Nga dy golat e Arbërit për Tomorin tek Iliria, Turbina dhe Gramshi. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë
Kledjon Arbëri është vetëm 18 vjeç, por falë talentit dhe shpërthimit të tij, ai shikohet si një sulmues me të ardhme në Berat. Kledjoni është pasuesi i radhës i dinastisë “Arbëri” te Tomori, ku ka debutuar me ekipin e parë në moshën 15 vjeç. Të dielën Arbëri shënoi dy nga katër golat që Tomori realizoi në portën e Memaliajt.
Për “Panorama Sport”, sulmuesi 18-vjeçar u shpreh: “Nuk dua ta fsheh ndjesinë time të kënaqësisë për fitoren, ashtu edhe për dygolëshin që shënova ndaj Memaliajt. Kjo, sa për meritë të skuadrës, por edhe një shpërblim për punën që kryej në stërvitje, si dhe këshillat e vlefshme nga babai im (Klodian Arbëri). Vlerësoj besimin e trajnerit Droboniku, i cili më ka besuar rolin e liderit në sulm. Në këtë kampionat dua të përmbush dy objektiva, të jem në shërbim të skuadrës me golat e mi dhe në fund të rikthehemi në Kategorinë e Parë”. EDI SPAHIU
Trajneri Allamani: Ilira, e bindur për fitoren
Iliria ka marrë fitoren e parë në kampionat, ku në javën e dytë mposhti 1-0 Veleçikun. Pas fitores me koplikasit trajneri i Ilirisë, Alfred Allamani, për “Panorama Sport” u shpreh: ”Iliria e kishte ndarë mendjen për fitore.
Për asnjë arsye nuk mund të zhgënjenim këtë tifozëri të zjarrtë të fushëkrujasve. Ishte një fitore që do të sjellë besueshmëri në ecurinë tonë të mëtejshme. Gjatë pjesës së parë mund të shënonim më shumë gola, por u treguam pak konfuzë në finalizim. Në pjesën e dytë, kundërshtari ynë u ngjesh në mbrojtje e kështu ne u detyruan të administronim lojën tonë për të ruajtur fitoren”. ABDULLA DUSHKU
Trajneri Çutra : Turbina, të mundim Shkumbin me çdo kusht”
Turbina është mundur në Orikum në javën e dytë. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, trajneri i skuadrës cërrikase, Xhynejt Çutra, deklaroi: “Humbëm në transfertë me Orikun, një disfatë e pamerituar për ne. Them kështu, pasi pësuam dy gola fatal për faj të mbrojtjes tonë dhe humbëm një mori rastesh. Të pakën duhet të kishim marrë një barazim. Ky edhe do të ishte rezultati më i drejtë. Futbolli kështu e ka, po nuk shënove do të pësosh. Kjo humbje nuk duhet të na mërzisë, pasi na pretë një tjetër sfidë e fortë. Në fundjavë kemi derbin e prefekturës. Do të presim në fushën tonë Shkumbinin, që duhet ta mundim, sepse nuk kemi rrugë tjetër përveç fitores”. MARIGLEN MIRAKA
GRAMSHI
Një lajm shumë i mirë vjen për Gramshin, që tashmë do të ketë një stadium të rikonstruktuar e me fushë të re. Bashkia Gramsh bashkë me FSHF-në do të investojmë për t’i ndryshuar pamjen stadiumit “Myslim Koçi”. Tribuna do të jetë e mbuluar dhe me kapacitet prej një mijë vedetë, si dhe vendin për mediat. Fusha e stadiumit do të jetë me bar natyral dhe do të ketë dhe një fushë tjetër ndihmëse me bar sintetik për përgatitjen e skuadrës. MARIGLEN MIRAKA
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"