhe Qaqi, ndërsa më pas, bën pak për të shkuar te barazimi. Rastet i ka me pikatore dhe konfirmon se është një ekip në krizë.
LAÇI 4 – Moment i keq për kurbinasit, që pasi shpërdorojnë ndaj Egnatias, humbasin edhe pikën e fortë që kanë pasur, agresivitetin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"