Nga lajmi i hidhur për Gnabrin te dueli i sotëm, Tuhel: Lajpcigu më i forti në Gjermani, nuk pranohet humbja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2023 | 8:50

Nga lajmi i hidhur për Gnabrin te dueli i sotëm, Tuhel: Lajpcigu më i forti në Gjermani, nuk pranohet humbja

Lajpcigu do të tentojë t’u shkaktojë sërish “dëme” kampionëve të Bajernit në vigjilje të javës së 6-të. Ditën e nesërme “demat” do të përplasin brirët me bavarezët, e ku do të japin verdikt të saktë mbi formën e Bajernit pas serisë pozitive me goleadat. Tomas Tuhel është në prag të ballafaqimit me fituesit e Superkupës, të cilët i nënshtruan rekordmenët në shtëpinë e tyre me rezultatin e thellë 0-3, aty ku Dani Olmo “shtriu në tapet” i vetëm Mylerin me shokë.

tuhel

Trajneri i kampionëve e cilëson të papranueshme një disfatë tjetër kundër rivalit në fjalë, duke dhënë lajmin e mirë se reparti defensiv është gati, por kjo tablo nuk vlen njëjtë edhe në rastin e Gnabrit.

LAJPCIG- “Dëshira e grupit dhe e imja është që të fitojmë çdo ndeshje, veçanërisht kur përballemi me rivalë të fortë. Takimi me Lajpcigun e konsideroj si kundërshtarin më të fortë në ligë aktualisht. Është fakt se ata na kanë mundur në dy sfidat e fundit, por kjo nuk do të thotë asgjë. Fjala hakmarrje nuk ka asnjë vlerë, sepse s’na e kthen trofeun e Superkupës.

Duhet thënë se mposhtja në fillim të sezonit na ka bërë mirë, sepse prej asaj periudhe jemi ngritur në rezultate e lojë. Disfata e radhës kundër ‘demave’, e papranueshme. Ata kanë vite që luajnë me modulin 4- 4-2, po ashtu janë kompakt si grup dhe me cilësi e shpejtësi të lartë nga krahët. Strukturimi i vendësve ta bën të vështirë interpretimin e lojës me ritëm të plotë. Humori është i mirë dhe i kemi të gjitha shanset për të dalë me 3 pikë nga ‘RedBull Arena'”, tha trajneri i Bajernit.

MBROJTJA- “Daiot Upamekano, Kim Min-jae dhe Tomas Myler ishin në gjendje shumë të mirë në seancën e fundit përgatitore dhe nëse gjithçka shkon në rregull, ata do të zbresin në fushën e lojës. Vetëm Matajs de Ligt dhe Serzh Gnabri nuk do të kenë mundësi të kontribuojnë si rezultat i problemeve fizike, ndonëse me diagnoza të ndryshme”.

RIKTHIMI I GNABRIT- “Sipas parashikimeve, faza e rikuperimit prej Gnabrit do të zgjasë 4-6 javë. Ama afati mund të ngushtohet nëse gjithçka shkon mirë dhe Serzh ecën me ritme të kënaqshme. Mungesa e sulmuesit tonë s’do të jetë e lehtë. E cilësoj si humbje të madhe në javët e para”, shtoi me nota zhgënjyese tekniku i kampionëve të Bundesligës.

DEBUTIMI I GUERREIROS- “Tepër i kënaqur. Rafael është futbollist inteligjent. Ai ka shumë besim me topin në këmbë. Mund të luajë nga të dyja korsitë e prapavijës apo edhe më lart mbrojtjes. E ka pritur me padurimin inkuadrimin në kampionat dhe tashmë pritjes i ka ardhur fundi”.

SITUATA E NOJERIT- “Kapiteni ynë po ecën me ritme për t’u duartrokitur drejt rikuperimit. Edhe pse ai po kryen seanca stërvitore individuale, shumë shpejt do t’i bashkohet grupit dhe më pas do të ketë shansin të veshë sërish dorezat e numrit ‘1’ në portë”, pohoi me nota shpresëdhënëse 50- vjeçari.

VIZITA E NAGELSMANIT- “Normale që trajneri i kombëtares të vijë në një ndeshje të tillë. Por ne nuk kemi pasur asnjë kontakt me të. Kështu që le të fokusohemi te ndeshja”, foli shkurtimisht mbi këtë temë Tomas Tuhel. Interesante është se Nagelsmani do të shikojë ish-klubin e tij nga tribuna për herë të parë pas shkarkimit, tashmë në pozitën e trajnerit te “pancerat”.

FORMA E SIMONS- “E kam trajnuar në Paris. Shumë gjera kanë ndryshuar prej asaj kohë dhe Ksavi Simos është rritur. Talenti holandez po përjeton formë të shkëlqyer, e përkthyer me teknikë të lartë dhe elastik në daljet e shpejta. Do të marrim masa që të mos na hapë probleme”, përfundoi “timonieri” i bavarezëve në konferencë për shtyp.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"