Nga gabimet te “divorci”, Dovedan largohet me pengje nga Apolonia: Flamurtari nuk meritoi asgjë
Apolonia nuk u ngjit dot në elitë as nëpërmjet “play off”- it dhe në të njëjtën kohë mbeti pa trajner. Dy lajme të hidhura në një ditë, që detyrojnë klubin që t’ia nisë tashmë nga zeroja. Për të folur për pasardhësin e Veljko Dovedan është vërtet herët dhe drejtuesit do t’i japin pak kohë vetes për të gjetur “timonierin” e ri. E megjithatë, çfarë e detyroi boshnjakun që të shkëpuste direkt marrëdhëniet me fierakët. Kontrata sigurisht që i skadonte, por 68-vjeçari mund edhe të rinovonte. Për të na zbuluar më shumë rreth këtij vendimi dhe pengjeve që i mbeten nga kampionati i fundit.
U eliminuat me barazim nga Flamurtari. Ju vjen keq që u dogjët nga një rregull i çuditshëm prej fazës “play off”?
Ishim shumë pranë fitores, por nuk ia dolëm dot… Nuk mund ta fsheh mërzitjen, sidoqoftë bëmë dhe dhamë maksimumin. Ishte vetëm një ndeshje, shumë e rëndësishme, aq sa çdo episod mund të të kualifikonte ose të të eliminonte. Fati deshi që të ishim ne humbësit në këtë përballje. Mos harroni, ky është futbolli, herë fiton e herë humbet, ndonjëherë kundërshtari kalon më tej edhe pa e merituar.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Shkurt, qartë e pastër: Flamurtari nuk ishte më lart se ne. Pavarësisht se ndeshja u zhvillua në Vlorë, nuk bëri asgjë më shumë se ne për ta merituar kualifikimin. Shanset ishin 50 me 50 para ndeshjes, edhe duke ditur avantazhet e vlonjatëve si të renditur më lart.
Nëse do të shënohej ajo penallti nga Asllanaj në të 89-ën minutë, do të flisnit ndryshe?
Para se të shkojmë te penalltia, ne hasëm disa vështirësi të tjera. Sikur mos të mjaftonte që ndeshja do të zhvillohej në Vlorë dhe faktit që Flamurtari mund të mjaftohej me barazimin, tersi ynë ishin ndërrimet e detyruara të tre titullarëve. Mesfushorët Omeri e Orelesi, pa harruar dhe sulmuesin Mario Gjata. I pari dhe i fundit janë ekzekutuesit e penalltive, mirëpo në mungesë të tyre u zgjodh mbrojtësi Asllanaj. Nuk ka më rëndësi, gjithçka përfundoi tani. Jam shumë krenar për djemtë dhe i falënderoj për mundin dhe sakrificën e bërë.
Ndalemi pak te largimi juaj, i cili erdhi vetëm një orë pas përfundimit të ndeshjes. Pse ky vendim kaq i shpejtë?
Gjithçka e ka një fillim e një fund, kështu që mendoj se është momenti i duhur për t’u larguar nga Apolonia. Theksoj se është një vendim personal, të cilin e kam menduar mirë dhe jam i bindur plotësisht.
Çfarë folët me presidentin?
Komunikova me presidentin Koço Kokëdhima, e falënderova për gatishmërinë e plotë dhe i bëra të ditur vendimin tim përfundimtar.
Nga një Apoloni që po rrezikonte, ju e çuat në gjashtëshen e parë. Nuk mjaftoi kaq që të qëndronit edhe një vit?
Ndryshimi rrënjësor erdhi si pasojë e punës sonë të palodhur, ditë për ditë gjatë këtyre gjashtë muajve. Skuadra u përmirësua jashtëzakonisht, veçanërisht në stilin e lojës. Lëviza skemën, sepse dëshiroja një ekip që sulmonte dhe mbronte si një trup i vetëm. Pikërisht në Vlorë, e pamë këtë skuadër të mirorganizuar, e cila nëse do të triumfonte, e them me bindje të plotë se, do të ishte mes më të mirave në futbollin shqiptar. Përfundoi si përfundoi, nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj suksese Apolonisë në sezonin e ri futbollistik.
Çfarë do të mbani mend nga skuadra fierake?
Përkushtimin dhe sakrificën e të rinjve fierakë, të cilët ishin në lot pas eliminimit në Vlorë. Kjo do të thotë shumë për karakterin e tyre luftarak. Gjithashtu infrastruktura e klubit ishte për t’u admiruar, ne stërviteshim ditë për ditë e orar pa orar. U jam falënderues dhe mirënjohës për gjithçka bënë.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"