Nga portieri Simoni, te ylli i ri që po shkëlqen te Çelsi. Cungu publikon listën për miqësoren me Italinë
Trajneri i përfaqësues shqiptare U19, Armando Cungu, ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen miqësore që Shqipëria do të luajë të mërkurën e ardhshme në Koverçiano ndaj Italisë.
Tekniku ka bërë një përzgjedhje duke bashkuar futbollistë të skuadrave shqiptare me lojtarë të cilët aktivizohen në akademitë e klubeve të njohura në Europë. Bie në sy se nga radhët e kampionatit shqiptar, i grumbulluar është portieri i Dinamos, Simon Simoni.
Ndërkaq, nga kampionatet e huaja, të ftuar janë edhe emra si Daniel Hysaj, kushëriri i mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Mateo Çipi, djali i ish-mbrojtësit Geri Çipi apo edhe Alesio Vrioni, vëllai i Xhiakomo Vrionit. Të gjithë futbollistë të cilët kanë spikatur me lojën e tyre në klubet përkatëse dhe që kanë qenë edhe më parë pjesë e grumbullimeve kuqezi.
Një vëmendje e veçantë do të jetë për sulmuesin Renaldo Torraj, një lojtar i cili po ecën në gjurmët e Brojës në radhët e akademisë së Çelsit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"