Nga Luftëtari te Tërbuni dhe Naftëtari, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2024 | 12:29

Nga Luftëtari te Tërbuni dhe Naftëtari, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

kategoria-e-dyte

Tërbuni, Bardhi: Ta mbyllim me triumf fazën e parë

Pukjanët i pret një përballje delikate këtë javë, ku të hënën do të përballen me Gramshin në transfertë. Trajneri Sinan Bardhi u ka kërkuar të tijve fitoren, pas dy ndeshjeve të humbura. “Triumfi do të jetë mënyra më e mirë për të mbyllur fazën e parë. Për mua, ndeshja në shtëpi ndaj Luzi 2008, ishte më e dobëta për Tërbunin dhe duhet të mbajmë përgjegjësi të gjithë. I kemi mundësitë që të reflektojmë në ndeshjet në vazhdim për të marrë rezultate pozitive, duke u nisur nga përballja e radhës me Gramshin. Gjatë gjithë javës jemi stërvitur maksimalisht dhe me vëmendjen te ky takim. Të gjithë kanë marrë ngarkesën e duhur dhe jam i bindur se do të japin më të mirën në fushë. Synim i radhës janë vetëm tri pikët. Barazimi nuk na hyn në punë. Duhet të jemi të kujdesshëm e të shfrytëzojmë çdo rast që na jepet para portës kundërshtare”, u shpreh trajneri Bardhi. GANI PEMA

TURBINA

Turbina e ka pushim këtë javë, por do të vazhdojë përgatitjet me intensitet. Cërrikasit nuk arritën që të marrin rezultat pozitiv në Këlcyrë, edhe pse bëri një lojë të mirë me 9 lojtarë. Këtë fundjavë, ekipi e ka pushim, kështu që cërrikasit do të marrin një ngarkesë më tepër për takimet e fundit që kanë mbetur. Turbina me shumë mundësi pritet të zhvillojë një ndeshje miqësore, për të parë edhe gjendjen e ekipit, por ndaj Butrintin do të kenë mangësi në përbërje. M. MIRAKA

Luftëtari, provë force në Devoll për… shkëputjen

Luftëtari kryesues do të luajë të hënën një transfertë delikate kundër Devollit. Gjirokastritët vijnë pas 5 fitoreve radhazi, ndërsa edhe vendësit po kalojnë një formë të mirë, duke qenë vetëm tri pikë më pak se Luftëtari i vendit të parë. Kjo ndeshje është padiskutim një provë force për të dyja skuadrat, me bluzinjtë që do të kërkojnë të shkëputen dhe më shumë në krye, teksa aktualisht janë 2 pikë më tepër se Oriku, që është ndjekësi më i afërt. Për trajnerin Besmir Shabani shqetësues është fakti se dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, kapiteni Behar Ramadani dhe mesfushori Erjon Vucaj, kanë probleme fizike dhe janë në dyshim për t’u aktivizuar në Devoll. Megjithatë, kjo do të vendoset vetëm pak orë para takimit. Synimi i gjirokastritëve është marrja e tri pikëve edhe në këtë transfertë, ku në dy sezonet e kaluara kanë vuajtur jo pak. GËZIM BEQIRI

Mbrojtësi Gjishti: E njohim Basanian, dihet objektivi i Naftëtarit

Naftëtari ka çaluar në ndeshjet e fundit, teksa fitorja mungon prej tri javësh. Skuadra kuçovare ka zhvilluar ndeshje të mira, por për fat të keq nuk ka marrë atë që ka demonstruar në fushën e lojës. Në dy ndeshjet e fundit, me Veleçikun dhe Besëlidhjen, ishin të pafat. Megjithatë, kuçovarët janë përqendruar te sfida me Basanian. Kundërshtari është vlerësuar dhe fitorja mbetet objektivi kryesor. Qendërmbrojtësit Entiliano Gjishti në prag të kësaj sfide, për “Panorama Sport” u shpreh: “Jemi munduar të lëmë pas atë zhgënjim të ndeshjeve të fundit, ku meritonim më shumë. Me Basania do të kërkojmë vetëm fitoren. E njohim kundërshtarin me të cilin jemi ndeshur për Kupën e Shqipërisë. Pavarësisht eliminimit, është një skuadër e fortë dhe e mirëorganizuar. Besoj se do të kemi edhe mbështetjen e sportdashësve kuçovarë në këtë ndeshje delikate”. ARBEN ÇEPANI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"