Moviola e javës së 8-të të Superiores/ Yzeiraj “bujar” në Durrës, Xhaja toleron në Elbasan
Java e 8-të e Superiores pati episodet e saj në lidhje me gjykimin. Janë marrë vendime të drejta, ndonjë gabim është korrigjuar nga VAR-i, por ka edhe raste që lënë shumë dyshime, siç ishte penalltia e parë kundër Tiranës në Durrës.
TEUTA-TIRANA 3-1
Gjyqtarë: O.Yzeiraj (Patos), Xh.Mani (Tiranë), A.Topi (Lushnjë); VAR: A.Beqiraj; AVAR: D.Maletaj (Tiranë)
Një gjykim jo i mirë i kësaj ndeshjeje nga Yzeiraj, që në shumë raste është ndihmuar nga teknologjia. Dyshimet më të mëdha janë për 11- metërshin e parë në favor të Teutës, që është shumë bujar, pasi kontakti duket minimal.
9′ Arsid Kruja kalon në avantazh Teutën pas një asisti të Nasr, i cili merr një top nga anësorja dhe pason direkt te shkodrani. Ka dyshime për pozicion të parregullt, por vërtetohet se lojtari i Teutës është në vijë.
13-15′ Ismajli barazon rezultatin për Tiranën pas dy tentativash kundër Tafasit. Ka një pretendim për faull të mbrojtësit të Tiranës ndaj portierit dhe më pas për pozicion jashtë loje, por goli konfirmohet nga VAR-i.
71-74′ Teuta fiton një penallti pas duelit mes Kolës dhe Nasr. Kotobelli kërkon me ngulm nga gjyqtari Yzeiraj të konsultohet me VAR-in dhe pasi sheh pamjet, kryesori akordon penallti. Pamjet nuk janë shumë të qarta, ka dyshime se Kola mund ta ketë goditur me gju sulmuesin e Teutës. Një kontakt shumë i lehtë, që ndoshta nuk mjafton për penallti.
86-88′ Sërish penallti për Teutën, që e fiton Nasr pas duelit me portierin Selmani, i cili e pengon me dorë. Për gjyqtarin nuk ka dyshime dhe penalltia qëndron.
90+6′ Duel Kruja-Dembele, topi goditet nga mbrojtësi i Tiranës dhe shkon në dorën e lojtarit të Teutës. Gjyqtari vazhdon lojën dhe pamjet nuk janë të qarta, por mund të ketë elementë për penallti.
VLLAZNIA-ELBASANI 0-0
Gjyqtarë: J.Xhaja, A.Zalla, R.Avdo (Tiranë); VAR: K.Bajramaj (Tiranë), AVAR: K.Shahini (Durrës)
Juxhin Xhaja dhe asistentët e tij kanë gjykuar mirë përgjithësisht, por rastet e diskutueshme. Janë tre episode për moviolë, ku në njërin ka dyshime për penallti dhe në tjetrin për një karton të kuq të munguar për Ze Gomesh.
28′ Lulaj ndërhyn ndaj Malës para se ai të hyjë në zonë dhe Xhaja akordon goditje dënimi. Pretendojnë për penallti shkodranët, por vendimi i Xhajës është i drejtë, konfirmohet edhe nga VAR-i.
38′ Pretendime për penallti nga Elbasani, pas prekjes së topit me dorë nga Mala në zonë. Xhaja dhe VAR-i vazhdojnë lojën, pasi Mala është shumë afër dhe nuk shton volumin e trupit me duar, që mundohet t’i mbajë pas. Rast i dyshimtë, që nuk bind për penallti.
45+3′ Hasani shënon pas pasimit të Hakajt, por ka një sinjalizim për pozicion jashtë loje të lojtarit të Elbasanit. Vendimi konfirmohet edhe nga teknologjia. Në nisje të aksionit ka dhe një faull të Ze Gomesh ndaj Krymit, por Xhaja lejon vazhdimin e lojës. Ndërhyrja është e ashpër dhe duhej dhënë minimalisht karton i verdhë për sulmuesin, por është në kufijtë e të kuqit. Takat e sulmuesit mbeten në kërcirin e Krymit.
DINAMO-LAÇI 2-1
Gjyqtarë: E.Bylykbashi, R.Muzhaqi (Elbasan), M.Qose (Lushnjë), VAR: F.Lata (Durrës), S.Dyrmishi (Elbasan)
Ndeshja e gjykuar nga kryesori Bylykbashi pati dy momente të diskutueshme. Në njërin u veprua drejt, ndërsa në të dytin u desh ndërhyrja e VAR-it për të korrigjuar gabimin.
22′ Mandela shënon për Dinamon. Ka pretendime për pozicion jashtë loje të Zabërgjës në nisje të aksionit, por lojtari blu mbahet në lojë nga një mbrojtës kurbinas.
82′ Bylykbashi akordon penallti për Laçin për një ndërhyrjeje të Muzek në zonë. Kryesori thirret nga VAR-i dhe ndryshon mendim, duke dhënë goditje këndi. Ndërhyrja e Muzek është e saktë, kroati largon vetëm topin.
PARTIZANI-BYLIS 1-0
Gjyqtarë: D.Grimci (Shkodër), A.Koçiaj (Tiranë), J.Podgorica (Shkodër), VAR: A.Doda (Tiranë), AVAR: E.Bastari (Tiranë)
Ndeshja mes Partizanit dhe Bylisit kishte si arbitër kryesor Ditmir Grimcin nga kolegjiumi i Shkodrës. Trupës gjykuese nuk iu nevojit ndonjë impenjim i madh, pasi loja ishte aq korrekte, sa u nxor vetëm një karton i verdhë. Për t’u shënuar është edhe fakti se nuk kishte asnjë rast të dyshimtë për penallti, apo për karton të kuq.
SKËNDERBEU-EGNATIA 0-1
GJYQTARË: K.Cjapi (Fier), A.Shkreta (Tiranë), E.Mehmetaj (Vlorë) VAR: O.Ferataj (Patos), AVAR: M.Shazivari (Tiranë)
Dy raste për moviolë kishte takimi i luajtur në Korçë mes Skënderbeut dhe Egnatias, ku gjyqtar ishte Kreshnik Cjapi i kolegjiumit të Fierit. Ai nxori dy kartonë të kuq, por që të dy të drejtë.
44’ Vaskez ndëshkohet me karton të kuq për ndërhyrje të gabuar si lojtar i fundit ndaj Vuthajt. Cjapi nxjerr menjëherë të kuqin, që konfirmohet edhe nga VARi. Duket vendim i drejtë, edhe pse mund të ketë diskutim për pozicionin e mbrojtësve të tjerë të Skënderbeut.
76’ Edhe Egnatia mbetet me 10 lojtarë. Kapiteni Malota ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Bismark si lojtar i fundit. Cjapi sërish përdor kartonin e kuq. Edhe ky ishte një vendim i drejtë sa i përket pozicionit të Malotës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"