Muça e konfirmon Sinën te Flamurtari, por Tirana nuk e lëshon mbrojtësin
Elvis Sina konsiderohet si blerja e re e Flamurtarit. Sipas drejtuesve mbrojtësi ka firmosur një kontratë 1-vjeçare, por ende nuk i është bashkuar ekipit në stërvitje. Por lajmi nuk gjen konfirmim në Tiranë, pasi mbrëmë, në mbledhjen e bordit drejtues të klubit bardheblu është vendosur që lojtari të qëndrojë në skuadër dhe atij të mos i jepet dokumentacioni për të kaluar te Flamurtari. Sakaq, trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça është shprehur entuziast në lidhje me këtë afrim të mundshëm (nëse do ndodhë), i cili sipas tij mbush boshllëkun e madh në mbrojtje. “Ende Sina nuk i është bashkuar Flamurtarit. Afrimi i tij tek ekipi ynë është një arritje për plotësimin e boshllëkut që ne kemi në mbrojtje. Unë e vlerësoj lojtarin dhe ka qenë një dëshirë e imja, pra kam dhënë pëlqimin tim, patjetër që në unison me drejtuesit e klubit, pasi së bashku me ta ne kemi arritur gjithçka në këtë merkato. Kur lojtari të bashkohet me ne, unë mund t’u them edhe ndonjë gjë më shumë”, – ka thënë dje Muça.
Tratativa – Sina pati firmosur rinovimin me Tiranën vetëm para pak ditësh, por atmosfera aspak e qetë në klubin bardheblu, si dhe fakti se lojtari nuk kishte më besimin e trajnerit Rubio bëri që ai të kërkonte largimin nga skuadra. Duke qenë se lojtari ka një njohje të vjetër me Shkëlqim Muçën, që në kohën kur ky i fundit drejtonte Tiranën si trajner dhe si shef klubi, atëherë mbrojtësi zgjodhi që të shkonte te skuadra vlonjate. Vetë Sina, një ditë më parë për “Panorama Sport”, pranonte kalimin te vlonjatët, por pasi të kishte marrë edhe dokumentacionin nga Tirana, gjë që u konfirmua edhe nga drejtuesit bradheblu.
Merkato – I pyetur nëse do të vijojë të kërkojë edhe një tjetër përforcim për krahun e majtë të mbrojtjes, trajneri i Flamurtarit la të kuptohej në përgjigjen e tij se kjo çështje mbetet e hapur. “Unë e kam thënë edhe më parë se na duhen dublime si nga ana e majtë, ashtu edhe nga e djathta dhe se gjithçka mbetet e hapur deri në fund. Për emra konkretë po diskutojmë me drejtuesit. Do të ketë edhe role të dubluara për t’u paraprirë edhe dëmtimeve”, – vazhdon tekniku. Por, sërish Muça këmbëngul se lojtarët do të jenë të një niveli të lartë dhe kjo për të garantuar hyrjen në lojë që në minutën e parë. Muça ndalet sërish te ndeshjet miqësore, duke folur për takimin e sotëm me Apoloninë e Fierit që do të luhet në Vlorë dhe që, sipas trajnerit, do të jetë një tjetër test për ekipin.
Miqësore me Apoloninë
Miqësorja mes Flamurtarit dhe Apolonisë do të luhet në orën 19:00. Ajo do të jetë një ndeshje tjetër që do të testojë ekipin dhe do të luhet me drita. Kjo përballje është miqësorja e fundit para startimit të kampionatit. Vukçeviç ka pasur një problem të vjetër fizik, por është rehabilituar dhe i është bashkuar stërvitjes në mënyrë normale, po ashtu edhe Kuqi. Të dy këta lojtarë mund të luajnë në takimin e sotëm miqësor.
Soza në terapi
Soza ka munguar në stërvitjen e djeshme. Argjentinasi është mbajtur në terapi nga mjeku Ardian Lluka për shkak të një kontraktimi që ka pasur në muskuj. Por mjeku Lluka konfirmon se Soza është i gatshëm të luajë në takimin e sotëm. Ndërkohë trajneri Shkëlqim Muça është interesuar për gjendjen e fushës së stadiumit. Ai ka kërkuar nga punonjësit e mirëmbajtjes që infrastruktura e fushës të jetë gati dhe optimale në nisje të sezonit.
Në Vlorë, 10 lojtarë U-21 në organikë
Flamurtari është një nga skuadrat me moshën mesatare më të vogël në kampionatin shqiptar të futbollit. Arsyeja qëndron te politika që kanë ndjekur gjatë muajve të fundit drejtuesit e klubit, duke larguar disa futbollistë dhe afruar emra cilësorë të ndërthurur edhe me lojtarë të akademisë. Kështu nga porta në sulm, hë për hë, te Flamurtari gjen plot 10 lojtarë nën moshën 21 vjeç: Ardit Morina (20 vjeç), Alvaro Bishaj (20 vjeç), Glendi Mici (21 vjeç), Klaus Borakaj (17 vjeç), Ardi Qejvani (19 vjeç), Bruno Telushi (21 vjeç), Dejvi Bregu (17 vjeç), Olnis Idrizaj (21 vjeç), Rofrenc Nelaj (19 vjeç) dhe Brunild Pepa (21 vjeç). Nga lojtarët e mësipërm vetëm Brunild Pepa dhe Glendi Mici nuk kanë qenë pjesë e skuadrës së Flamurtarit në të shkuarën, pra nuk kanë dalë nga akademia e këtij klubi. Ndërsa, Alvaro Bishaj u dha vetëm gjysmën e sezonit në 2011-2012 në huazim te Tomori, por është një lojtar i dalë nga shkolla kuqezi. Ndërkohë mësohet se për të gjithë këta lojtarë drejtuesit po mendojnë t’u përgatisin kontrata afatgjata, me qëllim që të mos mbesin “duarbosh” nëse një ditë këta kërkohen nga klube të ndryshme jashtë Shqipërisë, sikundër ndodhi me Hair Zeqirin dhe Odise Roshin, për të cilët KF Flamurtari nuk mundi të përfitojë asnjë kacidhe.
ERMAL SIKA













