Nga porta në sulm, Italia rikthehet e frikshme në Europë
Kanë kaluar vetëm tre muaj e gjysmë nga disfata e Kampionatit Europian ndaj Zvicrës, por duket si një epokë.Italia pa lojë, me pak ide dhe pak frymë është transformuar plotësisht në Ligën e Kombeve dhe fitorja kundër Izraelit është një tjetër konfirmim i kthesës “Axurre” që tani po bën të dridhen rivalët kontinentalë. Është e vërtetë që kundërshtari i fundit ishte larg të qenurit i frikshëm, por lëvozhga e bananes është gjithmonë pas cepit dhe shmangia e saj duhet parë si meritë. Spaleti ka marrë indikacione të mira nga senatorët e zakonshëm, por ai gjithashtu mund ta shikojë të ardhmen (Kupa e Botës 2026) me optimizëm sepse ka lojtarë të rinj cilësore e interesantë dhe ata dalëngadalë po shfaqen. Ndeshja kundër Izraelit konfirmoi rilindjen e Di Lorencos pas dështimit në Gjermani, rritjen e Reteguit dhe rëndësinë kapitale të Fratezit, gjithmonë i zoti në zbritjet zonale dhe golashënuesi më i mirë nën drejtimin e Spaletit me 7 gola.
PARAQITJE PREJ KAPITENI – Pankina e Donarumës i dha shiritin e kapitenit dhe Di Lorenco nuk zhgënjeu, duke dëshmuar edhe një herë se kampionati i keq europian në Gjermani ishte thjesht një hap fals i pakëndshëm. Mbrojtësi i Napolit, i ringjallur gjithashtu nga trajtimi i Antonio Kontes, është një lojtar plotësisht i rikuperuar që tashmë është një garanci si i tretë i një mbrojtjeje me tre lojtarë. Duke parë se izraelitët bënë shumë pak në sulm, mbrojtësi i Spaletit u lëshua në pjesën e dytë me një dygolësh historik, duke treguar pjesët më të mira të repertorit të tij: goditjen me kokë dhe nga jashtë zone. Dy gola të bukur dhe të rëndësishëm që qetësojnë kritikat e shumta të marra në verë.
PROBLEMI I BOMBERIT – Një tjetër lajm i mirë për Spaletin vjen nga çështja delikate e numrit 9. Kur gjuri i Skamakës kërciti në gusht, trajneri sigurisht nuk e pati të lehtë. Tani ai mund të flejë më i qetë falë Reteguit, pikërisht sulmuesit që zëvendësoi Skamakën fatkeq edhe te Atalanta. Pas Belgjikës, italo-argjentinasi u përsërit në Udine, por golat janë vetëm qershia mbi tortë e një pune 360 gradëshe në fushë. Sepse Retegui nuk është vetëm një finalist i pamëshirshëm në këtë moment, por edhe një njeri skuadër sepse është i pari që bën presion e kërkon kombinime me shokët. Problemi shekullor për të pasur një numër 9 adekuat duket i zgjidhur, por le të mos e themi me zë të lartë duke pasur parasysh dështimet e shumta të viteve të fundit italiane.
TËRËSI POZITIVE – Ndër notat pozitive është edhe Fratezi, i cili, pavarësisht se nuk dhuroi një paraqitje të paharrueshme, u konfirmua si golashënuesi më i mirë nën drejtimin e Spaletit: goli i tij i 8-të për kombëtaren erdhi me Izraelin, i 7-ti nën drejtimin e komisarit teknik aktual. Nga lojtari më i qortuar te lojtari i domosdoshëm, ishte një hap i shkurtër. Mesfushori lufton për të gjetur hapësirë te Interi, por është një pikë fikse për kombëtaren. Paradokset e futbollit modern. Krahas tij, Riçi po rritet dukshëm, pasi ka fituar derbin kundër homologut juventin, Faxholi. Lojtari i Torinos ka një vizion të shkëlqyer të lojës dhe është në gjendje të menaxhojë ritmin. I shkëlqyer ishte edhe Udoge, tashmë zëvendës Dimarko dhe debutimi i Daniel Maldinit, i cili para syve të babait Paolo dhe mamasë Adriana, në pak minutat e luajtura pati gisht në golin e katërt italian. Në nëntor mjafton një pikë e vogël mes Belgjikës dhe Francës për të ecur përpara në Ligën e Kombeve dhe për të shpresuar për një short më dashamirës për Botërorin 2026 që është objektivi real pas pjesëmarrjes së munguar në 2018 dhe 2022. Një turp që grupi “Axurr” dëshiron të fshijë me fitore dhe paraqitje të shkëlqyera…
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"