Moviola e Superiores/ Javë me luhatje për arbitrat! Laçit i mungon një penallti, VAR “djeg” Tiranën
Java e 14-të ka qenë përgjithësisht pozitive për gjykimin, edhe pse momentet e diskutueshme nuk mungojnë dhe këtë herë është Laçi që ndihet i penalizuar, pasi i mungon një penallti.
Sistemi VAR ka qenë vendimtar në disa raste, veçanërisht në ndeshjen Erzeni-Tirana, por edhe në këtë të fundit nuk është dhënë një karton i kuq. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë.
PARTIZANI-DINAMO 0-0
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), R.Çokaj (Lezhë), N.Bregasi (Tiranë); VAR: F.Lata (Durrës) – AVAR: Xh.Mani (Tiranë);
Ndeshja mes Partizanit dhe Dinamos u gjykua nga ndërkombëtari Enea Jorgji, ndërsa kishte dy momente të dyshimta për penallti.
47’ Kristian Mba i vjedh kohën Rustem Hoxhës dhe pasi futet në duel me mbrojtësin, rrëzohet në zonë. Sulmuesi i Partizanit kërkon penallti, por Jorgji vijon lojën. Edhe pas analizimit të rastit nga VAR-i, qëndron në fuqi vendimi i dhënë nga kryesori në momentin e parë. Pamjet i japin të drejtë Jorgjit, me Mba, që në pamundësi për të kontrolluar plotësisht topin, kërkon kontaktin me kundërshtarin.
64’ Lorenco Vila hyn në zonë dhe pas një këmbe të zgjatur të Muratajt, rrëzohet dhe kërkon penallti. Jorgji vijon lojën, ndërsa edhe VAR nuk e sinjalizon. Pamjet filmike tregojnë se nuk kemi të bëjmë me faull, pasi Vila rrëzohet në momentin që i humbet kontrolli i topit, në një kohë që është Taipi, i cili e largon pas dublimit që i bën në markim kundërshtarit bashkë me Muratajn. Vendim i drejtë i Jorgjit.
ERZENI-TIRANA 1-0
Gjyqtarë: S.Dyrmishi, R.Mersinasi, D.Kasa; VAR: K.Cjapi – AVAR: O.Yzeiraj;
Në sfidën mes Erzenit dhe Tiranës, që u zhvillua në stadiumin e Rrogozhinës, pati disa raste për moviolë. Gjyqtari kryesor, Silvio Dyrmishi, si dhe anësorët, u korrigjuan në kohë nga VAR-i.
50’ Haxhiu shërben në zonë dhe Hasanbelli del për të rrëmbyer topin, por përplaset me Latifin dhe më pas “sfera” shkon te Abazaj, që shënon me portën e boshatisur. Arbitri Dyrmishi anulon golin për faull ndaj portierit të Erzenit. Vendim i drejtë, pasi Latifi ka goditur në kokë portierin, në momentin kur ky i fundit ka devijuar topin me dorë.
63’ Abazaj provon me një gjuajtje në zonë, që bllokohet nga Sadiki. Bardheblutë protestojnë për penallti, por pas konsultimit me VAR, gjyqtari lë lojën të vazhdojë. Vendim i drejtë i kryesorit.
66’ Faull i Përgjonit ndaj Zekës në afërsi të zonës, por arbitri nuk e ndëshkon lojtarin e Tiranës. Nëse i jepte kartonin e verdhë, do të ishte i dyti për Përgjonin dhe automatikisht i kuq. Gabon Dyrmishi.
71’-74’ Tirana barazon me Najdovskin, i cili kërcen me kokë dhe dërgon topin në rrjetë. Për anësorin Kasa goli është i rregullt, ndërsa më pas, në pritje të konfirmimit nga VAR, akordohet pozicion jashtë loje. Vendimi merret pas tre minutash, ndërsa pamjet nuk janë shumë të qarta, pasi bëhet fjalë për një pozicion jashtë loje milimetrik.
81’ Kiqina shkakton faull ndaj Patrik në afërsi të zonës, teksa pretendohet për penallti nga Tirana. Gjyqtari e konsideron si një faull që ka nisur jashtë zonës dhe pamjet filmike i japin të drejtë.
90+3’ Patrik provon me një gjuajtje brenda zonës, por Sadiki ndërhyn me trup para portierit. Protesta për penallti nga bardheblutë, por loja vazhdon. Pamjet tregojnë se topi ka prekur në gjoksin e lojtarit.
LAÇI-EGNATIA 0-2
Gjyqtarë: E.Bastari, A.Zalla (Tiranë); J.Podgorica (Shkodër); VAR: O.Ferataj – AVAR: N.Rrapaj (Patos);
Ndeshja në Laç u gjykua nga Erjon Bastari i kolegjiumit të Tiranës. Kjo sfidë kishte vetëm një rast të dyshimtë dhe pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një penallti të mohuar për kurbinasit.
78’ Barjamaj godet një top të kthyer dhe Zejnullai e prek me dorë, i ndodhur brenda zonës. Në këtë moment gjyqtari vijon lojën, por nuk sinjalizohet as nga VAR-i. Pamjet tregojnë se kemi të bëjmë me një moment ku duhej të akordohej penallti, pasi dora e Zejnullait është e ngritur lart dhe jo në pozicion natyral. Gabojnë kryesori dhe VAR-i.
KUKËSI-SKËNDERBEU 2-2
Gjyqtarë: E.Rusta (Elbasan), A.Koçiaj (Tiranë), R.Muzhaqi (Elbasan); VAR: E.Hamiti (Lezhë) – AVAR: D.Maletaj (Tiranë);
Në stadiumin “Arena e Demave” gjykoi elbasanasja Emanuela Rusta, ndërsa vendimtar u bë sistemi VAR në anulimin e një goli.
43’ Gresild Likës shënon golin e tretë për Skënderbeun, pas një goditjeje nga brenda zone me të djathtën. Për arbitren Rusta dhe anësorin Koçiaj, kemi të bëjmë me gol të rregullt, por VAR e anulon më pas, sepse gjatë goditjes të Likës, Frenklin i Skënderbeut kishte zënë rrezen e portierit Tafas. Nga pamjet shihet që sulmuesi bën një lëvizje që pengon portierin dhe bëhet aktiv, ndërsa është në pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë i sistemit VAR, që korrigjon arbitrat.
90+3’ Salami i Kukësit pengohet në zonë pas duelit me Randin, por Rusta lë lojën të vazhdojë. Edhe VAR i jep të drejtë kryesores, pasi nuk kemi të bëjmë me një rast që është në limitin e penalltisë.
TEUTA-VLLAZNIA 0-1
Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Myftari, R.Avdo (Tiranë); VAR: K.Prenga (Laç) – AVAR: E.Bylykbashi (Elbasan); Teuta-Vllaznia u gjykua nga ndërkombëtari Juxhin Xhaja. Pati vetëm një rast për moviolë, por që u zgjidh shumë mirë nga arbitrat.
66’ Gjinollari rrëzohet në zonë pas duelit me Pusin, por sipas Xhajën nuk kemi të bëjmë me penallti. Edhe pamjet filmike i japin të drejtë arbitrit kryesor, pasi kontakti nuk ishte në ekstremet e penalltisë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"