Nga koha e Panuçit tek Europiani, rrëfimi special i Ivan Balliut: Në Shqipëri si mbret, çmenduri kur Guardiola më ftoi te Barça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2024 | 22:10

Nga koha e Panuçit tek Europiani, rrëfimi special i Ivan Balliut: Në Shqipëri si mbret, çmenduri kur Guardiola më ftoi te Barça

Futbollin e nisi katër vjeç dhe aktualisht luan si mbrojtës i djathtë për Kombëtaren shqiptare.

-900-0-1733420293xballiu-955

Ivan Balliu vjen në një rrëfim të gjatë për karrierën e tij futbollistike që nga hapat e parë dhe deri te përfaqësimi me ngjyrat kuqezi. Ai flet me gazetarin Ivan Vargas për situatën te Shqipëria, Europianin e verës në Gjermani dhe eksperiencën që ka kaluar si me ekipin kombëtar, por edhe në klubet ku ka luajtur, si në Portugali, Francë dhe Spanjë, pa harruar vitet në La Masia.

Hapat e parë në futboll, si ishin?

Fillova të luaja futboll në moshën katër vjeçare. Gjithçka ka qenë përmes gjyshit, sepse prindërit e mi nuk e duan fare futbollin. Nëna ime, Marta, kishte një dyqan këpucësh në qytet dhe babai im, Salvadori, ishte një shofer taksie, kështu që ata duhej të punonin fundjavave. Gjyshi im, Salvadori, ishte ai që më shoqëronte çdo të shtunë që të luaja. Plus, ai e donte futbollin. Në atë kohë, kur fillova me skuadrën e qytetit luaja si sulmues, ndaj imagjinoni gjithë ato raste që kam humbur ndër vite (qesh). Duke luajtur me moshën më të madhe sesa unë, një skaut nga Girona erdhi, më pa dhe më firmosa kur isha rreth 9 vjeç. Aty tashmë ndryshova pozicion në fushë dhe fillova të luaj në krah si anësor sepse isha shumë i shpejtë dhe në dy vitet e fundit që isha atje luaja edhe si mesfushor. Pasi kalova ato dy vite te Girona, firmosa me Barçën.

Mes Realit dhe Barçës…

Pas kësaj, Real Madridi na kontaktoi dhe madje erdhëm për të parë të gjitha ambientet. Po bënim turneun në Bernabeu, vizituam shkollën në të cilën do të shkoja dhe gjërat e tjera, dhe vendosëm të qëndronim. Pas rreth një jave ishte Barcelona që na thirri dhe nuk e di se si ia dolën që të mos shkoja në Madrid. Në fund të fundit, të shkosh në Barça ishte edhe për shkak të një çështjeje familjare, afërsisë me ta, pasi mes Gironës dhe Barcelonës është larg vetëm një orë. Prindërit kërkuan që të vazhdoja studimet dhe kjo bëri që klubi të siguronte taksinë që bënte një rrugë, merrte fëmijët nga zona e Gironës dhe i çonte në stërvitje. Të merrnin nga shkolla në 5 pasdite, mbaroja stërvitjen dhe më kthenin në shtëpi në 10-11 të natës. Prindërit e panë që ishte e pamundur që të ndiqja studimet dhe u vendos kush që të isha në La Masia. Arrita aty kur isha 11 vjeç.

Si ishte në La Masia për një djalosh aq të vogël?

Tani unë kam fëmijë dhe mendoj për këtë. Ishte shumë bukur, si të dilje në kamp me shokët. Për prindërit e mi, ndoshta ishte pak më keq, sepse nëna ime më shihte një herë në javë: të mërkurën merrte trenin, vinte, shkonim të hanim diçka të lehtë, kalonim pasditen së bashku dhe pastaj largohej. Ne patëm fatin që shumë prej lojtarëve të atij grupi të vazhdonim, si Serxhi Roberto, Muniesa, Sergi Gomes, Uri Rosel, Mark Bartra etj. Rrinim në një shtëpi dhe që pas asaj dite, ende shkojmë me pushime bashkë.

Jeni stërvitur nga Luiz Enrike…

Në ndeshjen time të parë ose të dytë me ekipin rezervë, ishte Nolito, i cili ishte ylli i asaj skuadre të Barçës B, mbërriti me dhjetë minuta vonesë. Epo, më kujtohet që Luiz Enrike e përjashtoi atë. Më pëlqen shumë Luiz Enrike. Unë preferoj trajnerë që janë të tillë dhe jo ata që thonë diçka dhe më pas bëjnë diçka ndryshe.

Pep Guardiola ju thirri në fazën përgatitore në vitin 2011 me ekipin e parë, si e kujtoni?

