Ndodh pas 9 sezonesh, portieri Alimuçaj tregon sekretin e suksesit: Lushnja ka “vrarë” frikën
Ky sezon ka nisur i mbarë për Lushnjën, ku shumë gjëra kanë ndryshuar dhe janë përmirësuar nga sezonet e fundit. Skuadra verdhejeshile ka katër pikë dhe nuk ka pësuar asnjë gol. Një vit më parë nuk kishte asnjë pikë dhe kishte pësuar plot shtatë gola.
Atmosfera në Lushnjën e futbollit është shumë pozitive dhe shpresohet shumë për një edicion të mbarë në Kategorinë e Parë. Portieri i Lushnjës, Saugli Alimuçaj, e ka nisur me rrjetën e paprekur, ashtu siç e mbylli vitin e kaluar duke mos pësuar në dy ndeshjet e fundit, plus “play out”-in. 22-vjeçari vlonjat luan sezonin e dytë radhazi në “Roza Haxhiu” dhe po kalon një moment shumë të mirë. “Sezoni i ri ka nisur mbarë, ku le të themi mund të bënim dhe më mirë në Dibër dhe meritonim të ishim me 6 pikë të plota. Gjithsesi, deri diku jemi të kënaqur dhe me këto dy rezultate. Mendoj se ka ndryshuar disi mentaliteti. Kemi vrarë pak frikën dhe asnjë nuk po bën më mirë se ne”, u shpreh fillimisht portieri.
Vlonjati i portës së Lushnjës tregon dhe sekretet, si dhe çfarë ka më mirë kjo skuadër nga ajo e sezonit të kaluar. “Sekreti është se gjithsecili nga çunat po lufton për të mos pësuar gol, nga sulmuesit deri tek unë. E njëjta gjë ndodh edhe në fazën sulmuese duke u angazhuar si ekip. Pra, ndihma nis nga unë në portë deri tek finalizimi i sulmuesve. Mentaliteti i fituesit na është ngulitur në mëndje, gjë që vjet nga mungonte dhe futeshim me frikë.
Shumë gjëra kanë ndryshuar në këtë fillim sezoni, plus që shoh një ekip më me grintë dhe më të përkushtuar. Jemi të gjithë në një mëndje për ecurinë pozitive”, deklaroi portieri Alimuçaj. Në javën e tretë të kampionatit, Lushnja do të përballet me Kastriotin në transfertë. “Kastriotin e vlerësojmë maksimalisht, sepse të gjithë e dimë që është një skuadër shumë e mirë. Ne, si në çdo ndeshje, do të synojmë të marrim maksimumin dhe të dalim me tri pikët”, deklaroi për “Panorama Sport” portieri i Lushnjës, Saugli Alimuçaj.
Ndodh pas 9 sezonesh
22 vjeç është portieri i Lushnjës, Saugli Alimiçaj, dhe luan sezonin e dytë radhazi në “Roza Haxhiu”. Vlonjati debutoi më 18 shtatorin e vitit të kaluar në takimin Lushnja-Elbasani 0-1. Për 180 minutat e para të këtij edicioni nuk ka pësuar gol. Pas 9 sezonesh ndodh që Lushnja nuk pëson gol në dy takimet e para. Për herë të fundit ndodhte në sezonin 2015-2016. Lushnjarët do të startonin me barazimin 0-0, ndaj Elbasanit në Korçë dhe më pas do të fitonin 1-0, me Sopotin.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"