MUNDJE/ Abakarov shkëlqen dhe shkon në finalen e Europianit, i dhuron Shqipërisë një tjetër medalje të rëndësishme
Mundësi Zelimkhan Abakarov vijon serinë e rezultateve të mëdha për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. 29-vjeçari ka treguar sot një formë të shkëlqyer në Kampionatin Europian që po mbahet në Zagreb, teksa ka arritur që të kualifikohet për në finale.
Abakarov garoi në stilin e lirë në peshat deri në 61 kg, duke e nisur nga raundi kualifikues, aty mposhti pa asnjë problem gjermanin Niklas Stehele. Më tej në fazën çerekfinale triumfoi kundër ukrainasit Taras Markoviç për të siguruar një vend mes 4 më të mirëve të Europës. Por Abakarov nuk u ndal këtu, pasi kaloi me sukses edhe provën e zjarrit në gjysmëfinale, duke mundur gjeorgjianin Shota Phartenadze në një duel me shumë rivalitet.
Me këtë rezultat, Abakarov ka siguruar tashmë minimalisht medaljen e argjendit, duke e bërë pjesë e finales aty ku do të ketë si kundërshtarë armenin Arsen Harutjunian. Finalja do të zhvillohet pasditen e nesërme.
Kështu Abakarov regjistron një tjetër rezultat të madh, pas titullit historik të kampionit të botës në vitin e kaluar. Kujtojmë se mundësi rus i natyralizuar me pasaportë shqiptare, renditet në vend të parë në ranglistën e Federatës Botërore të Mundjes në stilin e lirë.
Për sa u përket sportistëve të tjerë, të Shqipërisë në Europian, Paris Karepi nuk mundi të avancojë për më tej, teksa u mund në raundin kualifikues nga italiani Abraham Ruano në duelin e peshave 125 kg për stilin e lirë.
Kombëtarja shqiptare përfaqësohet në Kampionatin Europian me 6 sportistë, ndërsa deri më tani ka konkurruar edhe Islam Dudeav, por pa mundur që të lerë shumë gjurmë, duke u ndaluar në ndeshjen e dytë.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"