Myler “vrasës” në Kupë, Bajerni nuk e fal të parën. Ja statistikat e duelit të parë të sezonit në Gjermani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2024 | 15:20

Myler “vrasës” në Kupë, Bajerni nuk e fal të parën. Ja statistikat e duelit të parë të sezonit në Gjermani

Vjen momenti i startit të sezonit edhe për Bajernin e Mynihut, që luan ndeshjen e parë zyrtare sot në orën 20:45. Kampionët rekordmenë të Gjermanisë udhëtojnë në shtëpinë e skuadrës së sapongjitur të Bundesligës 2, SSV Ulm 1846, në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë.bajern

Të dy skuadrat janë takuar vetëm dy herë në futbollin profesionist, në sezonin 1999-2000 të Bundesligës, ku Bajern i fitoi të dyja përballjet. Ata fituan 1-0 jashtë, ndërsa në shtëpi, në “Olympiastadion”, triumfuan me rezultatin 4-0. Në të shkuarën e afërt, Bajerni nuk ka falur asgjë kur ka luajtur në raundin e parë të Kupës. Që nga sezoni 1995-96, ata i kanë fituar të gjitha 28 ndeshjet e tyre në raundin e parë. Ky është një rekord.

Një lojtar që ka luajtur në 13 nga këto ndeshje të raundit të parë ishte Tomas Myler dhe Bajerni mund të mbështetet në përvojën e sulmuesit 34-vjeçar sërish këtë të premte. Veterani do të bëjë paraqitjen e tij të 66-të në Kupë për klubin dhe vetëm Çarli Kërbel (70 ndeshje për Frankfurtin) dhe Manfred Kalc (67 për Hamburgun) kanë luajtur në më shumë ndeshje të “DFB Cup” për një klub të vetëm. Myler shënoi golin e tij të 34-të në këtë kompeticion, në humbjen 2-1 në Sarbryken sezonin e kaluar, duke barazuar shifrat e Klaudio Pizarros. Vetëm tetë lojtarë kanë shënuar më shumë në Kupën e Gjermanisë.

Ndërkohë që Herri Kejn mund të luajë ndeshjen e tij të parë të Kupës kundër Ulmit. Sulmuesi nuk bëri asnjë paraqitje në Kupë sezonin e kaluar. Ai shënoi në ndeshjen e tij të parë për Bajernin në Ligën e Kampioneve dhe në Bundesligë. Ndeshja në Ulm do të jetë e veçantë edhe për trajnerin Vinsent Kompani: 38-vjeçari do të debutojë në ndeshjen e parë zyrtare për Bajernin. Që nga ngjitja në Bundesligë në 1965, vetëm dy trajnerë e kanë bërë debutimin e tyre në Kupë dhe të dy kanë arritur të fitojnë: Jyrgen Klinsman në 2008 (4-3 kundër Rotvais Erfurt) dhe Luis van Gaal në 2009 (3-1 kundër Nekarelc).

VRASËS GJIGANTËSH – SSV Ulm, që u ngjit direkt në Bundesligën 2 pas vetëm një sezoni në Bundesligën 3 pas promovimit nga Regionalliga sezonin e kaluar, është rikthyer në Kupën DFB për herë të parë që nga sezoni 2020-21. Në atë kohë, ata u eliminuan në raundin e parë pas humbjes 1- 0 ndaj Nurembergut. Suksesi më i madh i klubit të Bundesligës 2 në Kupë ishte arritja në çerekfinale në sezonin 1981- 82, ku ata humbën 3-1 kundër Bohumit. Megjithatë, që nga rënia e tyre nga Bundesliga në vitin 2000, Ulm ka një rekord pozitiv kundër klubeve më të mira në Kupën e Gjermanisë: ata kanë fituar tri nga pesë sfidat e ndeshjes së parë të Kupës, të fundit si ekip i Kategorisë së Katërt në sezonin 2018-19, kundër Frankfurtit. Megjithatë, Bajerni do të sigurohet që të mos ketë surpriza sot.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"