Nga mbrojtja në sulm, Bylisi është ende në merkato
Bylisi ka nisur programin me dy seanca në ditë, ndërsa ballshiotët do të luajnë nesër testin e radhës me Tiranën në “Roza Haxhiu”. Trajneri Emanuel Egbo dhe stafi i tij, tashmë krahas stërvitjes me dy seanca duket se kanë në plan edhe ideimin e formacionit bazë të mallkastriotëve në prag të sezonit të ri.
Kanë mbetur më pak se dy javë dhe Bylisi luan sfidën e parë në kampionat me Teutën e Durrësit. Ndaj edhe ballshiotët pritet që të luajnë edhe dy ndeshje të tjera testuese, krahas asaj me Tiranën, teksa janë në kërkim të kundërshtarëve, ku me shumë gjasa mund të luajnë me ekipe të së Parës në vendin tonë. Kjo javë pritet që të jetë vendimtare edhe në aspektin e merkatos, pasi shpresohet shumë që grupi të kompletohet edhe më, sidomos në mbrojtje në qendër, në mesfushë, por edhe në sulm sidomos me një lojtar goli.
Në klub kanë deklaruar se merkatoja do të qëndrojë e hapur deri në limite nëse ka ndonjë element që ja vlen qoftë nga Superiorja, por më së shumti nga jashtë vendit. Ballshiotët kanë zhvilluar dhe dy seanca në ditë në fushën e Derviçianit, në Dropull të Gjirokastrës, teksa kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët që janë të grumbulluar në fazë.
Gjatë fazës përgatitore disa lojtarë kanë shfaqur shqetësime serioze, ndërsa janë në fazë riaftësuese, teksa bëhet fjalë për Felipe Souzën e Serxhio Emini, apo dhe Kavu Hasan, të cilët janë duke punuar me një program ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës deri në riaftësimin e tyre të plotë dhe ribashkimin me pjesën tjetër të skuadrës së Egbosë.
Ndërkohë në Ballsh ka nisur nga puna edhe skuadrat U21 dhe U-19. Të dyja ekipet janë kampione në fuqi në rang kombëtar, ndërsa Bylisi U19, është në pritje të shortit, pasi do të luajë në Ligën e Kampionëve këtë sezon për herë të parë në histori. Presidenca ka menduar që të forcojë edhe këtë sezon këto dy ekipe, ku pritet që te U-19, krahas elementit të ri vendas, të afrohen edhe talente nga Nigeria e Brazili.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"