MOVIOLA E SUPERIORES/ VAR-i i vjen në ndihmë Xhajës për Partizanin, por penalizon Allën te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 21:06

MOVIOLA E SUPERIORES/ VAR-i i vjen në ndihmë Xhajës për Partizanin, por penalizon Allën te Tirana

Gjykimi ishte përgjithësisht i mirë në ndeshjet e javës së 29-të të Superiores. Në njërën prej tyre, Tirana-Teuta, ka një moment shumë të diskutueshëm. Tiranës i mungon një penallti, pas kontaktit të Lulajt me dy mbrojtës kundërshtarë.

bandicam 2024-03-30 15-18-07-097

Kryesori Laver Alla gabon, por edhe VAR-i e penalizon, duke mos e marrë në konsideratë rastin. Ndryshe ndodhi në Laç, ku Juxhin Xhaja u ndihmua nga VAR-i për të kuqin e Carës.

LAÇI-PARTIZANI 1-1
Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Rexha, A.Koçiaj (Tiranë); VAR: A.Beqiraj, AVAR: A.Doda (Tiranë)
Ndeshja e gjykuar nga kryesori Juxhin Xhaja dhe pati disa episode, ku më kryesorët ishin kartoni i kuq për Tedi Carën dhe penallti në favor të Laçit. Në rastin e parë ishte VAR-i që korrigjoi Xhajën, i cili fillimisht dha karton të verdhë, kurse në rastin e dytë ai veproi drejt.
17’ Cara ndërhyn direkt me takë ndaj Kurtit në mesfushë, duke e lënë të dëmtuar mbrojtësin e Laçit. Xhaja akordon karton të verdhë, por pasi thërritet nga VARi për ta rishikuar rastin, me të drejtë nxjerr të kuqin, duke përjashtuar sulmuesin e Partizanit.
33’ Preka devijon topin me krah në zonë, por Xhaja vijon lojën. Afërsia me topin dhe dora e mbyllur i japin të drejtë gjyqtarit.
44’ Melo rrëzohet në zonë në një duel me Sotën. Braziliani kthen kokën nga gjyqtari, që vijon lojën. Më së shumti duket si një duel trup më trup, me brazilianin që ka tentuar të “vjedhë” 11- metërsh.
51’ Laçi shënon golin e barazimit pas një aksioni të shpejtë. Pozicioni i Mjakit duket i dyshimtë, por VARi shuan dyshimet me vijën virtuale. Lojtari i Laçit “shpëton” për pak centimetra.
63’ Sobouale rrëzohet në zonë në një kontakt me Mikuliç. Sulmuesi i Laçit pengohet me këmbë nga kroati, i cili nuk vendoset si duhet. Naivitet i mbrojtësit, me anglezin që ia “vjedh” momentin. Xhaja e akordon direkt, duke vepruar saktë.

VLLAZNIA-ERZENI 1-1
Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos) E.Ganxhi (Elbasan), G.Cenolli (Tiranë); VAR: O.Yzeiraj (Patos); AVAR: D.Maletaj (Tiranë)
Një ndeshje e gjykuar mirë në total nga kryesori Ferataj, me një moment të diskutueshëm që kërkon interpretim.
13’ Mala, si lojtar i fundit, në duel me Mihanën merr topin, por i jep një shtytje kundërshtarit. Ferataj vazhdon lojën, intensiteti i shtyrjes nuk mjafton për të akorduar faull. Çështje interpretimi.
49’ Gruda rrëzohet në zonë pas një dueli me Sadikin dhe pretendon për goditje. Në këtë rast kontakti është i lehtë dhe gjyqtari vepron drejt. 81’ Vllaznia pretendon për penallti, për prekje të topit me dorë nga Sadiki. Ferataj vazhdon lojën. Edhe nëse topi prek dorën, ajo është ngjitur me trupin dhe nuk kemi të bëjmë me penallti.

TIRANA-TEUTA 1-2
Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), A.Zalla, E.Doda (Tiranë); VAR: E.Hamiti, AVAR: E.Gjoka (Lezhë)
Dy janë rastet në sfidën mes Tiranës dhe Teutës. Bëhet fjalë për një gol të anuluar dhe një penallti të padhënë. Në rastin e parë, Alla vepron në mënyrë korrekte, ndërsa në rastin e dytë Gjini dhe Lloci kanë shkaktuar penallti. Gabimin nuk e korrigjon as VAR-i, ku ishte ndërkombëtari Hamiti. Pati edhe polemika nga dy ekipet për lojën e ashpër në fushë.
36’ Teuta shënon gol me Llocin, por Alla e anulon, pasi më parë Jazxhi kishte shkaktuar faull ndaj Përgjonit. Vendim i drejtë i gjyqtarit lushnjar.
74’ Harkim në zonën e Teutës, Lulaj rrëzohet pas një kontakti me dy mbrojtës të Teutës, Llocin dhe Gjinin, që e mbyllin në mes si “sanduiç”. Bardheblutë duan penallti, por gjyqtari vazhdon lojën. Më pas komunikon edhe me VAR-in dhe këtu është gabimi, sepse pamjet tregojnë se rasti ka elementët për 11-metërsh.

DINAMO-SKËNDERBEU 2-0
Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), E.Burgu (FushëKrujë), S.Met-Hoxha (Lushnjë); VAR: K.Bajramaj (Tiranë), AVAR: K.Shahini (Durrës)
Ndeshja pati vetëm një moment të diskutueshëm, ku Dinamo pretendoi për penallti dhe rasti kërkon interpretim, sepse kontakti mes lojtarëve në zonën korçare është. Në disa momente Lata lejoi lojën e ashpër, duke toleruar ndërhyrje për karton.
31’ Meksi rrëzohet në zonë pas një shtyrjeje të Dumfur. Ka një kontakt mes dy lojtarëve, ku shtyrja e mbrojtësit të Skënderbeut është e dukshme, por ajo që duhet vlerësuar është intensiteti i saj. Lata vazhdon lojën dhe as VAR-i nuk ndërhyn. Një moment i diskutueshëm.

EGNATIA-KUKËSI 1-0
GJYQTARË: I.Myrtja (Shkodër), D.Korreshi (Lushnjë), M.Llukmani (Vlorë); VAR: E.Jorgji (Elbasan), AVAR: S.Dyrmishi (Elbasan)
Vetëm një rast ishte i dyshimtë për moviolë në takimin mes Egnatias dhe Kukësit. Bëhet fjalë për një episod të ndodhur në minutën e 24’. Vendësit sulmojnë me Spahiun, që rrëzohet në zonë dhe aksioni vijon, ku Zejnullai merr topin, por disa metra më andej rrëzohet edhe ai. Për kryesorin Myrta nuk ka asgjë, mbajtja nga Zenunaj konsiderohet shumë e lehtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"