Çmenduri! Të jetosh në një dimension tjetër. Të kaloje nga ndarja e dhomës, në udhëtimin shtrirë gjatë fluturimit. Të jepnin rrobat që doje, si me mengë të gjata apo të shkurtra, treçerekshe etj, krejtësisht e pabesueshme. Isha i habitur nga gjithçka rreth meje dhe mbaj mend se, duke qenë se ato ishin dhoma individuale, vendosja pesëdhjetë alarme dhe mezi flija natën nga frika se mos më zinte gjumi dhe vonoja për mëngjes.

Çavi, Iniesta… si ju pritën?

Spektakolare. Mbaj mend që po stërviteshim një ditë dhe në fund Xavi na pyeti të rinjve: “Djema, ku do të hani darkë?” Ne i thamë në shtëpinë tonë dhe ai na tha të shkonim me ta. Ishim në një restorant me Çavin, Viktor Valdes, Aleksis Sançez dhe disa të tjerë. U habita që të gjithë këta njerëz na ftuan në darkë.

Të flasësh për Mesin janë fjalë të mëdha.

Ai gjithmonë më trajtonte shumë mirë. Në atë kohë kisha një agjent argjentinas që shkonte shumë mirë me të atin dhe mënyra se si më trajtonte gjatë kohës që isha atje ishte gjithmonë spektakolare.

Në ato vite në La Masia kishit një referencë?

Një pasqyrë për të parë veten? Vërtet i kushtova shumë vëmendje Dani Alveshit , i cili ishte në atë pozicion në atë kohë, apo Karles Pujol, i cili gjithashtu më pëlqente.

E kishit dëshirën për të debutuar në një ndeshje zyrtare?

Po, por isha shumë i vetëdijshëm se ishte e vështirë, për shkak të gjithë nivelit që ishte para meje. Ndonjëherë flas me mjekun e asaj kohe dhe më thotë: “Ishe në kohën e gabuar te Barça sepse shiko tani si po debutojnë të gjithë”. Kur luaja atje, kisha Montojën dhe Dani Alveshin përpara, një djalë që luajti 78 nga 80 ndeshje.

Pamundësia për të luajtur ju motivoi të largoheshit?

Kisha mundësi të rinovoja, por ishte koha për t’u larguar. Vendosa të shkoj të luaj në Portugali në Superligë. Kam luajtur dy sezone të plota. Arouka është një qytet që ka pesë mijë banorë. Unë shkova atje me gruan time, Martën, e cila më ndihmoi goxha.

Prej aty lind mundësia për të shkuar në Francë?

Kam nënshkruar për dy sezone, më kishte përfunduar kontrata, nuk doja të rinovoja dhe më thirri një drejtor sportiv portugez, ai kishte nënshkruar për Metz dhe shkova atje. Në Francë, përvoja ishte spektakolare: ishte një klub i madh, kishe ambiente të shkëlqyera, u kujdesën për gjithçka dhe trajtimi ishte fantastik. Sapo mbërrita, më dhanë një mësuese frënge, i dhanë gruas një kartë shëndetësore dhe i dhanë edhe një mësuese. Kaluam katër vite përrallore atje.

Rrugëtimi juaj në Francë përkon me një thirrje nga Shqipëria për të luajtur për Kombëtaren…

Është për të qeshur, sepse më parë kisha marrë gjithmonë shumë mesazhe në “X” në shqip dhe mendoja se ishin nga njerëz të hutuar. Epo, ndërsa isha në Metz, më kontaktuan nga Federata Shqiptare, e cila sapo kishte luajtur Europianin në Francë. Më thanë se mbiemri Balliu ishte super tipik në Shqipëri dhe se kisha të afërm atje. Që nga ai moment, filluam të kërkonim me ndihmën e tyre, gjetëm një fije për të tërhequr me një stërgjysh që emigroi, munda të merrja pasaportën dhe të debutoja me Kombëtaren. Mënyra se si po ju them, duket fare e thjeshtë, por e vërteta është se u desh shumë për ta bërë, por hapi i parë ishte i tillë: u takuam me presidentin e federatës në Paris, shkuam për të ngrënë dhe atje ai më prezantoi një projekt dhe më tha se ata donin që të kontribuoja në rritjen e ekipit kombëtar. Në fakt, pothuajse në çdo grumbullim dy-tre lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë më parë vijnë dhe praktikisht debutojnë. Personalisht, e pashë të luajturën për Shqipërinë si një mundësi të madhe. Ishte një mundësi që do të më sillte shumë dhe do të më shtonte shumë mua personalisht, pasi do të kisha mundësinë të luaja në një Botëror, një Kampionat Europian… Sapo erdhi opsioni, nuk e mendova.

Trajneri i Shqipërisë në atë kohë ishte Panuçi, çfarë kujtoni?

Njësoj sikur luante. Mbaj mend që bërtiste shumë, por është e vërtetë që ajo fazë nuk ka shkuar shumë mirë në Kombëtare. Ne ishim ende në rritje dhe nuk ishte i njëjti ekip si tani, në të cilin mund të shihni një lojtar nga Interi, një nga Atalanta, një tjetër nga Çelsi. Niveli ynë është rritur shumë. Mbaj mend kur shkova, ishte një bllok lojtarësh që sapo kishin ardhur dhe unë isha pak i ri. Por, tani unë jam një nga veteranët.

