Nga 64 ndeshje shkojnë në 104! FIFA ka gati për miratim planin për Botërorin me 48 skuadra
Kupa e Botës nuk do të jetë më si ajo që jemi mësuar të shohim deri tani. Nga viti 2026, turneu do të zgjerohet në 48 skuadra dhe tashmë është mësuar edhe se si do të jetë faza në grupe e turneut, me një rritje të ndjeshme të kohëzgjatjes së tij dhe numrit të ndeshjeve që do të luhen.
FIFA kishte planifikuar fillimisht që të luheshin grupe me tre skuadra pjesëmarrëse. Por duke parë se kështu rivaliteti i ndeshjeve të fundit mund të zhdukej, i është kthyer sistemit ekzistues duke transformuar fazën në grupe me nga 4 skuadra në secilin prej 12 grupeve. Sipas “The Athletic”, plani që do të miratohet se shpejti nga Këshilli i FIFA-s, është ky i fundit, duke çuar në 104 numrin e ndeshjeve të turneut, nga 64 që ishin në edicionin e fundit që u zhvillua në Katar.
Faza me eliminim direkt do të shihte 32 skuadra pjesëmarrëse, pasi dy të parat e çdo grupi, si dhe 8 skuadrat e treta më të mira, do të vazhdonin në fazën tjetër.
Turneu, i cili në vitin 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të ketë një shtrirje kohore shumë të gjatë, pasi parashikohet të zgjasë 39 ditë, si asnjëherë më parë në histori.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"