Nga Guinea në Ballsh me Bylisin, ja futbollisti 18-vjeçar që ka fiksim krepat me çokokrem
Mohamed Dialo ka luajtur këtë sezon me Bylisin në Kategorinë e Parë, por edhe me skuadrën U-21 dhe atë U-19,ku ka shënuar edhe gola. Ai luan si sulmues anësor dhe u bë pjesë e mallakastriotëve verën e shkuar.
Mohamed Dialo erdhi në Ballsh pas një zbulimi në një turne mes shumë klubeve në Guine dhe zgjodhi që të vijojë karrierën me Bylisin. 18-vjeçari në një prononcim për “Panorama Sport”, tregon përse zgjodhi Bylisin, jetesën në Ballsh, por edhe synimet e karrierën e tij. Afrikani tregon edhe një sekret sa i takon ushqimit të tij të preferuar. “Unë kam ardhur këtu pas eksperiencës në një akademi mjaft të njohur në Guine, ku spikata në një turne që u zhvillua verën e shkuar.
Kam luajtur edhe me kombëtaren U-17 të Guinesë, ndërkohë që te Bylisi dua të rritem edhe më shumë profesionalisht. Fillimisht e kisha pak të vështirë, por jam përshtatur shumë shpejt. Kam gjetur shumë lojtarë afrikanë këtu dhe një ambient mjaft të mirë dhe mikpritje në klub. Në Ballsh na respektojnë. Në Shqipëri kam shumë miq, madje këtu bashkëmoshatarët e mi vendas vijnë dhe na ndjekin kur luajmë me moshat. Edhe gjatë kohës së lirë unë qëndroj me ta edhe në kafene. Ushqimi që unë preferoj? Unë preferoj shumë krepat me çokokrem.
Kur ulem me shokët e skuadrës apo dhe miqtë e mi në qytet, porosis gjithmonë krepa”, tha Mohamed Dialo, mesfushori me tipare sulmuese i Bylisit. Në fund, ai flet për synimet dhe karrierën e tij. “Krahas skuadrës së parë, luaj me U-21 dhe U-19 si titullar, sepse kam moshën. Dëshirë të madhe kam të luaj në Superiore sezonin e ardhshëm. Si objektiv kam Ligën e Kampionëve me skuadrën U-19 ku jemi në vend të parë dhe po bëjmë mirë këtë kampionat. Kjo do të më shërbejë edhe për t’u rritur dhe për të vijuar karrierën në një kampionat të njohur të Europës”, përfundoi Mohamed Dialo.
ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"