“Ne dhe Elbasani e meritojmë Superioren”, Bellai: Nuk më intereson më loja e bukur, dua vetëm tre pikët
Bylisi barazoi pa gola me Elbasanin në sfidën e fundit të fazës së dytë të Kategorisë së Parë, duke ruajtur kreun e renditjes. Trajneri i ballshiotëve, Arian Bellai u shpreh i lumtur që skuadra e tij është në vendin e parë dhe se nuk do të kërkojë më futboll të bukur, por vetëm tre pikët për t’u ngjitur sa më shpejt në Superiore.
“Të gjithë fjalët e mira shkojnë për çunat. Duhet t’i përgëzoj për shpirtin. Mund të mos kemi luajtur mirë sot. Ne hymë për të dyja rezultatet, edhe pse nuk donim barazim. Që këtej e tutje nuk ka më lojëra të bukura, kampionati është kthyer në matematik. Tani na duhet që të jemi matematikisht në Superiore.
Gjithmonë në futboll trajneri përgatit 11-shen. Jo çdo të diel mund të luash me 11-she të ndryshme. Edhe nga mbrapa ishim më të qetë.
Na mungoi besimi. Na ka ikur pak ai besimi që kishim në çdo gjë. e kemi humbur pak atë, por prapë nuk ka rëndësi, sepse ne po marrim atë që duam. Kemi dhe 11 ndeshje akoma. Është matematikë dhe duhet të përqendrohemi te ndeshja tjetër me Tomorin.
Duhet të vazhdojmë ndeshje për ndeshje të mbajmë vendin e parë, sepse nuk mbaj mend që Elbasani të na ketë kaluar. Ne çdo ndeshje duhet të punojmë dhe të kemi besim. Kemi dhe Elbasanin në fazën e tretë, kemi dhe Vorën dhe Vlorën dhe Burrelin. Luftojmë për synime të ndryshme. Me këto ekipe ne e kemi pësuar dy herë. Thjesht sot ishim më të thjeshtë, më komod, luanim për dy rezultate për të ruajtur vendin e parë.
Superiorja është një kampionat interesant. Besoj si Bylisi dhe Elbasani i kanë kualitetet. Por është ndryshe në Superiore. Besoj se nuk do bënim keq, sepse kemi lojtarë me eksperiencë. Luajmë futboll të bukur, pasi në Superiore shihet vetëm te disa ekipe, pasi të gjitha shkojnë vetëm për rezultatin.
Besoj se jemi ne dhe Elbasani që konkurrojmë për Superiore. Besoj se vetë klasifikimi e tregon që ne jemi dy ekipet që e meritojmë.
Ne kishim dy mundësi, krijuam dy mundësi nga krahët. Ne jemi të parët, Nevili (Dede) kërkonte fitoren për të qenë i pari. Nuk më intereson të luajmë mirë apo jo. Duam vetëm tre pikët për të qenë sa më shpejtë në Superiore”, tha Bellai për “MCN”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"