Musiala humb supersfidën për titullin me Dortmundin, fajtor është Nagelsman
Aktivizimi i Xhamal Musialës në “Klasiken” e Gjermanisë, Bajern Mynih-Dortmund, është zyrtarisht “mision i pamundur”, sipas raportimeve të fundit nga prestigjiozja “Bild”.
Problemet fizike e detyruan Hansi Flikun ta largonte xhevahirin e bavarezëve nga kampi stërvitor në Frankfurt, aty ku përfaqësuesja po u jep dorën e fundit përgatitjeve përpara dy testeve, konkretisht ndaj Perusë në datën 25 mars dhe Belgjikës tri ditë më vonë. Skenari në fjalë mund të konsiderohet me të drejtë si “thikë në zemër” për Nagelsmanin dhe tifozët e gjigantëve nga Mynihu. Potenciali i jashtëzakonshëm në këmbët e Xhamalit i ka dhënë rol parësor në skemat e Julianit, aq sa të marrë trajtën e “regjisorit”.
Megjithatë, tekniku 35-vjeçar nuk ka dalë i larë nga kjo mesele, pasi burimi në fjalë pohon se pikërisht ai e dinte problemin fizik të 20-vjeçarit dhe sërish nuk e pati të vështirë aktivizimin e tij në sfidën ndaj Leverkusenit. “Bild” shkon më tej se e gjithë goditja kryesore e këtij lëndimi jo të lehtë ka ardhur nga “papjekuria” e ish-teknikut të Lajpcigut. Klubi nga ana e vet nuk ka dhënë asnjë prononcim zyrtar se cila është shkalla e saktë e dëmtimit në kofshën e majtë të Musialës dhe sa pritet të mungojë.
Është fakt se “Bambi” mbart statistikat e liderit në Mynih, e përkthyer me 11 gola dhe 9 asiste në 24 prezenca në Bundesligë, askush më mirë se ai nga rekordmenët. Eliminimi i një personazhi me kaq peshë dhe aq më tepër kur sfida e ardhshme është karshi rivalit më të madh në Gjermani dhe kryesisht në tabelë, të jep idenë e një trajneri të çmendur, se si ai mund të vërë në rrezik objektivat e klubit me lëvizje pa efekt.
Kampionët në fuqi të ligës gjermane do të duelojnë ndaj verdhezinjve në “Allianz Arena” në datën 1 prill dhe në rast suksesi rimarrin frerët e kampionatit, i cili pas 24 javësh komandohet nga Dortmundi me 53 pikë, 1 më tepër se skuadra e Mylerit me shokë.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"