Moviola dhe pikantet e Laçi-Flamurtari/ Penalltia e saktë, por dy standardet me kartonët “tërbuan” vlonjatët
Takimi Laçi-Flamurtari u gjykua nga një treshe nga kryeqyteti, me kryesor Erjon Bastari dhe ndihmës të tij Ani Koçiaj dhe Egin Doda. Ndërsa në dhomën VAR ishin Albert Doda dhe Olsion Yzeiraj. Takimi ishte i tensionuar dhe gjyqtarët patën shumë punë ku nuk munguan as rastet e dyshimta dhe të kontestuara.
Penalltia e akorduar për Laçin në minutën e 108-të ishte e saktë, pasi dukej qartë që topi i goditur nga Prodani u ndal në zonë nga dora e hapur lart e Hasës së Flamurtarit. Në këtë takim u dhanë edhe shumë kartonë, dy prej tyre të kuq, një për trajnerin Memushi për protesta dhe tjetri në fund për La Torre. Te kartonët gjyqtari Bastari u tregu me dy standarde, pasi vendasit i kurseu shumë, ndërsa për vlonjatët u tregua strikit. Në fushë nuk munguan përplasjet dhe konfrontimet mes lojtarëve, por për çudi gjyqtari i kaloi në heshtje dhe pa ndëshkime.
Çfarë ndodhi
Nga tensioni, kartonët, hedhja e sendeve dhe invadimi i fushës, në Laç ndodhën të gjitha
Ndeshja shtesë mes Laçit dhe Flamurtarit, ishte vendimtare pasi nga përfundimi i këtij takimi formatoheshin e dhe dy kategoritë kryesore të futbollit shqiptar, Superiorja dhe e Para. Në përfundim të kësaj finaleje që zgjati mbi dy orë, Laçi vazhdon në Superiore ndërsa Flamurtari sërish do të jetë larg elitës. Ky takim i pati të gjitha, nga golat, autogolat, penalltia, kartonët e kuq, mbështetja e tifozëve nga të dy ekipet, ofendimet në kor, tensionet në fushë dhe pankina, por edhe festimet e tepruara, ku trajneri Cungu për të larguar stresin hyri në fushë për të përqafuar brazilianin Melo pas shënimit të golit. Sende nga më të ndryshmet dhe me shumicë u hodhën në fushë, nga shishet e ujit, stolat dhe mjetet piroteknike. Madje pati edhe tifozë që shpërthyen rrethimin për të hyrë në fushë për të festuar golat me lojtarët e skuadrës së zemrës.
Gjykimi nuk ishte në stadin e duhur, duke mos mbajtur një kut vlerësimi te ndërhyrjet e lojtarëve të skuadrave respektive, ku me vlonjatët e zbatoi më me përpikëri rregulloren. Në minutën e 79-të trajneri Memushi u ndëshkua karton të kuq nga gjyqtari Bastari, pas protestës së stafit vlonjat për mos ndëshkimin e ndërhyrjeve ndaj futbollistëve të Flamurtarit. Goli i tretë i Laçit e rriti në maksimum tensionin, ku gjithë stafi e stoli vlonjat hyri i irrituar në fushë, pasi sipas tyre aksioni i golit nisi nga një faull ndaj Sidibes. Madje zemërimi ishte aq i madh sa që edhe një personalitet i futbollit si Edmond Liçaj nuk u kursye që të protestojë fort te gjykimi dhe që doli më pas i shoqëruar nga stjuardët. Ky tension solli edhe ndërprerjen e ndeshjes për gati 3 minuta dhe në fund ishte sulmuesi La Torre i Flamurtarit që doli nga fusha me karton të kuq.
Gjithsesi, në fund kurbinasit shpërthejnë në festë ndërsa futbollistët e Flamurtarit mbeten të shtrirë në fushë nga pamundësi për të siguruar ngjitjen në Superiore. Një ndeshje që pati shumë polemika dhe shumë tensione edhe mes futbollistëve. Ndërkohë pas përfundimit të sfidës në profilin zyrtar të klubit vlonjat janë publikuar disa pamje ku vihen re flakadanët dhe shishet e hedhur në fushë. Po ashtu është publikuar edhe një video, ku akuzojnë edhe arbitrat për mënyrën e drejtuar të sfidës. “ET. FK Laçi 3:1 Flamurtari F.C. Bravo arbitrat për një super ndeshje të luajtur sot. Flamurtari e ka kokën lart gjithmonë“, shkruhet në mbishkrim.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"