Nga spitali në fushë, Marin Abazaj: E doja atë gol! Babai më ngacmoi pas ndeshjes…
Nuk është e para herë që ndodh të shënohet gol në frymën e fundit, por që t’ia dalësh tri ditë pasi ke lënë spitalin, mund të quhet rast i pazakontë. Kështu ngjau me Marin Abazajn, që vinte nga sëmundja.
Mesfushori u fut një çerek ore nga fundi i lojës dhe ndëshkoi Besëlidhjen në të 95-ën, duke i dhënë një trepikësh të çmuar Pogradecit. Veç ekipit, nderoi edhe babain-trajner. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai na rrëfen se çfarë i ka ndodhur javën e fundit dhe atë që i tha i ati.
Gol në “frymën e fundit” dhe Pogradeci fitoi. Si ndihet Marini?
Kjo do të thotë që po i bëjmë detyrat ashtu siç duhet në fushën e lojës.
I dhatë fitoren Pogradecit dhe nderuat babain. Çfarë ju tha pas golit?
Si fillim më përqafoi. Më pas filloi të bënte shaka dhe e mbylli në fund me shprehjen: “E paç me dritë faqen”.
E kishte menduar që do të shënonit dhe si u ndiet?
Nuk mund ta përshkruaj dot se çfarë ndjesie ishte. Mund të them se është emocioni më i bukur që kam përjetuar në futboll.
Kur dolët në nxehmje, i kërkuat zv.trajnerit që t’i thoshte babait tuaj t’ju fuste në lojë. Ndiheshit gati, pasi vetëm 3 ditë më parë kishit lënë spitalin?
Gjendja fizike nuk ka qenë e mirë, sepse 3 ditë të javës nuk u stërvita dhe isha në spital. Por kjo pjesë ishte një motiv më shumë për mua, më dha më shumë forcë.
A do të dijë ta ruajë këtë ritëm Pogradeci?
Shpresoj që të vazhdojmë në këtë rrugë që jemi.
Ju si e shikoni skuadrën, në krahasim me skuadrat e tjera?
Dua të them vetëm se unë që në momentin që jam rikthyer, kam parë një ekip me dëshirë dhe me grintë për të shkuar sa më lart dhe të fitojë sa më shumë.
A premtoni gola të tjerë?
Shpresoj që të ketë të tjerë, por mbi të gjitha të rëndësishme janë rezultatet e ekipit.
REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"