“Në Burrel luhet sezoni”, Belshi karikon ekipin: Luftojmë deri në sekondën e fundit
Kampionati është stopuar, por Turbina nuk e ka luksin të pushojë. Skuadra po vijon përgatitjet me ritëm të lartë në kryeqytet, për 120 minutat e fundit të kësaj gare. Me pozicionin që kanë aktualisht janë të rënë, por cërrikasit mendojnë se situata do të përmbyset. Do fitojnë në Burrel dhe shtojnë shanset për të kapur minimalisht zonën “play out”.
Këtë e thotë edhe Engjël Belshi, në një prononcim për “Panorama Sport”. Shefi i klubit paralajmëron se nuk do të dorëzohen deri në sekondën e fundit.
“Kemi lënë pas humbjen e hidhur me korçarët dhe tashmë jemi përqendruar maksimalisht te java e 25-të. Na pret një finale në Burrel, ku na duhet vetëm fitorja. Po stërvitemi shumë për këtë përballje të vështirë, për të qenë sa më gati të shtunën e ardhshme.
Nuk do të jetë e lehtë përballë tyre, pasi matjanët luajnë në fushën e vet dhe kjo i favorizon. Por ata nuk janë më lart se ne, kështu kemi shanse për t’i mundur. Nga ana tjetër duhet të bëjmë kujdes të madh dhe të mos gabojmë, sepse nuk na lejohet fare hapi fals.
Jam i bindur që Turbina do të mbijetojë dhe ne do të luftojmë deri në fund për të arritur këtë objektiv. E meritojmë të jemi pjesë e Kategorisë së Parë dhe sezonin tjetër, pasi kemi bërë vetëm ndeshje të bukura”, përfundoi zyrtari i cërrikasve.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"