Murinjo vazhdon “luftën”: E dua Pepin, por kërkoj edhe drejtësi
Përplasja Zhoze Murinjo-Pep Guardiola prodhon serinë e radhës. Trajneri portugez ka bërë thirrje për drejtësi teksa Mançester Siti pret verdiktin nga seanca dëgjimore për 115 akuza që rëndojnë mbi ta.
Trajneri i Fenerbahçes është përfshirë në një luftë fjalësh me Pep Guardiolën, pasi ky i fundit e krahasoi veten me Murinjon pas ngritjes së gjashtë gishtave, ndërsa skuadra e tij humbi ndaj Liverpulit në “Anfield”. Ish-tekniku i Çelsit, më parë kishte ngritur tre gishtat gjatë kohës së tij te Mançester Junajtid për të treguar titujt e tij, kur ai po merrte gjithashtu kritika. Guardiola tha pas humbjes në “Anfield”: “Ndoshta jemi të ngjashëm, por ai fitoi tre dhe unë fitova gjashtë”. Kjo provokoi Murinjon në një kundërpërgjigje të parë, ndërsa tha: “Unë dua të fitoj, por dua të fitoj pastër dhe me drejtësi. Nëse nuk mund të fitoj pastër, preferoj të humbas. Ai fitoi gjashtë trofe dhe unë fitova tre, por fitova me drejtësi dhe pastërti. Nuk dua të fitoj duke u marrë me 115 akuza”.
Guardiola reagoi duke thënë se rivali i tij për një kohë të gjatë ishte thjesht një tjetër emër në listën e madhe të atyre që dëshirojnë ta shohin Sitin të rrëzuar. Megjithatë, Murinjo e përgënjeshtroi këtë deklaratë. 61-vjeçari tha se ai e do Guardiolën, duke kujtuar kohën e tyre së bashku në Barcelonë, pavarësisht përplasjeve të tyre kur drejtonin Realin dhe Barçën. Por Mou tha se dëshiron të shohë drejtësinë të mbizotërojë në çdo shkelje që Siti mund të ketë kryer. Kampionët e Premier Ligës mund të mësojnë rezultatin e 115 akuzave kundër tyre në Premier Ligë në fund të janarit, por një vendim përfundimtar nuk ka gjasa të merret deri pas përfundimit të sezonit.
“Unë dhe Pep kemi punuar së bashku për tre vjet, ne e dimë se e duam njëri-tjetrin,” tha Murinjo për gazetën turke “Fanatik”. “Nuk është e vërtetë që unë dua që ata të bien, ajo që është e vërtetë është që unë dua drejtësi. Skuadrat e vogla ndonjëherë mund të penalizohen nga ‘Fair Play Financiar’ kur i kalojnë kufijtë e tyre me 5-10 euro. Edhe unë kam vuajtur për shkak të limiteve kur isha te Roma. Nuk mendoj se është e drejtë. Ne e duam njëri-tjetrin, ai e di. Fjalët janë një gjë, ndjenjat janë tjetër. Gjithçka që dua është drejtësi, por ne nuk kemi asnjë ndjenjë të keqe ndaj njëri-tjetrit”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"