Mungojnë dy titullarë, Dinamo me mbrojtje të re kundër Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 11:45

Mungojnë dy titullarë, Dinamo me mbrojtje të re kundër Egnatias

Humbja me Vllaznisë, përveç pikëve, pati edhe kosto të tjera për Dinamon, duke i shkaktuar mungesa për sfidën e javës së 26-të.

dinamo

Skuadra kryeqytetase ka humbur për ndeshjen e radhës dyshen titullare të qendrës së mbrojtjes, Rustem Hoxhën dhe Zhoselin Behiratçen. Kapiteni u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen ndaj Balajt në fundin e ndeshjes, pas rishikimit të episodit me VAR. Por edhe nëse do të mbetej në fuqi kartoni i verdhë që lojtari mori në fillim, sërish Hoxha do të mungonte ndaj Egnatias, sepse do të plotësonte numrin 4 të të verdhave, siç ka ndodhur me Behiratçen. Një goditje e fortë kjo për blutë, duke qenë se të dy qendërmbrojtësit titullarë nuk mund të luajnë njëkohësisht në një ndeshje kaq të rëndësishme si kjo me kryesuesit e renditjes në Superiore. Në këto kushte, trajneri Mehmeti dhe stafi i tij duhet të modifikojnë prapavijën për ndeshjen e së premtes.

JANKU – I sigurt për të qenë në formacion ndaj Egnatias është Stivian Janku. Lojtari që erdhi pikërisht nga rrogozhinasit te Dinamo në merkaton e dimrit, do të ketë një fanellë titullari të premten. Ai e nisi vitin titullar në fakt, duke luajtur ndaj Tiranës në kampionat dhe ndaj Laçit në Kupën e Shqipërisë, por më pas u ul në stol. Si për ironi të fatit, tani duhet të bëhet protagonist për të ndalur ish-shokët e ekipit dhe për të fituar kredite në sytë e trajnerit Mehmeti. Për vendin tjetër bosh në qendër të mbrojtjes, kandidat kryesor është Alesio Mija, i cili luan në këtë pozicion, por që trajneri Mehmeti e sheh më shumë si një mesfushor shkatërrues.

Gjatë ditëve në dispozicion deri në ndeshjen me Egnatian stafi do të mendojë për zgjedhjen më të mirë. Nëse partneri i Jankut nuk do të jetë Mija, atëherë mund të kalojë në atë pozicion ndonjë mesfushor qendre, që blutë në fakt i kanë me “pikatore”. Andoni, një lojtar me shumë eksperiencë, mund ta spostohej disa metra më prapa, por në këtë rast skuadra do të humbiste diçka në mesfushë, ndaj dhe mbetet të shihet se çfarë zgjedhjeje do të bëjë stafi për sfidën me Egnatian. Dinamo kishte në organikë këtë sezone dhe kolumbianin Mesa dhe Ali Samaken për qendrën e mbrojtjes, por që të dy këta lojtarë u larguan në merkaton e janarit.

PRECEDENTËT – Blutë i kanë humbur të dyja ndeshjet e deritanishme me Egnatian, por aktualisht, pavarësisht mungesave, janë në një tjetër formë në krahasim me dy fazat e para dhe shpresat janë për një rezultat pozitiv. Pas humbjes së pamerituar të së hënës me Vllazninë, kryeqytetasit kërkojnë të reagojnë në Rrogozhinë.

FAJTON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"