Ndalohen gabimet me Besëlidhjen, te Apolonia punohet me metrat e fundit
Katër pikë në 180 minutat e fundit kanë kthyer humorin në Fier. Vërtetë nuk kanë marrë maksimumin, por kanë mjaftuar. I janë afruar më shumë zonës “play off”, që është objektivi madhor i Apolonisë. E megjithatë, vend për relaks nga ka dhe aq më pak për qetësi.
Në kamp e dinë që gabimet i kanë të ndaluara, sidomos me Luzin 2008 që këtë javë e merr fitoren në tavolinë. Për këtë arsye, java e 24-t bëhet vendimtare. Presin Besëlidhjen e rënë tashmë nga kategoria dhe në letër duket një ndeshje e lehtë, por ndryshe e presin fierakët. Stafi teknik kërkon maksimumin ndaj lezhjanëve, për të mos rrezikuar edhe më shumë.
Nëse me Tomorin treguan që janë një skuadër me limite dhe që vuajti në metrat e fundit, këtë herë pritet tjetër gjë. Gjatë seancave të këtyre ditëve do të punohet pikërisht me këtë pjesë, për të përmirësuar një herë e mirë defektet.
Ky proces nisi që dje, ku u zhvillua një stërvitje e larmishme dhe plot ritëm. Veç nxehjes, ushtrime fizike dhe ushtrime aerobike, u punua me topin dhe, mbi të gjitha, anën taktike. Në fund zhvilluan edhe një lojë brenda grupit. Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive gjatë këtyre tri javëve të fundit, ndaj jashtë vëmendjes nuk kanë lënë edhe anën psikologjike.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"