Nga akademia e Tiranës te Maliqi, Bali karikon skuadrën: Të japim maksimumin për emrin e qytetit…
Produkt i akademisë së Tiranës, mbrojtësi Admir Bali, vendosi të braktiste kryeqytetin për t’iu bashkuar Maliqit në fillim të sezonit dhe për të dhënë kontributin e tij në skuadrën juglindore në këtë debutim historik në Kategorinë e Parë.
Pavarësisht startit jo fort pozitiv në këto 9 javë, Bali shprehet optimist dhe beson se skuadra i ka të gjitha cilësitë për të bërë kthesën e madhe ditën e sotme ndaj Besëlidhjas. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 19-vjeçari, i cili pritet të debutojë sot si titullar në kampionat me skuadrën e Maliqit, ka motivuar maksimalisht shokët e skuadrës në prag të duelit ndaj lezhjanëve.
AVENTURA TE MALIQI- Ndihem mjaft mirë te Maliqi, që në ditët e para që u bëra pjesë e këtij klubi, të gjithë lojtarët dhe stafi teknik më pritën shumë mirë. Për sa i përket ecurisë në këto javë, mendoj se nuk ka qenë start pozitiv për sa i përket pikëve të grumbulluara. Me atë që kemi treguar në fushë, meritonim të kishim me shumë pikë.
DUELI NDAJ BESËLIDHJAS- Kam besimin e plotë, se ndaj Besëlidhjas do të vijë kthesa e madhe dhe do t’i japim fund rezultateve negative.
DEBUTIMI SI TITULLAR- Jam gati për të dhënë më të mirën në këtë ndeshje pasi eshtë hera e parë që e nis takimin nga minuta e parë dhe dua të ndimoj ekipin për të marrë fitoren e dytë. Një fitore që do të na çlironte nga ky ngërç që na ka kapluar.
KUNDËRSHTARËT DHE ECURIA- Të gjitha ekipet nuk kanë ndonje ndryshim të madh nga njeri-tjetri për sa i përket cilësive. Në ndeshjet që kemi zhvilluar deri tani, episodet kanë qenë ato që kanë vendosur sfidën, por deri tani fati nuk ka qënë me ne.
IDHULLI- Si çdo futbollist tjetër dhe unë kam një lojtar që inspirohem. Më pëlqen stili i lojës së Teo Hernandezit.
E ARDHMJA- Për momentin jam i fokusuar të bej sa më mirë në ekipin ku ndodhem dhe të ndihmoj skuadrën për të arritur objektivat pasi të mbarojë ky sezon do të shikoj çfarë mundësish do më ofrohen.
MESAZHI PËR SHOKËT E SKUADRËS- Doja t’i bëja thirrje të gjithë shokëve të ekipit të luajmë të gjithë të bashkuar për emrin e qytetit, Maliqit, si dhe për njëri-tjetrin të japim maksimumin dhe të marrim atë ç’ka na takon.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"