Nga Kosova në Kategorinë e Parë, Brajshori: Burreli, trampolinë për karrierën time
“Me skuadrën e Burrelit nis rrugëtimin e një eksperiencë e re futbollistike. Edhe pse mund të jetë e vështirë, shpresoj që të gjithë së bashku të kontribuojmë që emri i kësaj skuadre të ngjitet sa më lart.
Me këtë dua të them që shpresoj jo vetëm te renditja në vendet e para, por pse jo të mos guxojmë ngjitjen në elitë”. Ky ishte prononcimi i parë i sulmuesit Eron Brajshori, si pjesë e Burrelit të sezonit 2024-2025. Në sezonin e fundit 20-vjeçari nga Prishtina ka qenë pjesë e skuadrës së 21-vjeçarëve të Llapit dhe ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës me 11 gola dhe 5 asiste. Me paraqitjen e tij të mirë ai ndihmoi dukshëm që Llapi të arrinte në fazën “play off”.
“Ofertën për të qenë pjesë e skuadrës matjane e pranova me kënaqësi. Besoj se ky hap që po hedh të më shërbejë si trampolinë për një karrierë të suksesshme në vazhdim”, tha më pas Brajshori për “Panorama Sport”, ëndrra e të cilit është që të veshë dhe fanellën kuq e zi të Kombëtares. Ditët në vazhdim priten me shumë interes në kampin matjan, pasi priten përforcime të tjera. Afrimi i tre futbollistëve të parë, Shkalla, Jaku dhe Brajshori, është tregues që në kampin matjan gjërat kanë nisur të lëvizin.
NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"