Nga objektivat tek idhujt, rrëfimi special i Pavar: Me Interin vetëm për trofe, gjeni si Mesi…
Benzhamë Pavar pritet të jetë një nga shtyllat e Interit, edhe pse mbrojtësi i mbërritur nga Bajern Mynihu nuk e ka blinduar ende vendin e titullarit në të djathtë, aty ku pronar është Mateo Darmian. Rrëfimin për “DAZN”, 27-vjeçari e ka nisur duke zbuluar vendimin për të lënë Bundesligën për Serinë.
“E kam ndjekur prej kohësh futbollin italian, kam shumë miq që luajnë këtu. Për mua është një kampionat i fortë taktikisht, ndiej se mund të mësoj shumë gjëra këtu. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi të madh që është Interi. Unë luaj futboll për të fituar trofe, në fund të karrierës sime do të jem krenar për veten kur të shikoj të gjithë trofetë që do të kem fituar.
Shpresoj se do të ketë akoma shumë që më presin, sepse jam dikush që kam uri për të fituar trofe. Dhe do të doja të fitoja disa tituj edhe me Interin, të festoj titullin në fund të sezonit dhe të vendos yllin e dytë në fanellën time”, ka thënë francezi që më pas ka treguar një sërë detajesh, nga preferenca e tij për rolin te krahasimi me Mesin dhe idhujt e tij.
Zgjodhët të braktisni Gjermaninë.
Kisha shtatë vite në Gjermani, ndjeva se kishte ardhur koha për një sfidë të re. U shfaq Interi, një klub me një histori të madhe të shkruar nga legjenda si Havier Zaneti, i cili edhe sot punon për klubin dhe për të cilin kam shumë respekt.
Për mua ishte shumë e thjeshtë, Interi u paraqit me të njëjtat ambicie si unë, pra për të fituar sa më shumë trofe. Shpresojmë të festojmë sa më shumë fitore dhe trofe në fund të sezonit së bashku me tifozët tanë.
Si ndiheni në rolin tuaj aktual?
Pozicioni im i preferuar është si qendërmbrojtës në një mbrojtje me tre lojtarë dhe këtu ndihem rehat. Të gjithë e dinë që mund të luaj në të djathtë, por nuk është aty ku ndihem rehat. Unë jam tek Interi që të mund të shprehem në rolin që preferoj, të sjell përvojën time. Jeni kampion bote, pas triumfit në Rusi. Kur përjetoni këto emocione, kur fitoni trofeun më të bukur dhe më të rëndësishëm ndonjëherë, ju ende dëshironi të përjetoni gëzime të ngjashme me tifozët.
Ju vini nga veriu i Padë Kale ku u filmua “Down in the North”, çfarë do të thotë për ju?
Unë jam një Ch’ti (term me të cilin përcaktohen banorët e zonës) nuk kam theks si të tjerët por jam krenar që vij nga veriu i Pa dë Kale. Jam tifoz i të gjitha klubeve të rajonit, kam miq që luajnë në ekipe amatore. Jam krenar që jam verior, për mua do të thotë familje, miq, klubi im i vjetër. Për mua t’i shoh përsëri ata është diçka shumë e rëndësishme. Kur u largova lashë një vend me miq e familje dhe për çdo problem thërrisja prindërit.
Por vendosa të largohesha për t’u rritur si njeri dhe si futbollist. Shkova në Shtutgart, një klub i shkëlqyer me të cilin kam lidhje të forta ende. Nuk ka qenë shpesh e lehtë, u largova i ri, por kjo eksperiencë më ka berë të rritem. Prindërit e mi vijnë shpesh të më shohin edhe në “San Siro”, janë shumë të rëndësishëm për mua. Të qenit fëmijë i vetëm nuk ka qenë e lehtë por dua t’i falënderoj për gjithçka që kanë bërë për mua, nëse unë jam këtu sot, meritat u shkojnë atyre.
Dikur keni thënë: “Unë nuk e kam talentin e Mesit, por jam i fortë mendërisht”. Aspekti mendor është thelbësor për një futbollist?
Absolutisht po, për një futbollist të nivelit të lartë është pikërisht kështu. Unë nuk jam një gjeni futbolli si Mesi, por jam një djalë që kam punuar gjithmonë. Askush nuk më ka dhënë asgjë, gjithçka e kam fituar me punën time. Madje në momentet e vështira nuk u dorëzova kurrë. Këtë ia kam borxh babait tim që kishte forcë të madhe mendore, për mua është e rëndësishme ta kem këtë mentalitet në momente të mira dhe më pak të mira, është çelësi për të pasur një karrierë të madhe.
Ndaj Argjentinës së Mesit keni shënuar një supergol në 2018-ën.
Një moment unik, për mua, për ekipin dhe për të gjithë Francën. Një moment që do të mbetet i gdhendur në kujtesën e francezëve dhe timin sepse ishte një gol i madh në një ndeshje të rëndësishme. Por nga ana tjetër, nuk e fsheh që vazhdoj të shikoj përpara. Ka kaluar shumë kohë që atëherë, preferoj të mendoj për të tashmen dhe të ardhmen.
Ndeshja që dëshironi të anuloni?
Është e vështirë… Do të thosha disfatën kundër Mançester Sitit në edicionin e fundit të Ligës së Kampioneve.
Stadiumi më i bukur për ju?
Ai i Interit, “San Siro”.
Idhulli i fëmijërisë.
Serxho Ramos, më pëlqen stili i tij i lojës dhe vendosmëria e tij. Për mua është shembull.
Sakrifica më e madhe për t’u bërë një futbollist i nivelit të lartë.
Nuk është sakrificë, të jesh futbollist në një nivel të lartë është një privilegj dhe t’u japësh gëzim njerëzve që vijnë në stadium po ashtu. Vërtetë, ndonjëherë na mungojnë ditëlindjet, Krishtlindjet, nata e Vitit të Ri me familjen ose miqtë. Është e komplikuar, por kjo është ajo që bëjmë dhe nuk ;duhet të ankohemi sepse bëjmë punën më të bukur në botë.
Sulmuesi më i vështirë për t’u markuar.
Më duhet ta mendoj këtë. Do të zgjidhja Eden Hazard.
Pjata e preferuar.
Ushqime të skuqura nga Veriu dhe Belgjika.
Cili shok skuadre dëgjon muzikën më të keqe?
Markus Turam. Dëgjon gjithçka, por jo muzikë të mirë. Ajo që dëgjoj nuk është e keqe: vitet ‘80 dhe ‘90, rap dhe regaton.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"