Gjuha?

Ka shumë përzierje. Jam me fat që flas mirë anglisht dhe frëngjisht… dhe ka shumë lojtarë, familja e të cilëve është në Zvicër, kështu që nuk ka vështirësi me frëngjisht. Më pas, shumica luan në Serinë A dhe mes italishtes dhe spanjishtes… E vërteta është se nuk e kam problem gjuhën.

Shqipëria ishte e panjohur për ju, por tani me siguri që është ndryshe..

Po, jemi fokusuar gjithnjë edhe më shumë dhe kur shkojmë atje, gruaja ime udhëton për të mësuar çdo gjë. Prindërit e mi ishin disa muaj më parë dhe kanë vizituar zona të ndryshme, si në veri dhe në jug. Madje, kemi përgatitur udhëtimin e radhës aty për verën e ardhshme. Kur shkoj në grumbullim, marrim shumë dashuri. Këto vitet e fundit ekipi ka ecur shumë mirë me kualifikimin në Europian. Vendi është i përkushtuar dhe ndihesh si mbret, sepse të trajtojnë në mënyrë spektakolare në çdo gjë. E vërteta është se ndihem shumë krenar që jam shqiptar.

Ju flisni me shumë dashuri për tifozët shqiptarë…

Kanë ndërtuar një stadium të ri që është super, i mbyllur dhe e bërtitura më e vogël ka një jehonë të pabesueshme. Biletat shiten gjithmonë shumë përpara se të luajmë, sidomos në ndeshjet e fundit në Europian dhe në Ligën e Kombeve. Në fakt, në ndeshjen finale për kualifikimin në Europian, një tregtar bëri një promovim ku nëse bleje një Smart të jepnin nja dy bileta dhe njerëzit blenë makinën për të qenë aty. Kështu që ju mund të shihni çmendurinë.

Ju kam parë duke kënduar himnin…

Është gjëja e parë që mësova.

Në “Instagram” shoh edhe që postoni mesazhe në shqip, përdorni “Google Translate”?

Jo jo. Më ndihmojnë, por është e vërtetë që kam filluar ta studioj prej kohësh dhe po kuptoj jo pak gjëra, edhe pse ende nuk guxoj të flas për të. Kemi një anëtar të stafit që është përkthyes dhe është trajneri i katërt i Kombëtares dhe ai bën bisedat, shpjegon pak për ekipin rival dhe kur je në kontekst e kupton pak.

Ndeshja juaj e parë ndërkombëtare për Shqipërinë ishte kundër Spanjës.

Po në fakt, kur u takuam me federatën, më thanë se donin të kishin gjithçka të përgatitur pikërisht për atë ndeshje, sepse donin ta tregonin si fitore sepse një lojtar kishte zgjedhur Shqipërinë.

Verën e kaluar keni luajtur në Europian, si ishte?

Ishte një përvojë e pabesueshme, gjithçka ishte shumë e organizuar dhe pothuajse si të jetoje një ëndërr: asgjë nuk dështoi. Jetonim si në një qytet sportiv brenda një hoteli me fusha perfekte, palestrën tonë… edhe pse është e vërtetë që kalon shumë orë aty dhe bëhet e vështirë, por mua më ka pëlqyer shumë.

Në fazën e grupeve luajtëm kundër Spanjës. Çfarë ndodhi atje?

Është shumë e qartë, të gjithë me Shqipërinë. Të gjithë ishin aty me bluzat e tyre dhe brohoritnin, edhe pse në fund u gëzuam që Spanja fitoi Europianin.

Kanë kaluar shtatë vjet nga thirrja e parë me Shqipërinë në 2017. Si ka ndryshuar që atëherë?

Kur mbërrita, gjëja e parë që gjeta ishte mbërritja në një hotel me një fshat tipik. Megjithatë, tani kemi qytetin tonë sportiv, çdo gjë të madhe, shumë të punuar, jashtëzakonisht të pajisur, një dhomë fizioterapie me të gjitha pajisjet më të fundit, një zonë ujore, stadiumin e ri kombëtar që po ju tregoja… Kur skuadra rritet, çdo gjë ecën dorë për dorë, ashtu edhe niveli, nuk mund të sjellësh një djalë që vjen nga Çelsi dhe ta çoni në një “fushë patate”.

Së fundi, pyetja më e vështirë: Të fitosh një Kampionat Europian me Shqipërinë, apo të fitosh një Europa League me Rajo Vajekanon?

Të fitoj Europa League. Ju kaloni shumë mirë në ekipin kombëtar, por jeni të vetëdijshëm që klubi është vendi ku unë kaloj ditën time dhe ku ndihem më mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"