Ndeshje “thriller” në Pezë, Prestige humbet ndaj Eagles. Trajneri Dulo: Duhet rritje në mbrojtje, tani nuk na falen hapat fals

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 17:07

Ndeshje “thriller” në Pezë, Prestige humbet ndaj Eagles. Trajneri Dulo: Duhet rritje në mbrojtje, tani nuk na falen hapat fals

Prestige ka pësuar mbrëmjen e djeshme humbjen e dytë radhazi, këtë herë në një përballje si “thriller” ndaj skuadrës së Eagles, që fitoi minimalisht me shifrat minimale 0-1 me penalltinë e Kalonjit.  Rezultoi një ndeshje e luftuar nga fillimi deri në fund, me miqtë, që shënuan në pjesën e parë, ndërkohë që Prestige humbi 11-metërsh me Branicën në të dytën.

prestige

Tashmë Prestige udhëheq grupin A të Kategorisë së Tretë së bashku me Basanian dhe Eagles me nga 16 pikë.

PJESA E PARË –Ndeshja nis shumë e luftuar dhe me përplasje në mesfushë, teksa duhet thënë se FSHF-ja e kishte vlerësuar maksimalisht këtë përballje, pasi kishte emëruar si kryesor Kreshnik Cjapin, i asistuar nga Ilir Tartaraj dhe Orgest Grabova. Rasti i parë krijohet në të 7-ën, kur Gaxhaj kroson në zonë për Ademin dhe sulmuesi tenton me një kthese, që përfundon jashtë kuadratit. Pas një loje të luhatur kryesisht në mesfushë, me Prestige më kërkues, Eagles ka një mundësi të artë në të 16-ën, kur Hasanaj ndal Çibukun ballë për ballë, duke shpëtuar skuadrën e tij.

Në të 18-ën është Punavia, që tenton me një goditje nga jashtë zonës, por sfera përfundon shumë larg kuadratit të Prestige. Në minutën e 24-t Prestige i bën një dhuratë kundërshtarëve. Rapo ndërhyn në mënyrë të gabuar nga Kalonjit në hyrje të zonës dhe shkakton penallti, që shoqërohet me karton të verdhë. E merr përsipër vetë kongolezi, i cili arrin të mposhtë këtë herë portierin Hasanaj. Në të 38-ën Gaxhaj ka mundësinë të shfrytëzojë hapësirën e kundërshtarëve, por finalizon me një kros në formë goditjeje, që e humbet rrezikshmërinë. Eagles niset me shpejtësi në anën tjetër, me Kalonjin, që shërben për Çibukun, por sërish Hasanaj bën një pritje vendimtare. Në të 43-ën Limani kroson saktë për Ademin, i cili godet me kokë, por Sharki arrin ta ndalë mjeshtërisht.

PJESA E DYTË –Ky fraksion nis shumë mirë për Prestige, që fiton penallti pas një prekjeje me dorë në zonë. E merr përsipër Klejdi Branica në të 48-ën, por fati nuk është me vendësit, pasi gjuajtja e fortë e mesfushorit përplaset në traversë. Pas këtij momenti Eagles përpiqet të harxhojë sekonda në çdo mënyrë, teksa herë pas here lojtarët miq rrëzohen në fushë dhe reklamojnë dëmtime. Në minutën e 66-të Prestige pëson një tjetër goditje të rëndë. Elio Rapo humbet topin ndaj Kalonjit dhe detyrohet ta ndalojë me faull, teksa Cjapi nuk heziton t’i nxjerrë të verdhin e dytë për të lënë ekipin me 10 veta. Në minutat e mbetura Prestige përpiqet të krijojë, por pasur shanse të pastra. Në fund festojnë miqtë.

Dulo: Duhet rritje në mbrojtje, tani nuk na falen hapat fals

 

Pas ndeshjes për gazetën foli trajneri i Prestige, Mandrit Dulo. Ai shprehet jo i kënaqur me mbrojtjen, teksa shton se tashmë hapat fals janë të ndaluara. “Jam i shqetësuar me repartin difensiv, sepse nuk po tregon atë që skuadra jonë ka në të vërtetë. Theksoj se jemi ende mbrojtja më e mirë e kampionatit. Tashmë kemi përpara një javë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës ndaj Klosit. Falënderoj ekipin për shpirtin e garës dhe karakterin e treguar në fushë, sidomos në pjesën e dytë, ku edhe u fitua një penallti, e cila fatkeqësisht u humb nga ana jonë.

dulo trajneri

Më pas skuadra mbeti me inferioritet numerik, pasi Rapo u ndëshkua me të verdhin e dytë. Kërkova që me zëvendësimet të rrisja forcën e skuadrës në sulm. Skuadra u shpreh dhe patëm raste, por edhe fati nuk na deshi. Fituam disa goditje këndi, nga të cilat mund të rrezikonim, por edhe ato nuk i shfrytëzuam në mënyrën më të mirë. Tani përqendrimi kalon te ndeshja e radhës. Jemi të parët dhe gara është tërësisht e hapur. Tani kampionati ka hyrë në një fazë të nxehtë, pasi janë në garë plot 5 ekipe dhe Prestige nuk i falet më që të bëjë hap fals, por vetëm të fokusohet tërësisht te ndeshja e radhës. Gjej rastin të përgëzoj FSHF-në për arbitrat, që gjykuan këtë sfidë”, u shpreh trajneri Dulo.

 

Prestige-Eagles 0-1

Goli: Kalonji (11-m) 27’

Prestige: Hasanaj, Hysko (Ygor 85’), Rapo, Grori, Gaxhaj, Frimpong, K.Branica, Mata (Ruçi 83’), Limani, M.Ademi, Malik; (Në dispozicion: Cara, A.Ademi. Shini, Ceka); Trajner: Mandrit Dulo.

Eagles: Sharki, Ahmati, Prençi, Menaj, Kasim (Bardhi 75’), Punavia, Kalonji, Halillari (Maren 58’), Martin, Çibuku, Mazi; (Në dispozicion: Hajdari, Veseli, Kodra, Ramushi); Trajner: Enkele Likaj;

Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi, Ilir Tartaraj, Orgest Grabova (Fier);

Kartonë të verdhë: Rapo 25’, 67’, Ademi 45’/ Alillari 45’, Martin 86’, Menaj 90+5’

Karton i kuq: Rapo 67’

Delegat: Igli Mumajesi

 

GRUPI A 2-3 mars

 

Java 8

TË SHTUNËN

Bulqiza – Përmeti 7-0

 

DJE

Basania – Kinostudio 7-3

Klosi – Arnisa 0-1

Prestige – Eagles 0-1

 

Renditja

Skuadra         N    P    F    B    H    G+/G-

1.Prestige      8    16   5    1    2    19-9

2.Eagles        8    16   5    1    2    22-13

3.Basania       8    16   5    1    2    21-12

4.Arnisa        8    15   5    0    3    15-13

5.Bulqiza       8    14   4    2    2    26-13

6.Përmeti       8    9    3    0    5    16-25

7.Klosi         8    7    2    1    5    8-18

8.Kinostudio    8    0    0    0    8    11-35

 

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"