“Në kampionatin tonë nuk ka diferenca”, Mehmeti para sfidës me Skënderbeun: Ka entuziazëm, por na duhet shënjestër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2023 | 9:45

“Në kampionatin tonë nuk ka diferenca”, Mehmeti para sfidës me Skënderbeun: Ka entuziazëm, por na duhet shënjestër

Vetëm dy ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës. Pas barazimit në derbin me Tiranën, Dinamo ndeshet sot me Skënderbeun në “Elbasan Arena”, në një ndeshje ku kërkohen pikët maksimale për të hyrë plotësisht në rrugën e ngjitjes në tabelë.

mehmeti

Situata nuk është më e mira në kampin blu, pasi ka sërish mungesa, megjithatë trajneri Dritan Mehmeti beson se të tijtë do të dinë ta interpretojnë në mënyrën e duhur sfidën e sotme me korçarët. Pjesa e dytë e derbit me Tiranën mund të shërbejë si frymëzim për kryeqytetasit.

Për trajnerin Mehmeti, kampionati nuk ka diferenca dhe nuk të lejon të nënvlerësosh asnjë kundërshtar.

“Ashtu siç erdhi derbi, rezultati ishte i drejtë. Kemi shumë për të bërë, atmosfera është në rritje, ka entuziazëm. Çunat janë munduar të bëjnë maksimumin, është shumë e vështirë kur ndërrohen stafet, ka filozofi tjetër, por përgjigja e lojtarëve ishte shumë pozitive. Koha është ilaçi më i mirë në këto situata të vështira. Shpresoj që pjesa e dytë e derbit të jetë një pikënisje për ngjitjen tonë.

Futbolli prandaj është i bukur, nuk të jep shumë mundësi që të mendosh për të shkuarën. Duhet të jesh në ekuilibër me rezultatet, dua ta marr rezultatet nëpërmjet lojës. Që të rritemi të bëhemi skuadër duhen këto komponentë. Të rrisim cilësinë e lojës dhe të kemi sinkronizim mes lojës dhe rezultateve”, tha fillimisht trajneri blu.

SKËNDERBEU – Pastaj Mehmeti foli për sfidën e sotme: “Duke parë kampionatin, nuk ka shumë diferenca mes skuadrave. Nëse marrim referencë ndeshjen e fundit, Skënderbeu luajti me Egnatian, që udhëheq kampionatin dhe barazoi. Kjo do të thotë se nuk kemi shumë diferenca, çdo ndeshje ka shkallë vështirësie. Nuk e shikojmë si detyrim, detyrim kemi të bëjmë maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje.

Kampionati është i tillë, që nuk të lejon ta nënvlerësosh kundërshtarin. Kemi respekt për Skënderbeun dhe çdo ekip tjetër. Gjithmonë i shohim gjërat te vetja. Kemi javë pas jave rezultate surprizë, Skënderbeu ka bërë prezantime shumë të mira, por edhe ka pësuar shumë gola, ka pasur ditë jo të mira. Shumë e rëndësishme është mënyra si sulmon, mund të kesh 5 sulmues dhe nuk arrin të shkosh te goli.

Ka rëndësi mënyra si shkojmë te porta kundërshtare dhe të kemi qetësi në 20 metrat e fundit. Si në derbi, ku me pak më shumë qetësi, mund të bënim më mirë, kishim raste me Denison, Karamba dhe Zabërgja, që mund të ndryshonin fatin e ndeshjes. Më pëlqen mënyra si kemi shkuar te goli, pastaj është qetësia individuale”.

SITUATA – “Kemi problemin e Bardhit, që ka shqetësime muskulore, kemi edhe Kaçorrin, që nuk është në gjendjen më të mirë që pas derbit. Do ta monitorojmë me stafin, sepse kemi shumë mungesa. Na mungon Gudiabi, kemi dhe mungesën e Andonit, një lojtar që ka eksperiencën e duhur dhe në të tilla situata është shumë e rëndësishme të kesh 2-3 lojtarë që kanë luajtur në nivele të lartë dhe dinë të menaxhojnë situatat ku kërkohet qetësi”, u shpreh trajneri i Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"