Nga Luftëtari, Naftëtari, Turbina, Tërbuni dhe Valbona. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 16:16

Nga Luftëtari, Naftëtari, Turbina, Tërbuni dhe Valbona. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Xhulio Mirani, me golin e barazimit në minutën e 68-të në kryesfidën mes Luftëtarit dhe Pogradecit, përçoi në shkallët e stadiumit “Gjirokastra” besimin për fitoren, por kjo nuk ndodhi. Mirani në deklaratën e tij për “Panorama Sport” pohoi se ekipi duhet të besojë deri në fund për objektivin.

kategoria-e-dyte

“Më vjen keq që goli im nuk i vlejti ekipit. Duhej fitorja që të merrnim kreun dhe pastaj të mendonim për ndeshjen e fundit. Objektivin për ngjitjen direkt në Kategorinë e Parë e quaj kapitull të mbyllur. Tani na duhet të punojmë fortë dhe të mendojmë për fazën ‘play off’. Që të kalojmë ndeshjet një nga një, nga të gjithë ne kërkohet impenjim maksimal, besim dhe seriozitet në stërvitje. Janë tri ndeshje që nuk dihet si mund të shkojnë. Jemi Luftëtari dhe nuk dorëzohemi. Do të luftojmë deri në minutën e fundit për ngjitjen një kategori më lart”, tha 30 vjeçari Mirani, që më pas shton: “Kam shënuar 4 gola këtë sezon dhe besoj që sadopak e kanë ndihmuar ekipin. Në fund janë fitoret që të bëjnë më të fortë dhe më të suksesshëm për vazhdimësinë. Mendoj dhe shpresoj se do t’ia dalim të realizojmë objektivin nga ‘play off’-i”. TOMOR SHEHU 

 NAFTËTARI

Pavarësisht dëshirës, Naftëtari nuk arriti ta ndalë Valbonën. Ndoshta mungesat e disa lojtarëve ndikoi në ecurinë e takimit. Sulmuesi Samuel Vrapi pranon superioritetin e kundërshtarit. “E vlerësuam ndeshjen dhe ishim të qetë, pasi e kemi siguruar objektivin kryesor, por s’ia dolëm. Përtej mungesave të shumta, duhet vlerësuar dhe cilësia e Valbonës, një skuadër e forte, dhe e patëm tepër të vështirë përballë tyre”, tha Vrapi.  ARBEN ÇEPANI

 TURBINA

Turbina do të luaj të dielën në Pogradec, që është pranë ngjitjes në Kategorinë e Parë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, shefi klubit cërrikas, Engjëll Belshi, tha: “Në fundjavë mbyllim kampionatin me një sfidë të vështirë në Pogradec. Turbina mori një fitore të merituar me Orikun. Me moral të lartë shkojmë në Pogradec që të luajmë futboll dhe jo për turizëm. Kemi disa djem të rinj me prespektivë që do t’i promovojmë sepse janë e ardhmja jonë”.  MARIGLEN MIRAKA

Adriatiku-Tërbuni do të luhet në Shkodër

Skuadra e Adriatikut zakonisht ndeshjet pritëse i organizon në stadiumin e Vorës, por duke ditur se këtë fundjavë të gjitha sfidat luhen në një ditë, përballja me Tërbunin është zhvendosur në Shkodër. Duke ditur ngërçin e fushës, të dy klubet në akord me FSHF-në kanë rënë dakord që ndeshja e fundit në Grupin A të Kategorisë së Dytë mes Adriatikut dhe Tërbunit të luhet të shtunën, ora 15:00, në fushën sportive “Reshit Rusi” në Shkodër.

Në lidhje me këtë takim futbollisti i Tërbunit, Klajdi Leka, u shpreh: “Jam i lumtur që shënova golin e dytë për Tërbunin, i cili vulosi edhe fitoren. Dëshiroj shumë që skuadrën pukjane ta rikthejmë në të Parën, duke realizuar kështu edhe objektivin e klubit”. GANI PEMA

Portieri Birja: Valbona feston ngjitjen me Murlanin

Skuadra e Valbonës, e krijuar në vitin 1963, është vetëm 90 minuta larg historisë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Në këtë kategori, për herë të parë dhe të fundit Valbona ka marrë pjesë në sezonin 1992-1993. Takimi i radhës do të jetë kundër Murlanit, që do të luhet të shtunën në stadiumin “Vëllezërit Gega”. Valbona ka shënuar 55 gola në këtë kampionat, më shumë se çdo skuadër, por dhe një nga ekipet që ka pësuar më pak, vetëm 14-të, duke u renditur pas Besëlidhjes (11 gola).Për këtë sukses ka meritë edhe gardiani i portës, 34-vjeçari nga kryeqyteti, Kadri Birja.

“Do të jetë një ndeshje në një atmosferë tepër festive, ku të gjithë do të festojmë, si ne dhe kundërshtari ynë Murlani. Ne do ta fitojmë këtë ndeshje të mbetur dhe do të dalim në krye të tabelës, ku kemi qenë që në fillimin e sezonit. Valbona e ka merituar, pasi ka dy vite që e kërkon me ngulm ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ju garantoj se do të jetë një ditë feste në Tropojë, ku të gjithë së bashku, lojtarë, tifozë e kundërshtarë do të bëhemi njësh në ditën historike të ngjitjes së Valbonës në Kategorinë e Parë”, u shpreh portieri Birja. ABDULLA DUSHKU  

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"