Nga porta në sulm, trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë u jep “dajak” lojtarëve në analizë: Vetëm grintë nuk pashë
Lorenc Pashja ngre zërin. Barazimi ndaj Burrelit i ka “djegur” shumë trajnerit, ndaj edhe nuk është kursyer fare gjatë analizës që zhvilloi dje. Para se të zbrisnin në fushë, peqinasi i ka mbledhur lojtarët në qendër të fushës dhe më pas ka nisur të flasë.
Tonet kanë qenë të ashpra dhe kritike për të gjithë, nga porta e deri në sulm. Gazeta “Panorama Sport” ka zbardhur diçka rreth asaj që është thënë nga tekniku:
“Ndihem shumë i zhgënjyer nga ajo çfarë dhamë ndaj Burrelit. Nuk pashë as gjysmën e asaj grinte, lufte, dëshire që shfaqni çdo ditë në stërvitje. Më habiti fakti se përballë kishit një ekip të dobët, që mendonte vetëm të mbrohej.
Nuk pashë atë qarkullim topi, ato dyluftime për topin e parë që kemi bërë çdo ditë në stërvitje. Madje edhe në miqësore më keni kënaqur… apo menduat se meqë Burreli nuk po na sulmonte, kishim kohë e minuta për të fituar. Ja që nuk u ‘doli’ koha dhe humbëm dy pikë ndaj një kundërshtari që na rivalizon.
E kuptoj se shumë prej jush patët debutimin dhe ndoshta mosha e re, dëshira për të mos gabuar në lojë e pasime ju frenoi disi, por nuk jam dakord me pjesën që nuk treguat grintën që prisja. Tani dua të dëgjoj nga secili prej jush përse nuk dhatë atë lojë që prisja…?”.
AUTOKRITIKA – Pas pyetjes që bëri trajneri, të gjithë lojtarët kanë shprehur mendimet e tyre. Në stërvitje ishin edhe dy futbollistët që nuk luajtën për shkak dëmtimi, si Skerdian Perja dhe Myslim Ramilli.
Ky i fundit nuk ka ngurruar që të marrë fjalën dhe “shkund” të rinjtë. “Kam frikë se shumë prej jush ‘kishin frikë’ të fitonin pasi si ndeshja e parë zyrtare mu duk sikur ishit mbuluar nga emocionet dhe frika për të mos gabuar.
Gjithnjë ka një herë të parë dhe duhet të ndodhte e kundërta, ju duhet të sakrifikonit e luanit fort pasi jeni të gjithë të rinj. Besoj se mundësitë vlerat në grup janë, ndaj le të na shërbejnë ky barazim si një autokritikë e fortë. Në javët në vijim duhet të luajmë fort, pasi përballë nuk kemi lojtarë me cilësi më lart se ne, por thjesht kolegë që kryejnë me fanatizëm detyrat dhe luajnë me shpirt për çdo top”, tha mbrojtësi Ramilli, duke i dhënë fund kësaj analize.
Më tej grupi është rikthyer në stërvitje dhe me sa u pa efekti i kësaj analizë u dha teksa u shfaq një dëshirë e grintë më e madhe se herët e tjera. Besën e pret në fundjavë një sfidë tejet e vështirë si ajo ndaj Flamurtarit dhe pritet të shihet reagimi i të besuarve të Lorenc Pashjes.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"